Eneida Xhelili: Fëmijëria ime ‘ndryshe’, si mbesa e Pali Miskës!

Apr 30, 2012 | 14:58
SHPËRNDAJE

Paraditet në ekranin e “News 24” kanë imazhin e saj. Prej pesë vitesh, formati televiziv i moderuar nga e “zonja e shtëpisë” Eneida Xhelili ka gërshetuar gjithfarë shijesh të audiencës shqiptare. Fragmente të caktuara që u dedikohen  amvisave duararta, grave shtëpiake apo personazheve të njohura nga sfera publike dhe ajo artistike në vend. Shumë informacione të tjera interesante, që emetohen për një fillim dite ndryshe në “Vila 24”

Po të mos ishte për rrumbullakësinë e lehtë të barkut që i dallohej mbi fustanin e zi që mbante veshur, vështirë të besoja në shtatzëninë e saj. Format e hajthshme, fiziku shtatlartë prej modeleje i linin vend të lirë imagjinatës dhe efektit kromatik “shoh apo nuk shoh”. Ora biologjike trokiti edhe për 35-vjeçaren Eneida Xhelili. Prej pesë muajsh po përjeton në çdo qelizë krijesën e vogël që po formësohet brenda saj. Sikundër çdo përvojë e re që sjell jeta, edhe shtatzënia për të shoqërohet me dozat e enigmatikes dhe kuriozitetit për tiparet që foshnja do të trashëgojë, për sytë e doçkat e vogla. Vajza e njohur e ekranit që ka sprovuar veten në disa lëme artistike, qoftë si aktore në disa shfaqje të sajat sporadike apo si modele në pasarelë, ka siguruar veten se ‘televizioni bën për të’. Rrotacioni gati 14-vjeçar në disa media shqiptare, ndërsa pesë vitet e fundit e pozicionuar këndshëm në “News 24” me emisionin “Vila 24”, janë pasaporta e garancisë për Eneidën që beson në atë që di të bëjë më mirë: moderatoren e një formati televiziv. Por, me gjithë stadin profesional në të cilin ndodhet dhe atë personal si një femër në pritje të të bërit nënë, ajo flet për një tjetër kapitull gati të panjohur për shumëkënd: mbi fëmijërinë e saj, si mbesa e parë e Pali Miskës, ish-anëtarit të Byrosë Politike në kohën e regjimit komunist. Jeta mes zonës së ish-Bllokut në shtëpinë e gjyshërve dhe prindërve të saj, nostalgjia për vitet e fëmijërisë, dhe vitet e vështira të burgosjes së gjyshit që i tronditën pa kushte…
Jeni duke përjetuar një zhvillim të ri në jetën tuaj… së shpejti do të bëheni nënë. Si ndiheni?
Jam në një moment shumë të bukur të jetës sime. Prej pesë muajsh jam shtatzënë. Do bëhem prind, do krijoj familjen time dhe kjo është një kthesë e rëndësishme për mua. Kam kuptuar se njeriu nuk duhet të jepet vetëm pas punës dhe gjërave që e përmbushin. Duhet ecur paralelisht për të gjetur ekuilibrin si në aspektin profesional, ashtu edhe në jetën private. Them se mund ta kisha bërë edhe më shpejt fëmijën, por tani deshi Zoti dhe unë jam më shumë se e lumtur për këtë gjë të mrekullueshme që po më ndodh si mua dhe partnerit, Mondit.
Çka do të thotë se një fëmijë për ju nuk ishte diçka e papritur?
Ishte gjithçka e paramenduar dhe me dëshirë nga të dyja palët.
Lidhja jonë e gjatë gati 10-vjeçare ka kaluar shumë prova për të mbërritur në këtë pikë, ndaj nuk mendoj se një fëmijë do të na luhatë raportin tonë në çift. Përkundrazi, besoj se është gjëja më e bukur që po na ndodh e që do të na bashkojë edhe më fort me njëri-tjetrin.
Sikundër çdo eksperiencë e re dhe e panjohur që vjen në jetë, cilat janë frikërat e fillimit për ju?
Deri tani është këndshëm dhe po e përballoj shumë mirë. Nuk kam ndonjë frikë të madhe që më sundon, sepse nëse e shoh si të tillë, frika më vë poshtë, pa asnjë dyshim. Po e shoh si një zhvillim normal të jetës sime. Sigurisht, është ai kurioziteti i përligjur për ngjashmëritë e tipareve, kujt do t’i ngjajë. Në EKO-t e deritanishme ende nuk e kemi zbuluar gjininë e foshnjës, sepse është i turpshëm (qesh). Në lidhje me partnerin që kam në krah, besoj se ai do të jetë një baba i devotshëm për fëmijën. Mondi më ndihmon shumë, ka një shije estetike të zhvilluar, një pjesë të mirë të detyrimeve familjare i realizojmë bashkë, dhe kjo më jep garanci se do të jetë edhe një prind shembullor. E duke parë gjithë këta faktorë pozitivë përreth, nuk gjej asnjë arsye që të frikësohem për gjësend.
Duke folur për fëmijët, pa dashur bëhemi disi nostalgjikë… Ju jeni mbesa e Pali Miskës, ish-anëtarit të Byrosë Politike përpara viteve 90′. Ç’do të thotë për ty ky fakt?
Unë jam mbesa e parë nga të dy anët e gjyshërve dhe kam qenë e përkëdhelura e tyre. Gjyshit tim i është dashur të punojë shumë për të qenë në ato pozita. Unë e kam parë tim gjysh që t’i mbylleshin sytë nga lodhja, t’i ulej koka në tavolinën e punës pikërisht nga orët e gjata të angazhimeve. Por, gjithsesi ai ka preferuar që në çdo udhëtim që bënte të më merrte me vete, kjo kur ishte e mundur, kuptohet. Ka diçka që e kam trashëguar prej tij – kujtesën e fortë, edukatën e punës, diçka të cilës nuk i kam shpëtuar dot. Më kanë ndihmuar që të jem këmbëngulëse dhe që t’ia dal vetë në jetë.
Një moment mbresëlënës nga kujtimet e tua me gjyshin…
Momente të tilla të bukura ka pasur plot. Por, një nga ato të paharruarat për mua, kanë qenë takimet familjare. Tryeza e madhe e familjes e shtruar plot, ku mblidheshim bashkë të gjithë.
Gjyshi ka qenë më shumë i ikur nga shtëpia për shkak të punës së tij me përgjegjësi, takimet me familjen, daja, teze, kushërinj mbeten momente paharruara për mua. Ditëlindjet, datat e shënuara apo festat e fundvitit na gjenin gjithmonë bashkë. Ka pasur raste kur unë isha e pranishme në paradat festive të 1 Majit apo të nëntorit dhe unë gjithmonë i thosha mësueses që të më linte nga krahu i tribunës, që të mund të përshëndesja me dorë gjyshin.
Kur e ke ndier favorin e të qenët mbesa e Pali Miskës?

Eneida Xhelili me gjyshin, Pali Miska

Gjatë gjithë kohës më kanë shoqëruar shikime të çuditshme. E ndieja që më shoqëronte vëmendja e shokëve e shoqeve, edhe ndonjë zili e vogël. E kam sfiduar këtë gjë, edhe pse shpesh jeta ime ishte e ndarë mes ish-Bllokut dhe shtëpisë së prindërve të mi. I kam alternuar këto të dyja, për të qenë një fëmijë normal që jetoja moshën time, si gjithë shoqëria apo miqtë e mi.
Ashtu si shumë figura të njohura të regjimit komunist që e pësuan për shkak të postit që mbanin, edhe gjyshi juaj nuk bën përjashtim. Si e keni përjetuar burgosjen e Palit?
Kam qenë rreth 17 vjeçe asokohe, kur gjyshin e dënuan me burgim. Bëhet fjalë për fillimin e viteve 90’, diku rreth vitit 1992. Kur u hap procesi gjyqësor për gjyshin, akuzat ishin nga më të ndryshmet, duke nisur me përfitimet nga kafeja kur ishte Ministër i Bujqësisë dhe Ushqimit, për të përfunduar tek akuzat për gjenocid. Procesi nisi në Gjykatën e Shkallës së Parë, dhe ndërkohë që ai zhvillohej për të vërtetuar akuzat, gjyshi bëri katër vite burg. Pafajësia u provua vetëm pas katër viteve, kur vendimi u apelua, pas Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë deri në Gjykatën e Lartë. Nga të gjithë anëtarët e Byrosë Politike vetëm gjyshi im mori pafajësinë në mungesë provash. Në ato momente të vështira, vërtet mund të njohësh se kush janë njerëzit që të rrethojnë.
Pasojat e drejtpërdrejta më pas, persekucioni familjar a ju preku edhe juve?
Peshën e kësaj burgosje e ndjejmë direkt. Pati heqje nga puna. Babai im ishte me pozicion mjek në spitalin Onkologjik dhe e hoqën nga puna. Edhe mamaja e cila punonte në Ministrinë e Financave pati të njëjtin fat. Përveç prindërve, pasoja direkte ranë edhe mbi mua. Ishte periudha kur duhet të konkurroja në fakultet pas përfundimit të gjimnazit. Konkurrova në degën e historisë dhe nuk fitova.
Pse beson se refuzimi i kësaj të drejte studimi lidhej me gjyshin tënd, Palin?
Sepse gjithçka ziente ende. Ishte periudha e turbullirave mes burgosjes së gjyshit, dhe viteve të para të brishta post komuniste. Mua mu desh të prisja edhe gjashtë vite të tjera, pasi mora angazhim që të fitoja një shkollë të lartë. Vendosa të konkurroja në Akademinë e Arteve të Bukura, për regji, dhe fitova. Kemi kaluar momente të vështira si familje, por rëndësi ka që tani vetëm kujtohen. Njeriu përpara ndërgjegjes së tij është i aftë që të bëj edhe disa analiza, sepse fundi i pusit kapet shumë lehtë nëse nuk di që të bësh lëvizjet e duhura me maturi. Na është dashur që të punonim shumë për të ruajtur emrin dhe figurën tonë. Unë nuk e harroj asnjëherë se kush jam, por më pëlqen fakti që tanimë kam emrin tim, pse jo si figurë publike.
Nuk janë të pakta vitet e eksperiencës suaj televizive. Në total 14 vite në media si drejtuese emisionesh, ndërsa pesë vitet e fundit në ekranin e “News 24”. Ç’është ky pasion për ekranin?
Televizionin e konsideroj profesionin tim, të cilin e bëj me shumë dëshirë. Në emisionin tim të mëngjesit gjithnjë jam në xhirime direkte dhe jo me regjistrim. Kjo gjë më tërheq shumë. Emocionet janë më të forta, më të drejtpërdrejta dhe unë përpiqem të ofroj më të mirën.
Modele, regjisore me diplomë, drejtuese emisionesh. Përpos detajit artistik që i bashkon si zhanre, si i keni alternuar të gjitha?
Nuk është se kam zgjedhur ndonjëherë modelingun si profesion. Thjesht më janë bërë ftesa nga agjenci mode, i kam shqyrtuar dhe pranuar si përvoja të reja dhe interesante për mua. Sa i takon aktrimit apo regjisë, kam qenë pjesë e disa shfaqjeve sporadike dhe të rastësishme, por që i kam zhvilluar me shumë dëshirë. Këto zhanre të artit kam qenë e detyruar t’i përjetoja si emocione pas përfundimit të studimeve në Akademinë e Arteve. Përvoja si asistente regjisore tek “Korbi i bardhë” apo interpretimi në tragjedinë e Euripidit “Trojanët” janë përvoja të paharruara për mua. Televizionin e kam nisur më herët, përpara gjithë këtyre eksperiencave të mia. Ndoshta të qenët para ekranit më bëri që ta doja punën time më shumë, për të mos e parë si rastësi, por si profesion. Ndaj, pas 14 vitesh jam ende pjesë e medias dhe ekranit shqiptar.

ERMIRA ISUFAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura