EKSKLUZIVE/ Mensah: Titulli mbetet i Partizanit, meritoj të luaj më shumë! Ja pse nuk e festova golin

May 6, 2024 | 8:44
SHPËRNDAJE

Partizani ka në skuadër zëvendësuesin më efektiv të Kategorisë Superiore. Alfred Mensah shënoi të shtunën golin e pestë në kampionat, teksa 4 i ka shënuar si i aktivizuar nga stoli. Ganezi ka arritur t’i japë ekipit 13 pikë me golat e tij.

MENSAH

Ganezi dorëzoi Skënderbeun në minutat e fundit dhe zgjodhi të mos festonte kundër ish-ekipit të tij. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Mensah shprehet i lumtur që arriti të ndihmojë ekipin për fitoren e radhës, teksa nuk fshihet kur kërkon më shumë minuta nga trajneri Shehi. Sulmuesi ka bindjen se titulli qëndron në shtëpinë e kuqe.

Alfred, ktheheni të shënoni pas disa javësh dhe e bëni me një tjetër gol fitoreje. Sa i rëndësishëm ndiheni për skuadrën?

Para së gjithash është një fitore kundër një ekipi të fortë dhe shumë e rëndësishme për objektivat e ekipit. Ne punojmë të gjithë për të arritur qëllimin e përbashkët që i vendosim vetes. Unë personalisht pres gjithnjë e padurim që të luaj dhe të ndihmoj ekipin me golat e mi. Ky është prioriteti.

Fitorja e parë kundër Skënderbeut në këtë sezon, por ju vendosni të mos festoni golin. Çfarë vendi zënë korçarët në karrierën tuaj?

Gëzoj respekt të madh për atë klub. Ky që jam sot është edhe prej Skënderbeut dhe ende gëzoj një marrëdhënie shumë të mirë me “Ujqërit e Dëborës”.

A mendoni se keni merituar të luanit më shumë minuta në këtë sezon?

Përgjigja ime është një “po” e madhe. Meritoj të luaj më shumë minuta. Gjithnjë kam punuar fort dhe dua të luaj më shumë.

Vllaznia fitoi gjithashtu dhe mbeteni të tretët, por tashmë Egnatia është pranë dhe mund të synoni edhe kreun. E shihni vendin e parë si synim?

Ne po punojmë fort si një ekip i bashkuar. Nuk do të heqim dorë deri në fund për të arritur objektivat që klubi ka vendosur. Jemi tërësisht në lojë. Nuk kemi përse të mos e kërkojmë edhe vendin e parë dhe më pas në “Final 4” të fitojmë ndeshjet për të mbrojtur titullin.

INTERVISTËN E PLOTË MUND TA LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS PANORAMA SPORT

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura