Ekzekutohet me një plumb 25-vjeçari

Jul 31, 2012 | 14:14
SHPËRNDAJE

Vritet me një plumb në kokë 25-vjeçari. Trupi i pajetë i Leonard Latifit, banor i fshatit Llakatund në Vlorë, u gjet mëngjesin e djeshëm, disa orë pasi ishte larguar pa lënë asnjë shenjë. Burime të Policisë së Vlorës thanë se viktima u zbulua në anë të lumit të fshatit Drithas, disa kilometra larg shtëpisë së tij.
Banorë të zonës, të cilët kanë gjetur pa jetë të riun, kanë njoftuar menjëherë Policinë e Vlorës e cila sapo ka marrë njoftim ka mbërritur në vendngjarje. Pas ekspertizës së kryer në vendngjarje nga ekspertë të krimeve, trupi pa jetë është dërguar në morgun e spitalit të Vlorës. Nga këqyrja e kufomës rezultoi se bëhej fjalë për një krim, pasi në kokën e të riut u konstatua një e çarë e thellë, e ngjashme me atë të shkaktuar nga një plumb arme zjarri. Një e goditur e vetme nga afër ka qenë vdekjeprurëse për të riun, i identifikuar shpejt si Leonard Latifi. Vetë të afërmit e tij kishin dhënë alarmin, të shqetësuar për vonesën e 25-vjeçarit. Ata kanë treguar për policinë se Latifi ishte larguar nga shtëpia një natë më parë dhe nuk ishte kthyer më. Ndonëse kanë nisur ta kërkojnë, nuk gjetën asnjë shenjë të tij derisa morën njoftimin se djali 25-vjeçar ishte gjetur i vrarë në buzë të lumit. Familjarët e viktimës Latifi, i cili i përket komunitetit rom të zonës, thonë se i riu punonte kryesisht në ndërtim, ku të i jepej mundësia, duke ndihmuar në këtë mënyrë familjen e tij për t’u ushqyer. Ata shprehen se Leonardi ishte i qetë dhe s’kishte bërë asnjë debat apo grindje me njeri. Policia dhe Prokuroria e Vlorës kanë filluar hetimet për zbardhjen e ngjarjes së rëndë dhe për të identifikuar autorët e krimit që ende nuk ka një motiv. Në pyetje janë marrë familjarët e Latifit, bashkëfshatarët e tij, si dhe banorë të zonës përreth, të cilët ishin të parët që e gjetën viktimën. Sipas Policisë së Vlorës në komisariat janë marrë 7 persona, po asnjë prej tyre nuk është i dyshuar për ngjarjen e rëndë.
Ekspertët e Kriminalistikës dyshojnë se 25-vjeçari është marrë dhe më pas transportuar deri në breg të lumit. Pikërisht aty është qëlluar një herë të vetme në kokë dhe është braktisur nga autorët e ngjarjes.

VLORE/ QEMAL BIRAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura