Energjia, panele diellore në çdo pallat të ri

Feb 26, 2011 | 13:12
SHPËRNDAJE

Rritja e eficiencës së përdorimit të energjisë dhe promovimi i burimeve të rinovueshme, ka qenë kryefjala e seminarit të djeshëm, të organizuar nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore dhe Caritasi shqiptar. Ky takim solli në epiqendër të diskutimeve një seri tematikash të lidhura me energjinë, të cilat u trajtuan edhe në kuadër të strategjisë kombëtare për energjinë. Diskutimet në nivel ekspertësh të ardhur nga Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore nxorën në pah rëndësinë që ka energjia e pastër, konsumimi i saj, duke ndikuar shumë pak në mjedis dhe duke zbutur konsumin e energjisë. Specialistët e AKBN shpjeguan dje mënyrat që ofrohen në Shqipëri për prodhimin e energjisë së pastër duke filluar nga hidrocentralet, energjia diellore, parqet eolikë… e me radhë. Panelet diellorë, të parë si një alternativë mjaft e mirë, si për familjarët edhe për bizneset, u cilësuan si një mënyrë për të cilën duhet të rritet interesi. Sipas specialistëve, koha e vetëshlyerjes së investimit shkon në disa vite dhe ka një kosto disi të lartë, por kjo mund të përballohet përmes një politike kredituese. “Autoritetet lokale të pushtetit vendor, konsumatorët e energjisë në sektorin e banesave dhe në sektorë të tjerë fundorë, duhet të marrin kredi bankare për të paguar investimet në eficiencë të energjisë”, u shprehën specialistët e AKBN. Për pallatet e reja, apo hoteleri investimi në panele diellore si burim i pastër energjie është një zgjidhje mjaft e mirë. Po kështu, në seminarin e djeshëm vëmendja u ndal edhe tek parqet eolike, tashmë të miratuar për ndërtim. Nga ana e specialistëve të AKBN-së u dhanë detaje rreth prodhimit të energjisë nga hidrocentralet, ku mes të tjerash u diskutua edhe rreth hartës dixhitale që po krijohet lidhur me koncesionet me mbështetjen e GTZ-së.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura