Eksplozivi në makinën e italianit, hetohet kromi

Jan 31, 2014 | 13:52
SHPËRNDAJE

Makina e bisnesmenit italian pas shpërthimit
Biznesmeni Compagnoni: Kam konflikt me ish-ortakun në Bulqizë

Eksplozivi i vendosur në makinën e një biznesmeni italian në Tiranë, ka rikthyer sërish vëmendjen te përplasjet për bizneset e kromit.
Pista e parë e ngritur nga Policia e kryeqytetit lidhet me prishjen e ortakërisë së tij në këtë biznes, me një person të arrestuar që prej muajit nëntor. Biznesmeni italian, që administron edhe disa HEC-e të vogla në Tropojë, Lorenzo Compagnoni, për fat të mirë nuk ndodhej në makinë mbrëmjen e së mërkurës, por nuk ka dyshim që ngjarja është një kërcënim real për të. Ai është marrë në pyetje për disa orë menjëherë pas ngjarjes të së mërkurës, kur makina që kishte marrë me qira, tip “Fiat Punto”, me targë AA 501 IC, u hodh në erë me eksploziv, duke treguar dyshimet e tij rreth ngjarjes. Por, sipas Policisë, ky nuk është kërcënimi i parë që një biznesmen italian, pjesë e një kompanie që administron kromin, kërcënohet me jetë për shkaqe konkurrencë. Vitin e kaluar ortaku tjetër italian i Copagnonit u kërcënua me armë në Bulqizë, madje pati edhe të shtëna me armë në ajër. Autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje, Elez M., u denoncua në Polici nga përfaqësuesit e kompanisë italiane të kromit, të cilët deklaruan se kishin pasur mosmarrëveshje për arsye konkurrence. I njëjti person është denoncuar edhe dy ditë më parë nga biznesmeni Compagnoni, i cili dyshon se shpërthimi në makinën që kishte marrë me qira mund të jetë akt i porositur nga burgu, nga i dyshuari Muja. Ndërsa është shprehur se nuk ka konflikte me njerëz të tjerë.  
SHPERTHIMI
Mbrëmjen e së mërkurës, rreth orës 22:00, një shpërthim i fuqishëm u ndje në zonën përreth Rrugës së Kavajës në Tiranë, por edhe më gjerë. Brenda pak minutash u mësua se bëhej fjalë për shpërthimin e një sasie të konsiderueshme lënde eksplozive në një automjet të parkuar në rrugën “Hajdar Hidri”, mes Rrugës së Kavajës dhe “Myslym Shyrit”. Makina me dëme të shumta materiale, tip “Fiat Punto”, me targë AA 501 IC, rezultoi të ishte marrë me qira nga shtetasi italian Lorenzo Compagnoni, i cili rezulton të ketë disa biznese në Shqipëri. Sipas ekspertëve nga vendi i ngjarjes, bëhej fjalë për lëndë plasëse të dyshuar tritol, që ishte aktivizuar me fitil përcjellës dhe ishte hedhur poshtë makinës, në pjesën poshtë sediljes së parë të pasagjerit. Vala e shpërthimit ka qenë shumë e fuqishme, aq sa ka thyer xhamat deri në katet e fundit të dy pallateve, mes të cilave ishte parkuar makina. Por, fatmirësisht, nuk ka pasur asnjë person të plagosur. Vetë biznesmeni i huaj kishte parkuar makinën në vendin ku ndodhi ngjarja, ndërsa po darkonte me disa kolegë në një restorant disa metra më lart, përgjatë Rrugës së Kavajës.

konflikti
Më 13 gusht të vitit të kaluar, Elez Muja pati përplasje me përfaqësuesit italianë të kompanisë “Ital Krom 2000”. Përfaqësuesja italiane e firmës e denoncoi Mujën, duke deklaruar në Polici se kishte probleme me të, si përfaqësues i “Bytyçi” sh.p.k, madje i dyshuari, pasi kishte kërcënuar një prej biznesmenëve me armë zjarri, kishte qëlluar edhe në ajër.

I DYSHUARI
I dyshuari si porositës i vendosjes së eksplozivit në makinën e biznesmenit italian, sipas burimeve nga Policia mund të jetë Elez Muja, i cili është përfaqësues i një kompanie kromi. Emri i tij ka dalë gjatë dëshmisë së italianit, pasi kishte pasur konflikte më të para se Muja të arrestohej në nëntor të vitit të kaluar, kur u kap duke transportuar me kamion një sasi të konsiderueshme kromi kontrabandë.

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura