Ekspertët: Vilson Blloshmi lexon literaturë dekadente e shkruan kundër regjimit

Aug 31, 2011 | 10:56
SHPËRNDAJE
Vilson Blloshmi kur punonte ne kooperative

Në rastin e poetëve të pushkatuar në vitin 1977, përveç dosjes operative dhe asaj gjyqësore të njohura tashmë me emërtimin “Blloshmi-Leka”, ka pasur edhe një të tretë në Sekretariatin e KQ të Partisë. Në numrin e kaluar bëmë publik relacionin e Feçor Shehut, ish-zëvendësministër i Brendshëm për dinamikën e goditjes ndaj veprimtarisë armiqësore të dy poetëve, drejtuar kupolës politike dhe raportin e kryetarit të Gjykatës së Lartë, Aranit Çela, në adresë të Enver Hoxhës mbi disa probleme të dala nga gjykimi i çështjes së grupit armiqësor në Bërzeshtë të rrethit të Librazhdit. Po kaq i rëndësishëm është zbulimi i dokumentit të mbledhjes së Komitetit Zonal të Partisë, ku sekretari i parë, Sotir Koçollari, orienton në formë urdhri verdiktin për pushkatimin e Blloshmit, si kreu i grupit armiqësor. Përtej këtyre vlerësimeve politike, në vijim po zbardhim procesverbalet e ekspertëve letrarë të përzgjedhur nga sigurimi për evidentimin e karakterit armiqësor të krijimtarisë poetike të Blloshmit…

Dosja me akt-ekspertimin e krijimtarisë letrare të Vilson Blloshmit çelet me vendimin e datës 28.9.1976, të hetuesit Ligor Kondili, i cili pas sekuestrimit të dorëshkrimeve të ndryshme të gjetura në banesën e Vilson Blloshmit në momentin e arrestimit, autorizon dy ekspertë të fushës së artit për të identifikuar përmbajtjen armiqësore të tyre. Në shënimin e hetuesit Kondili, bëhet e qartë se ka dhënë për ekspertim letrar poezinë “Saharaja” dhe katër blloqe me poezi e krijime të tjera nga autorë të huaj. Në dokumentet në vijim janë përgjigjet e dy ekspertëve të besuar, të cilët shprehen me hollësi për aspektet dekadente dhe frymën reaksionare të vargjeve të poetit nga Bërzeshta. Po çfarë shkruajnë ata konkretisht…
Përmbajtja armiqësore e vjershës “Saharaja”
Është vjershë hermetike d.m.th e errët nga përmbajtja dhe figuracioni. Është vjershë simbolike dhe vende-vende kalon në alegori (domethënë flet për një gjë dhe kërkon të aludojë për diçka tjetër). Në këtë alegori fshihet një mendim tjetër.
Vjersha hermetike është rezultat i ndikimeve të rrymave letrare dekadente si simbolizmi. Manifestime të figuracionit të errët i kritikoi Plenumi i IV i KQ. Shoku Enver Hoxha në këtë Plenum, midis të tjerave tha: “Në poezi është shfaqur prirja e përdorimit të një figuracioni të errët, në kundërshtim me traditën e poezisë aq të qartë shqipe. Disa të paktë poetë të rinj filluan të adaptonin në poezitë e tyre hermetizmin. Kjo është farë e huaj për letërsinë tonë…”(Raport në Pl. IV, fq 20) Cili është kuptimi i kësaj vjershe hermetike dhe simbolike? Për të kuptuar këtë duhet qartësuar se çfarë kuptimi ka simboli “Sahara” dhe simboli “natë”. Vjersha në fjalë nuk është një peizazh i thjeshtë, d.m.th, përshkrim mbi shkretëtirën e Saharasë Afrikane. Po të qe kështu ajo do të kishte detaje të një shkretëtire, ndërsa këtu përmendet vetëm emri dhe rëra. Së dyti, kuptimin direkt të kësaj shkretëtire me një hapësirë shumë të madhe e ngushton vargu “Saharaja është një copë tokë”. Së treti, dhe më e rëndësishmja është se nuk ka kuptim që njeriu të shkruajë një vjershë për një vend që nuk e njeh, që është jashtë sferës së vëzhgimit të tij. Ky interesim gjeografik, në qoftë se do të supozohej se do të ishte kështu, apo do të pretendohej, është gjithashtu absurd, është pa lidhje. Së katërti, po të ishte ky thjesht një peizazh, atëherë në vjershë nuk do të gjente vend mendimi se kjo shkretëtirë ngrihet si një mallkim, i krijuar prej njerëzimit. Në vjershë del mendimi se ky njerëzim e thërret kujtimin e shkretëtirës kur urren e mallkon. Kjo ka lidhje me atë mallkim që një njeri ia drejton një tjetri, apo një vendi, apo botës duke u shprehur: U shkretofsh! U bëfsh si shkretëtira! Pra, vjersha po të ishte peizazh do të dilte si pjellë e natyrës dhe jo si pjellë e njerëzimit e shoqërisë njerëzore. Simbolikën e vjershës e kuptojmë deri në një farë shkalle, po të kemi parasysh pozitën e vetë autorit të saj. Çfarë qëndrimi mban ai ndaj realitetit tonë socialist? Me çfarë syri e sheh ai jetën tonë? Pakënaqësia ndaj këtij realiteti e bën atë të shpreh mendime dhe ndjenja regresive, nihiliste.
Simboli “Sahara” është në adresë të një vendi të caktuar, përveç shkretëtirës së vërtetë të Saharasë. Atëherë cili mbetet të jetë ky vend, që në vjershë del pa miq e shokë, pa bij e bija? Simboli “Sahara” është sqaruar deri në një far mase me vargun “Saharaja është një copë tokë”, si dhe me detajet “Shkëmb,…e gurë” dhe nata këtu gjen veç gurë për shtrojë” Po kështu edhe në vargun “Saharaja e mban vesh e qesh etj.” kur ai “për keq e mban në gojë” Këtu, “ai”, mbase është fjala për njerëzimin, apo për ata “miqtë e shokët” që Saharaja nuk i ka. Aludimi më i afërt, pra është për një vend të vogël, një copë tokë që është në konflikt edhe me “miqtë e shokët” që nuk i ka dhe me “natën”, me të cilën nuk shkon mirë. Nga fryma e përgjithshme e vjershës, për autorin “kjo copë tokë” pa miq e shokë, është shkretëtirë, e rrethuar nga armiqësia dhe mallkimi, e si një plagë mbi shpinë të rruzullit, ajo i shërben njerëzimit si mallkim që del në momente urrejtjeje. Kjo copë tokë nuk shkon mirë as me natën. Po cila është kjo natë? Çfarë simbolizon ajo? Që nata këtu është një simbol, kjo duket nga detajet: “nata nuk shkon mirë me shkretëtirën”, natës nuk i pëlqen të ketë veç “gur për shtroje”, “perçja e saj e zezë nuk ka ç’të mbulojë”, sepse në shkretëtirë që “është një copë tokë”, “fjalë e dashuri e njerëz nuk ka”, “nuk ka as lot të qajë” “as këngë të këndojë”, “nuk di të ëndërrojë kjo copë tokë” etj… Kështu pra, kësaj cope toke i mbetka vetëm mallkimi, që e thërret nga skuta kujtimi i dehur. Ideja e vetmisë, e shkretëtirës, përsëritet gjatë gjithë vjershës dhe mbyll edhe fundin e saj “Shkretëtirë e shkretë mbetet shkretë”. Po le të kthehemi te simboli “natë” që është në konflikt me simbolin “shkretëtirë”. Shkretëtira, siç thotë vjersha,  ka dy lloj forcash me të cilat nuk shkon mirë: me shokët dhe miqtë që nuk ka dhe me natën. Këtu nata qenka jashtë sferës së shokëve dhe të miqve që “shkretëtira” nuk i ka. Domethënë “nata është një forcë brenda sferës së “Saharasë” dhe, konkretisht, mbi të si perçe e zezë, po që nuk ka se ç’të mbulojë. Simboli “natë” është mjaft i pakuptueshëm. Po të jetë “nata” një forcë që e simpatizon autori, ajo duhej të ishte në rrethin e “miqve dhe shokëve” që nuk i ka kjo “copë tokë”. Atëherë mbetet të jetë një simbol i një force që nuk e do as autori, që për atë është natë. Çfarë mund t’i duket natë në realitetin tonë autorit? Në qoftë se simbolet i qëndrojnë këtij interpretimi, në vjershë aludohet (bëhet fjalë në mënyrë alegorike, të tërthortë) për këtë “copë tokë” të shkretuar, të braktisur, të vetmuar, ku sipas autorit jeta qenka shkretëtirë. Aty nuk ndërtohet asgjë. Bile kjo “copë tokë”, ndieka kënaqësinë (fillon të gëzojë) kur e përdorkan si mallkim. Vjersha ka frymë pesimiste, nihiliste, mohon gjithçka që lidhet me aktivitetin e njerëzve, simbolika e bën atë me një alegori, e cila e bën me një përmbajtje reaksionare. Vjersha ka edhe mjaft vargje pa kuptim, të errët e kontradiktorë, që në fakt shprehin çoroditje, pakënaqësi nga realiteti ynë dhe frikë për të mos e thënë direkt mendimin. Nuk e besoj që vjersha të ketë interpretim jashtë simbolit dhe alegorisë që përdor. Por simbolin ajo e ka vende-vende të pakuptueshëm dhe manovrues.
Eksperti letrar Koçi P.
Librazhd, 20.I.1977
Ekspertim për disa materiale të Vilson Blloshmit
Sot, më datën 29 tetor 1976, në Tiranë, unë, Myzafer Xh, pedagog i letërsisë pranë Universitetit të Tiranës, sipas kërkesës së bërë nga ana e hetuesit të D.P.B Librazhd, Ligor Kondili, me vendimin e tij, datë 28.9.1976, bëra ekspertimin letrar të disa materialeve që i përkasin të quajturit Vilson Blloshmi. Nga eksperimentimi i bërë këtyre materialeve rezulton se: Në këto blloqe ka shënime të ndryshme në formë proverbash, fjalë dhe shprehje të ndryshme të mbledhura andej e këndej të përkthyera në gjuhë të huaja. Këto, si dhe vjershat e ndryshme, fragmentet e shkëputura nga libra të ndryshëm, flasin qartë për një tendencë nihiliste, pesimiste, flasin për mërzitjen, për vdekjen, mohojnë jetën, kuptimin e punës së dobishme. Ja çfarë thuhet në një vend: “Nuk ka asgjë me të vërtetë të bukur, përveç asaj që nuk shërben për asgjë. Gjithçka që është e dobishme është e shëmtuar”. Ose: “Njeriu është lindur skllav, ai është skllav i domosdoshmërisë absolute”. Vjershat në frëngjisht janë të poetëve dekadent, pesimist, regresiv si, Shatobriani, Lamartini, Rembo, Bodler, Syli Predon etj. Nga këta autor, në shqip nuk është përkthyer asgjë, sepse vepra e tyre ka përmbajtje negative reaksionare. Në këto vjersha i këndohet mërzitjes, trishtimit, vdekjes, pabesisë, thuhet se jeta nuk ka asnjë kuptim, u këndohet ideve patriarkale, çdo gjëje të vjetruar, të destinuar të perëndojë etj. Edhe kur është marrë ndonjë citat nga shkrimtarë përparimtarë si Shekspiri, Hygo, Bajron, Gorki etj., është marrë ajo që është më negative. Kështu p.sh përmendet një citat nga Gorki: “Nuk ka njeri që të jetë egoist më i madh se i sëmuri”. Përsa i takon vjershave si “Saharaja” mund të merret në kuptimin direkt, por edhe si aluzion.

Përkthyesi

Dokumenti i përkthyesit Theofan Myshku, i dosjes operative “Blloshmi”, përmban me dhjetëra faqe nga ditari personal i poetit, të përkthyera nga frëngjishtja, por edhe dorëshkrime e fragmente të përzgjedhura nga gjuhë të huaja, për të cilat paraqiste interes organi i akuzës. Shqipëruesi i autorizuar ka bërë vetëm riprodhimin, ndërkohë që të tjerë ekspertë janë përpjekur të deshifrojnë aspektet armiqësore të dorëshkrimeve të poetit të penalizuar për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor.

“Poeti krahason Shqipërinë me shkretëtirën e Saharasë”

Gati e gjithë pjesa e tekstit të pretencës së prokurorit dhe vendimit të gjykatës, me objekt linjën e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor, është përsëritje e rëndomtë e konstatimeve të ekspertëve letrarë për përmbajtjen armiqësore të krijimtarisë poetike të Vilson Blloshmit. Vlerësimet kritike të shkrimtarëve të përzgjedhur nga njerëzit e Sigurimit për skanimin e vargjeve të dyshimta, janë marrë kësisoj të mirëqena, duke u bërë në një farë mënyre edhe përcaktuese për fatin e poetit. Mjafton të kujtojmë si është bërë pjesë e aktakuzës përqasja midis Shqipërisë dhe shkretëtirës së Saharasë, huazuar drejtpërdrejt nga komentet e ekspertit, që është marrë gjatë me frymën reaksionare të vjershës “Saharaja”. Krijimtaria e Blloshmit, shprehet eksperti tjetër, dallon për tendencë nihiliste, pesimiste, përmend mërzitjen, vdekjen, mohon jetën, kuptimin e punës së dobishme. Fjalë për fjalë përmendet kjo në aktakuzën e prokurorit të çështjes…

Si nga përmbajtja e shkrimeve e shënimeve dhe akt-ekspertimet letrare të ekspertëve kompetentë, del se ato janë me frymë thellësisht armiqësore. Disa janë me përmbajtje nihiliste, pesimiste, flasin për mërzitjen, për vdekjen, mohojnë jetën, kuptimin e punës së dobishme etj. Pra i bëhet jehonë çdo gjëje të shëmtuar, negative, regresive në këto shkrime e shënime. Ja se ç’thuhet në një shkrim: “Nuk ka gjë me të vërtetë të bukur, përveç asaj që nuk shërben për asgjë. Gjithçka është e dobishme, është e shëmtuar”. Predispozicioni i madh i këtij të pandehuri për t’i bërë jehonë çdo gjëje negative, del edhe nga një fakt tjetër, sepse edhe kur i referohet ndonjë shkrimtari përparimtar si Shekspiri, Hygoi apo Gorki, gërmon e nxjerr prej tyre pjesët që janë negative, të cilat i kanë mohuar edhe vetë këta autorë në shkrimet e mëvonshme. Kështu p.sh., nga Gorki ka nxjerrë citatin “Nuk ka njeri që të jetë egoist më i madh se i sëmuri”. Nga poeti ynë i Rilindjes, Naim Frashëri, ka marrë citatin “Mos u bën mjaltë, se të hanë mizat”. Shënime të tilla ka disa në blloqet e të pandehurit. Ato i shërbenin si ushqim ideologjisë së tij dhe me to infektonte personat e tjerë të cilëve ua lexonte. Në mjaft shkrime e shënime të tjera pasqyrohet urrejtja dhe ligësia e tërbuar e tij ndaj realitetit tonë socialist dhe fitoreve të arritura nën udhëheqjen e Partisë. Një ndër to është poezia “Saharaja”, me të cilën ai bën aluzion për vendin tonë se “ka mbetur pa miq e shokë”. Pra e konsideron vendin tonë pa miq, diçka të shkretuar, shkretëtirë. Po realiteti ynë flet për të kundërtën. Ne kemi plot miq marksistë-leninistë në të gjithë botën. Vendi ynë gëzon një prestigj të lartë që çdo ditë ngrihet më tej. I pandehuri Vilson Blloshmi, si armik i tërbuar, ka ëndërruar e shpresuar ndryshimin e situatës në vendin tonë, d.m.th përmbysjen e pushtetit popullor. Jetën politike, ekonomike e shoqërore, në bisedat që ka zhvilluar, e nxjerr në kundërshtim të hapur me realitetin e gjërave. Sipas tij, gjoja jeta është e rëndë, normat të larta, shpërblimet të ulëta e nuk mund të përballohet jetesa. Përmbysjen e pushtetit popullor e ka pritur me ndërhyrjen e imperialistëve amerikanë. Këtë veprimtari me përmbajtje armiqësore ai e ka filluar që në vitin 1966, kur ishte nxënës në Shkollën Pedagogjike në Elbasan dhe e ka vazhduar e thelluar më tej duke e gërshetuar me veprime të tjera të drejtuara kundër ekonomisë së rendit tonë socialist, për minimin e bazës së saj, d.m.th.: sabotim. Ka shkruar mjaft poezi që janë në kundërshtim të hapur me realitetin tonë dhe me frymë të theksuar armiqësore, siç janë “Saharaja”, “Një ankth i ligjshëm”, “Jehonë vjeshte”, “Nëse nuk munda brengës t’i bëj ballë”, “Poezi pa titull” etj. Veç këtyre, ka mbajtur në shtëpi, ka lexuar e përhapur libra jashtë qarkullimit, si “Njerëz të rinj, tokë e lashtë” të Bilal Xhaferrit, i arratisur jashtë, librat fetarë “Thelbi i qëllimit dhe udha e shpëtimit”, “Muhameti, profeti ynë”, ka bërë përkthime nga autorë të huaj dekadentë e reaksionarë. Kështu ka lexuar e përkthyer libra të shkrimtarëve dekadentë në gjuhën frënge, si Shatobriani, La Martini, Rembo, Bodler etj. Gjithashtu ka nxjerrë nga autorë të huaj fragmente të shkëputura, të shkruara në shtatë blloqe shënimesh dhe ka mbajtur shënime në një bllok tjetër në formë kalendarike në gjuhën frënge, pa përmendur këtu dy thasë me libra jashtë qarkullit e shënime armiqësore që mundi t’i zhdukë gjatë kontrollit në banesë. Me materialet e shkruara e të përkthyera ai është munduar të helmojë ndërgjegjen e personave të ndryshëm me të cilët ka biseduar. Kurse me të pandehurit Genc Leka e Demir Blloshmi ka pasur për qëllim t’i nxisë, stimulojë e frymëzojë për t’u thelluar në veprimtarinë armiqësore. Veprimtaria armiqësore e të pandehurve Vilson Blloshmi, Genc Leka, Demir e Bedri Blloshmi paraqet rrezikshmëri të theksuar shoqërore në kushtet aktuale kur vendi ynë ndodhet i rrethuar nga imperialistët e revizionistët dhe bllokada e egër e këtyre vendeve. Rrezikshmëria e veprës së kryer është tepër e madhe edhe për faktin se në stadin në të cilin ndodhet vendi ynë, ndërtimi i socializmit kërkon një mobilizim të të gjitha forcave dhe burimeve njerëzore e materiale, në zbatim të detyrave historike të Kongresit të 7-të të PPSH-së dhe porosive shumë të vlefshme që ka dhënë shoku Enver Hoxha në Aktivin e Partisë së rrethit të Vlorës. Në këtë veprimtari armiqësore, Genc Leka e Vilson Blloshmi janë kokat udhëheqëse të grupit. Më e theksuar është rrezikshmëria qoftë e veprës, qoftë si person e të pandehurit Vilson Blloshmi dhe e vëllait të tij, Bedri Blloshmi, të cilët gjatë gjithë procesit kanë mbajtur qëndrim thellësisht armiqësor. Vilson Blloshmi në hetuesi dhe në gjyq, në disa raste manifestoi qëndrim të hapur armiqësor. Nga ana tjetër, edhe pse i ndodhur para fakteve të shumta që e demaskojnë dhe e vënë me shpatulla për muri lidhur me fajin e tij, ai u përpoq t’i shmanget përgjegjësisë duke ngritur lloj-lloj pretendimesh sa të pabazuara, aq dhe absurde.                                                    vijon…

 

AFRIM IMAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura