Elivar Golemi kërkon lirinë në Gjykatën e Lartë

Sep 30, 2014 | 12:51
SHPËRNDAJE

Elivar Golemi ne gjyq
TIRANE – Ish-kryeinspektorja e Bankës së Shqipërisë, Elivar Golemi, e arrestuar për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” pas skandalit të vjedhjes së 713 milionë lekëve, kërkon lirinë në Gjykatën e Lartë. Përmes avokatit të saj mbrojtës, Golemi i ka bërë rekurs vendimit të Gjykatës së Apelit, që caktoi ndaj saj masën e sigurisë “arrest në burg”. Rekursi i ish-inspektores Golemi është regjistruar në kryesekretarinë e Gjykatës së Lartë ditën e djeshme. Burime pranë Gjykatës bënë me dije se përmes rekursit, Golemi kërkon prishjen e vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe të Dytë për caktimin e masës së sigurisë ndaj saj. Në rekurs pretendohet se masa “arrest në burg” e caktuar për Golemin nga shkallët më të ulëta të gjyqësorit nuk është në përputhje me kërkesat e ligjit për caktimin e një mase shtrënguese ekstreme. Sipas rekursit, e dyshuara Golemi nuk paraqet rrezikshmëri të theksuar shoqërore, si dhe nuk ekziston rreziku që ajo t’i shmanget hetimit, apo të dëmtojë provat. Në ditët në vijim do të përzgjidhet edhe relatori i Kolegjit Penal që do të shqyrtojë rekursin e Golemit. Ish-kryeinspektorja e Bankës së Shqipërisë u arrestua më 5 shtator, në zbatim të një vendimi “arrest në burg” caktuar në mungesë ndaj saj. Kjo masë u verifikua më 7 shtator dhe 15 shtator u miratua edhe nga Gjykata e Apelit Tiranë. Në vendimin e Apelit arsyetohej se, bazuar në provat e paraqitura, krijohej dyshim i arsyeshëm se vjedhja e bankës mund të ketë ardhur si pasojë e drejtpërdrejtë e moszbatimit të përsëritur të detyrave periodike, nga ana e Departamentit të Kontrollit, i cili drejtohej nga inspektorja e Përgjithshme Elivar Golemi. Përmes këtij argumenti, Apeli vlerësonte se masa e sigurimit “arrest në burg” ishte e nevojshme ndaj saj. ar.ba

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura