Endri Prifti pas dy vitesh ndarje nga ish-gruaja rrëfehet i penduar

Sep 30, 2012 | 13:12
SHPËRNDAJE

“Nuk kam pasur asnjë femër të denjë që të zëvendësojë ish-bashkëshorten time”

Ka ende statusin “i martuar” në profilin e tij në Facebook, sepse brenda vetes së tij ai ende nuk e ka pranuar ndarjen nga ish-bashkëshortja, Anjeza Kolevica. Këngëtari i njohur korçar, Endri Prifti, pas ndarjes në Gjykatën e Korçës në vitin 2010, nuk ka pranuar të flasë kurrë për mediat në lidhje me ndryshimet në jetën private pas ndarjes nga bashkëshortja e tij e dytë, një femër mjaft simpatike e diplomuar për Pikturë në Itali, dhe nga martesa me të cilën ka një djalë. Dhe natyrisht që nuk kishte asnjë plan të fliste, por shkak u bë një intervistë e shkurtër dhënë për “Panorama Plus” dy javë më parë, ku Endri pyetjes nëse kishte krijuar ndonjë lidhje të re pas ndarjes iu përgjigj me frazën: “Se dua të kem vetëm një të dashur që të vlejë sa për 1 milion”. Nisur nga interesi që shfaqi kjo deklaratë e tij, deri diku idealiste, ai vendosi ta shpjegojë më tej për gazetën “Panorama”, se në fakt fjala është për një femër që mund ta bëjë të harrojë ish-bashkëshorten e tij. Ai tha për gazetën “Panorama” se  “Dua të shtoj diçka më shumë, që shpjegon arsyen pse e dashura ime duhet të vlejë sa 1 milion. Sepse deri më sot nuk ka pasur asnjë femër të denjë që ta zëvendësojë ish-bashkëshorten time. Kur provon dashurinë e vërtetë, është e vështirë të adaptohesh me të tjera. Anjeza ishte 1 në 1 milion, dhe e vetme në tipin e saj”, përfundon Endri.   Ndërkohë këngëtari i njohur i serenatave korçare, Endri Prifti, dihet që është në momentet e tij më të mira profesionale në lidhje me muzikën, ndërkohë që për jetën e tij private pas divorcit është treguar shumë i rezervuar. Por gjithsesi ai ka zgjedhur që të vërtetat e jetës së tij t’i zbulojë me anë të teksteve në këngë. E tillë u komentua balada “Do vazhdoj të flas”, të cilën ai pohoi se ia dedikonte femrës që mban ende në zemër dhe fjala ishte për ish-bashkëshorten. Ndërkohë ai po punon për realizimin e disa këngëve shumë madhështore, që do të shënojnë rikthimin e fuqishëm të vëllezërve korçarë këtë vjeshtë në muzikë. Endri u divorcua nga bashkëshortja në fillim të vitit 2010, pa zbuluar as njëri, as tjetri arsyet e divorcit. Për herë të parë këngëtari u shfaq në publik me ish-bashkëshorten, ndërsa argëtoheshin në ambientet e “Mai Tai” në Tiranë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura