Enver Hoxha e Spiro Moisiu, takim sekret me majorin gjerman në ‘44

Sep 30, 2013 | 14:02
SHPËRNDAJE

Berat 1944: Spiro Moisiu, Baba Faja i Martaneshit, Enver Hoxha, Myslym Peza. Omer Nishani, Ymer Dishnica
Foto e gjetur në arkivin britanik
Dokumentet për Luftën Nacionalçlirimtare në Arkivin britanik.

Zbardhen tetë përgjigjet e udhëheqësve të LNÇ të Shqipërisë për kushtet dhe ofertat e Hitlerit.

Si e refuzoi Hoxha qeverisjen me gjermanët.
“Ata janë pushtuesit e vendit, do t’i luftojmë deri në fund”

Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu kanë refuzuar ofertat e Hitlerit në vitin 1944, përfshirë qeverisjen, të negociuara gjatë një takimi sekret me një major gjerman. Biseda gjendet e zbardhur në arkivin britanik dhe sot vjen e plotë për herë të parë në gazetën “Panorama”. Ky dokument u është dorëzuar oficerëve britanikë të ndërlidhjes që ndodheshin në Shqipëri (S.O.E), në datën 11 qershor 1944, ndërsa bisedimet janë mbajtur në datën 20 mars. Ai është shkruar në frëngjisht (besohet nga vetë Enver Hoxha), dhe mban firmën e këtij të fundit dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Spiro Moisiu. Sipas arkivit britanik, oficerët anglezë u vunë në dijeni të një takimi mes një oficeri gjerman dhe drejtuesve të LNÇ, në datën 11 mars. Por, nga Enver Hoxha ata morën një përgjigje, sepse ai refuzoi një ofertë të tyre për të drejtuar qeverinë në Tiranë. Edhe pse britanikët këmbëngulën për më shumë informacion, dokumenti ku shpjegohen me hollësi bisedimet, u dha vetëm 3 muaj me vonesë nga Enver Hoxha. Sipas dokumentit, një major gjerman, Artur Torrasini, vizitoi trupat partizane në fund të muajit shkurt, ndërsa bisedimet zyrtare i zhvilloi në datën 20 mars, çka nënkupton se oficeri gjerman ka zhvilluar disa takime. Nga ana tjetër, dokumenti i dhënë 3 muaj me vonesë vjen pas nënshkrimit të një marrëveshjeje të re mes britanikeve dhe LNÇ, ku këta të fundit përfitojnë një status njohjeje pothuaj të njëjtë me atë që kishin partizanët jugosllavë apo grekë. Nëpërmjet këtij dokumenti, Enver Hoxha kërkon të tregojë besnikërinë ndaj aleatëve e në veçanti ndaj britanikëve. Nga ana tjetër, në këtë periudhë, qershor 1944, kishte nisur operacioni i qershorit nga gjermanët, çka e vendoste Hoxhën përballë kërkesave të domosdoshme për furnizime nga britanikët. Njëkohësisht në Francë ishte hapur fronti i dytë nëpërmjet zbarkimit në Normandi, ndërsa në dokument theksohet se partizanët shqiptarë do të mbështesin një zbarkim aleat në Shqipëri, nëse ai ndodh. Dokumenti, i cili është shkruar si një procesverbal, përshkruan bisedimet e majorit gjerman me një përfaqësues të LNÇ (emri nuk zbulohet), i cili u kërkon partizanëve të ndalin luftën dhe të formojnë një qeveri të re në Tiranë, nën mbështetjen e tyre, e madje duke ruajtur marrëdhënie miqësore me britanikët. Nga ana tjetër, oficeri gjerman kërkon edhe mundësinë e një takimi mes Mehdi Frashërit dhe krerëve të LNÇ, në pamundësi të pranimit të kërkesës së parë. Gjithsesi, palët arrijnë një marrëveshje mes tyre për shkëmbimin e robërve të luftës, çka konfirmon një tjetër dokument zbuluar më herët në arkivin shqiptar për realizimin e një marrëveshjeje të tillë, që palët të shkëmbenin robërit e luftës.

Faksimile e dokumentit të bisedimeve të Enverit dhe Moisiut me majorin gjerman.
Ky dokument ndodhet në arkivin britanik dhe botohet për herë të parë

Dokumenti i plotë
11 qershor 1944
Data e informacionit:
20 mars 1944
Në fund të shkurtit, një oficer gjerman i ndërlidhjes, major Artur Torrasini, vizitoi partizanët për të dorëzuar disa propozime nga komanda gjermane, të cilat u refuzuan. Më poshtë është përkthimi i një letre dërguar në frëngjisht në një nga burimet tona të informacionit, i cili shpjegon rrethanat dhe është i firmosur nga Enver Hoxha si komisar politik dhe Spiro Moisiu si komandant:
Si aleatë të Britanisë së Madhe, të sovjetikëve dhe SHBA-ve, ne kemi nderin t’ju shtrojmë një çështje në lidhje me një bisedë dhe intervistë private, nëpërmjet një delegati të Shtabit të Përgjithshëm dhe majorit gjerman Artur Torrasini, i cili erdhi në një nga zonat e lira si përfaqësues i Shtabit të Përgjithshëm gjerman në Shqipëri.
Në përgjigje të pyetjeve, të cilat u paraqitën nga delegati ynë, majori parashtroi kërkesat e poshtme:
1. Ai erdhi në një zonë të lirë për të paraqitur disa kërkesa në lidhje me disa pilotë gjermanë që janë rrëzuar më 21 shkurt 1944.
2. Ai kërkoi mendimin tonë në lidhje me qeverinë shqiptare në Tiranë.
3. A ekziston mundësia për ndonjë marrëveshje mes nesh, Ballit Kombëtar dhe zogistëve?
4. Nëse ne pranojmë një ofertë të paraqitur nga gjermanët e të kthehemi në Tiranë dhe të formojmë një qeveri.
5. Nëse ne pranojmë të qëndrojmë neutralë dhe të ndalojmë luftën ndaj gjermanëve dhe kjo e fundit do të ishte reciproke. Në të njëjtën kohë, ne mundemi të ruajmë marrëdhënie të mira me anglezët.
6. Majori gjerman konfirmoi se Balli Kombëtar po bashkëpunon me ta. Ai deklaroi se gjermanët kanë arritur në një përfundim se forcat e Ballit Kombëtar janë të pakonsiderueshme, në krahasim me forcën e Lëvizjes Nacionalçlirimtare, përkatësisht shumë herë më të madhe. Si rrjedhim, gjermanët dëshironin një marrëveshje me partizanët dhe në rast se do të ndodhte, ata do të ndryshonin planet e tyre politike dhe ushtarake ndaj Shqipërisë.
7. Gjithashtu tha që gjermanët nuk e pushtuan Shqipërinë me qëllimin e okupimit të vendit, por me qëllim parësor pritjen e një zbarkimi nga anglezët. Gjermanët nuk kishin asnjë qëllim për të ndërhyrë në punët e brendshme në Shqipëri.
8. Cilat ishin qëllimet tona, në lidhje me një zbarkim të anglezëve?
Sa për të gjitha këto pyetje dhe kërkesa të bëra nga majori gjerman, ne dhamë këto përgjigje të mëposhtme. Biseda u bë në mënyrë private dhe majorit gjerman iu sugjeruan delegatë, sepse ai nuk ka autoritetin e mjaftueshëm për të gjitha çështjet në diskutim.
Këto janë përgjigjet tona ndaj gjermanëve:
1. Në lidhje me çështjen e pilotëve gjermanë, ne nuk mund të jepnim asnjë informacion. Asnjë komandant partizan nuk ishte informuar për këtë dukuri, e cila ishte arsyeja e vizitës së majorit gjerman. Ishte e mundur që një ngjarje e tillë ka ndodhur në zonat e kontrolluara nga gjermanët dhe Balli Kombëtar. Nëse ndonjë nga këto informacione do të vinte tek ne, do ta kishim këshilluar atë.
2. Së dyti, në lidhje me qeverinë në Tiranë ajo përbëhet nga tradhtarë të vendit dhe është një qeveri kukull, e manipuluar nga gjermanët, me qëllimin e mashtrimit të shqiptarëve. Me pak fjalë, është një qeveri me kuislinge, e paguar nga pushtuesi për të ndjekur qëllimet e tij politike. Shqiptarët nuk njohin asnjë autoritet tjetër, përveç Lëvizjes Nacionalçlirimtare.
3. Së treti, në dy vitet e fundit ne kemi bërë gjithçka kemi pasur në dorë për të kthyer Ballin Kombëtar dhe zogistët në qëllimin tonë për një rezistencë ndaj armikut pushtues. Të gjitha përpjekjet tona për këtë çështje kanë qenë pa rezultat. Përkundrazi, ata me bashkëpunimin e tyre me pushtuesit tradhtuan vendin e tyre, duke bashkuar armët me armiqtë e Shqipërisë; fashistët italianë e gjermanë. Shtypi dhe propaganda jonë kanë bërë të pamundurën për të kthyer elementët e ndershëm në radhët e Ballit Kombëtar dhe për t’i ndarë ata nga ajo organizatë. Kjo u është drejtuar atyre që nuk janë përfshirë në krime ndaj popullit dhe ushtrisë sonë.
4. Së katërti, gjermanët janë pushtuesit e vendit tonë dhe Europës dhe ne do t’i luftojmë ata deri në ditën e fundit të humbjes së tyre. Në këtë pikë nuk mund të ketë asnjë diskutim dhe asgjë nuk mund të na ndryshojë mendim, që të kthehemi nga qëllimi ynë parësor, i cili është çlirimi i vendit tonë. Ne kemi miq dhe armiq në të gjithë botën. Armiku ynë më i madh është Gjermania hitleriane. Miqtë tanë janë aleatët: Britania e Madhe, Bashkimi Sovjetik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kina dhe të gjithë popujt e vendeve të shtypura nga gjermanët.
5. Së pesti, Britania e Madhe, Bashkimi Sovjetik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina janë aleatët tanë në qëllimin e përbashkët. Çdo zbarkim nga aleatët tanë do të konsiderohet si një hap para drejt çlirimit dhe ne do të vijojmë të luftojmë në krah të tyre. Kjo luftë ka krijuar fronte të pafavorshme. Ne jemi dhe do të qëndrojmë me aleatët tanë deri sa mundja e Gjermanisë hitleriane të jetë përfundimtare.
6. Së gjashti, ne nuk dëshirojmë neutralitet dhe nuk pranojmë asnjë propozim në lidhje me këtë çështje. Nuk mund të ketë asnjë dyshim për bashkëpunim me pushtuesin. Për asnjë moment ne nuk do të ulim përpjekjet tona ndaj forcave pushtuese gjermane. Aleanca jonë me aleatët është e sinqertë, për arsyen se është bazuar në interes të përbashkët dhe reciprocitet. Qëllimi ynë është shkatërrimi i monstrës hitleriane.
Pas këtyre përgjigjeve, majori gjerman shtoi: “Do të ishte një gjë e mirë për ju, nëse do të rishikonit qëndrimin tuaj. Qëndroni neutralë, në të kundërt, ne do të detyrohemi pa dëshirë e gjysmëzemër të dërgojmë dy ose 3 divizione t’ju shkatërrojnë”.
Ne iu përgjigjëm: “Lufta jonë për liri nuk pranon kushte. Ju mund të bëni më të vështirën për të na shkatërruar ne. Me aleatët tanë, ne mundemi t’jua ndreqim ju”.
Duke iu drejtuar zyrtarisht, ne e paralajmëruam se nuk do të konsiderojmë asnjë lloj kompromisi apo të tolerojmë çështjen në fjalë.
Më vonë, majori gjerman bëri disa deklaratë të tjera:
a). Se qëllimi i vizitës së tij ishte vetëm të bënte kërkesa në lidhje me aviatorët e humbur gjermanë.
b). Se qëllimi i udhëtimit të tij nuk ishte për asnjë tjetër qëllim, por që ai personalisht ishte i mendimit se Komanda e Përgjithshme e trupave gjermane, rezidente në Tiranë, do të ishte e kënaqur të dëgjonte kërkesat dhe dëshirat tona dhe që do të ishte gjithnjë dëshira e komandës të njihte statusin tonë dhe të diskutonte këto kërkesa. Në më shumë se një rast ai propozoi që anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm ta shoqëronin atë në Tiranë, në mënyrë që të ishte më bindëse një bisedë e drejtpërdrejtë me gjeneralin gjerman. Për sa i përket kësaj, ai përsëriti kërkesat në respekt të një transferimi të qeverisë drejt partisë sonë, duke mbajtur politikë marrëdhëniesh të mira me gjermanët dhe gjithashtu, pa paragjykuar miqësinë e mirë me anglezët. Ai nënvizoi se nevojat ushtarake të gjermanëve detyrojnë gjermanët të qëndrojnë në Shqipëri. Kur këto nevoja ushtarake të mos jenë më, Ushtria gjermane do të tërhiqej. Për më tej, Gjermania do të ishte përgatitur të jepte ndihmë praktike në organizimin e forcave tona ushtarake.
c). Ai ra dakord të ruajnë sekretin e diskutimeve tona.
d). Nëse ne dëshironim, komanda gjermane do të organizojë biseda me Mehdi Frashërin, ose me çdo personalitet tjetër politik. Natyrisht që ne i refuzuam të gjitha këto propozime, në mënyrën më kategorike të mundshme, dhe duke treguar në të njëjtën kohë, se pasqyrimi privat i qëndrimit tonë mund të konsiderohej prej tyre si qëndrimi ynë zyrtar.
Pas këtyre refuzimeve nga ana jonë, në kërkuam prej tij të konsiderojë zbatimin që dikton ligji ndërkombëtar në lidhje me shkëmbimin e të burgosurve. Gjermanët nuk duhet të bëjnë luftë ndaj popullatës civile, por vetëm ndaj ushtrisë sonë dhe që nuk duhet të djegin dhe plaçkitin, si dhe të mos masakrojë popullsisë civile. Ai i pranoi këto propozime dhe madje sugjeroi draftin dhe shkëmbimin e të burgosurve nëpërmjet një dokumenti zyrtar, i cili do të kishte efektin e një marrëveshjeje në këto linja. Për ndjekjen e formaliteteve të nevojshme, majori shtroi kërkesën e tij që një nga radhët tona ta shoqëronte atë në Tiranë. Këtë e refuzuam menjëherë.
Diskutimet u zhvilluan në një zonë të lirë, asnjanëse, më 20 mars 1944.
Ne presim komentet tuaja në lidhje me përgjigjet tona dhënë për majorin gjerman, së bashku me diskutimet bashkëngjitur. Ne gjithashtu kërkojmë që detajet e këtyre rrethanave të mbahen në Shtabin tuaj të Përgjithshëm. Gjithashtu radio BBC ta transmetojë për shkak të rëndësisë.
Me zell të madh ju kërkojmë që të na komunikoni përgjigjen tuaj në lidhje me kërkesat zyrtare që ju kemi bërë së fundmi.
Duke pranuar përshëndetjet më të sinqerta tonat.
Poshtë Fashizmi, Liri Popullit!
Firmosur nga:
Komisari Politik
Enver Hoxha
Komandanti
Spiro Moisiu

Sekrete britanike në gazetën “Panorama
Prej më shumë se një muaji, gazetari Erald Kapri punoi në Arkivin britanik në Londër duke tërhequr një fond prej mijëra faqesh. Dokumentet i përkasin kohës së Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri dhe disa prej tyre do të botohen ekskluzivisht në gazetën “Panorama”. Ato i përkasin Ministrisë së Jashtme Britanike, Zyrës së Luftës, Zyrës së Kryeministrit Çurçill, si dhe raporte të oficerëve britanikë të ndërlidhjes (S.O.E) që punuan në Shqipëri gjatë luftës. Shkrimet do të shoqërohen edhe me fotografi, shumë prej tyre të panjohura më parë, të realizuara gjatë kohës së luftës nga oficerët britanikë. Dokumentet përshkruajnë aktivitetin e tyre në terren, operacione nga lufta, ditarë mbi zhvillimet në Shqipëri në kampin e Lëvizjes Nacionalçlirimtare, por edhe të Ballit Kombëtar e zogistëve të drejtuar nga Abaz Kupi. Gjithashtu do të zbulohen dokumente që përmbajnë çështje delikate e të shumëdiskutuara të luftës, si përplasjet mes britanikëve dhe Enver Hoxhës, aktiviteti i forcave nacionaliste dhe i forcave që bashkëpunonin me pushtuesin gjerman, portrete të figurave kryesore ushtarake e politike të luftës, furnizimet me ar dhe materiale (armë e ushqime) për rezistencën në Shqipëri, si u çlirua Tirana, operacionet e partizanëve në veri të vendit, përplasjet mes komunistëve dhe nacionalistëve, vlerësimet mbi 3 qeveritë bashkëpunëtore gjatë pushtimit gjerman, politika britanike mbi kufirin dhe regjimin shqiptar pas lufte, raporte mbi eksponentët kryesorë të Ballit Kombëtar, si Mit’hat Frashëri, Ali Këlcyra, Hasan Dosti, Abaz Ermenji etj., si dhe detaje mbi regjimin e egër që vendosën komunistët shqiptarë pas lufte. Arkivi britanik përmban një sasi të konsiderueshme materialesh e dokumentesh mbi aktivitetin e LNÇ-së në luftë. Pjesa më e madhe e tyre janë hapur pas vitit 1972, por edhe në muajit e fundit ky arkiv ka hapur një mori dosjesh të reja, që i përkasin Luftës së Ftohtë.

ERALD KAPRI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura