Elbasan, dënohen 6 komisionerë të Rrasës, falsifikuan votat

Nov 2, 2012 | 12:14
SHPËRNDAJE
Gjykata e Elbasanit

ELBASAN – Gjykata e Elbasanit deklaron fajtorë duke dënuar me nga 50 mijë lekë gjobë 6 komisionerë të partive të vogla, të cilët manipuluan rezultatet e zgjedhjeve lokale të vitit 2011. Komisionerët e komunës së Rrasës të rrethit të Elbasanit janë shpallur fajtorë për veprën penale të “falsifikimit të dokumenteve dhe të rezultatit të tyre”. Gjykatësja Pajtime Fetahu, në seancën e zhvilluar paraditen e së enjtes, pas kërkesës së prokurorit Binas Nina, vendosi të linte në fuqi kërkesën e organit të akuzës dhe dënimin me gjobë 300 mijë lekë në total të gjashtë shtetasve që ishin komisionerë në komunën e Rrasës në Elbasan gjatë zgjedhjeve të fundit lokale. Gjashtë komisionerët e kësaj komune akuzohen se kanë falsifikuar rezultatin e zgjedhjeve për anëtarë të Këshillit të Komunës më 8 maj të 2011-s. Që nga muaji korrik i këtij viti, Prokuroria kishte çuar për gjykim Fatmir Metën, Nazmi Hidrin, Zyber Trokën, Ilir Ferhatin, Alban Hidrin dhe Petrit Xhelilin, të cilët akuzohen për “trafikim” të votave të dy partive të mëdha, PD-PS, me qëllim për të favorizuar partitë e vogla. Ata, sipas ligjit, rrezikonin të ndëshkoheshin me gjobë nga 10 mijë lekë deri në 5 vjet burg. Më 8 maj të vitit 2011, në komunën Rrasë të qarkut të Elbasanit janë mbajtur zgjedhjet vendore ku është konkurruar dhe është zgjedhur Këshilli i Komunës dhe kryetari i ri. Sipas të dhënave rezultoi se në konkurrim ishin 16 subjekte të ndryshme politike dhe se komuna ishte e ndarë në 4 qendra votimi, konkretisht qendrat e votimit 2584, 2585, 2586 dhe 2587, e administruar kjo nga Komisioni Zonal i Administrimit të Zgjedhjeve Nr. 13. Gjatë procesit hetimor ka rezultuar se në 2 qendra votimi PS-së i ishin hequr nga 30 vota, ndërsa në një tjetër 70 vota. Në disa prej procesverbaleve të tjera kanë rezultuar se nuk ka pasur përputhshmëri mes rezultatit të konstatuar në momentin e numërimit dhe rezultatit në tabelën përmbledhëse. m.s

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura