Efekti domino tek institucionet tona të pavarura

Feb 28, 2014 | 13:17
SHPËRNDAJE

NDRIÇIM KULLA

  Zgjedhjet e 23 qershorit patën një gjë specifike që pothuajse nuk u përmend fare pas përfundimit zyrtarisht të tyre. Këto nuk ishin vetëm zgjedhje ku rezultati nuk u kontestua nga asnjëra palë, se të tilla ka pasur edhe në të kaluarën. Këto ishin zgjedhje ku fitoi opozita duke munguar komplet në institucionin kryesor të zgjedhjeve, që ishte Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Opozita e bëri këtë zgjedhje me dëshirën e saj, nuk u përjashtua nga procesi. Opozita deshi të ruajë në KQZ një epërsi të çastit që u krijua nga kalimi i një partie të maxhorancës në opozitë. Tanimë kjo është një histori e arkivuar dhe nuk ia vlen të diskutohet se cili kishte të drejtë. Por një gjë nuk mund të mohohet. Opozita doli fituese në zgjedhje, madje me një rezultat të thellë, me një KQZ ku mungonin komisionerët e saj. Opozita bëri shumë zhurmë se KQZ me vetëm përfaqësuesit e maxhorancës së mëparshme ishte një institucion i pabesueshëm që do të manipulonte zgjedhjet. Por nuk rezultoi kështu. Dikush mund të thotë se nuk ndodhi kështu se Berisha nuk u kërkoi të emëruarve të tij në KQZ që të vidhnin zgjedhjet, se nuk e lejonin partnerët e huaj që ta bënte këtë gjë. Sidoqoftë, ata që i akuzuan paraprakisht anëtarët e KQZ-së, dhe që do ta kishin të drejtë ta bënin këtë gjë edhe më me forcë nëse do të ishte vërtetuar parashikimi i tyre, kishin detyrim që në mos t’u kërkonin falje, së paku t’i falënderonin zyrtarisht për korrektësinë e tyre. Kështu do të sanksionohej siç e meritonte një vlerë e shtuar e këtyre zgjedhjeve dhe e demokracisë që po ndërtojmë me mundim. Një precedent që tregon se si duhet të punojnë institucionet e pavarura, pavarësisht se cila parti i ka emëruar anëtarët e tyre.
Por opozita që fitoi zgjedhjet nuk e bëri këtë gjë. Ky ishte një paralajmërim i mënyrës se si do të sillej maxhoranca e re me institucionet e pavarura. Në vend që kjo gjë duhet t’ i shërbente opozitës së djeshme që sot është në pushtet, si moment reflektimi mbi marrëdhëniet e maxhorancës parlamentare me institucionet e pavarura, i shërbeu me sa duket për tjetër gjë, si një stimul për zaptimin e institucioneve të pavarura.
Askush nuk ka kundërshtim që me rastin e rotacionit të pushtetit të ketë një dinamikë ndryshimesh të funksionarëve shtetërorë në ato pjesë të administratës ku e parashikon ligji, si garanci për të përmbushur të gjitha premtimet e koalicionit qeverisës. Mundet edhe t’i mirëkuptojmë në një farë mënyre si të arsyeshme të gjitha ato lëvizje nëpër drejtoritë e përgjithshme që emërohen nga Kryeministri. Megjithëse deri tani ende mbetemi të pasqaruar për disa emërime antiligjore, sidomos në Polici, në përgjithësi jemi të përmbajtur me synimin për të qenë një ambient i ftohtë në një lojë politike që ka veç 6 muaj që ka nisur dhe që nuk mund të përmblidhet në një vlerësim të caktuar.
Prandaj nuk duam të dukemi sikur mezi presim rastin për të kaluar në tone alarmante. Se është e vërtetë që në shumë aspekte të jetës sonë institucionale shteti i së drejtës ka arritur të triumfojë, aq më tepër në kushtet e sotme kur jemi në rrugën e integrimit dhe kur faktori ndërkombëtar në Tiranë monitoron çdo shmangie, qoftë edhe të vogël nga axhenda e integrimit. Është e vërtetë se sa herë që ka ndryshime qeveritare, shfaqen tendenca ku më të mëdha e ku më të vogla kërcënimi nga çdo kah, për të prekur integritetin e institucioneve të pavarura në gjithë sistemin tonë. Por risia e gjendjes së sotshme është fakti që maxhoranca zotëron një kuorum prej 84 kartonësh në Parlament, të mjaftueshme për të ndryshuar në mënyrë të njëanshme ligjet organike që rregullojnë funksionimin këtyre institucioneve, të miratuara me konsensus, gjë që përbën një kërcënim real për një funksionim normal të demokracisë. Synimi i parë i maxhorancës së sotme parlamentare duket se është të shkarkojë sa të mundë më tepër drejtues të institucioneve të pavarura, të cilët nuk i ka zgjedhur ajo. Rasti i shkarkimit të drejtueses së ILDKP është një shenjë për këtë. Ka shenja se pas kësaj do të nisë një efekt domino për t’i rrëzuar institucionet e pavarura njërin pas tjetrit, dhe një nga synimet e para është prokurori i Përgjithshëm. Maxhoranca e nisi nga ata drejtues institucionesh të pavarura për shkarkimin e të cilëve nuk duhet firma e Presidentit të Republikës. Simptomatik është rasti i kryetares së Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP), një rast ky i paprecedent që të kujton me dhimbje përvoja të së shkuarës. Ndërkohë që nga shumë eksponentë të maxhorancës, targeti kryesor është shndërruar prej kohësh institucioni kushtetues i prokurorit të Përgjithshëm. Vërtet që një shkarkim i tillë është një përpjekje jo vetëm e mundimshme e shumë komplekse, se kërkon miratimin edhe nga vetë Presidenti, por ç’është më e rëndësishmja, është një përpjekje joproduktive, energji-shprishëse dhe që shkon në kah të kundërt me prioritete që ka vendi dhe shoqëria shqiptare.
Maxhoranca e di se pengesë për të shkaktuar një efekt domino në spektrin e institucioneve të pavarura do t’i bëhet Presidenti Nishani, i cili nuk do të firmosë shkarkimin e atyre drejtuesve të institucioneve të pavarura, në rastet kur për këtë gjë kërkohet firma e tij. Qofshim të gabuar, por na duket se atëherë maxhoranca do ta shfrytëzojë mbrojtjen që do t’u bëjë Presidenti i Republikës institucioneve të pavarura, për t’u kthyer kundër tij dhe për të kërkuar shkarkimin e tij. Meqenëse për shkarkimin e Presidentit kërkohet kuorum prej 94 votash në Kuvend dhe konfirmim i vendimit të Parlamentit nga ana e Gjykatës Kushtetuese, maxhoranca po bën përpjekje për të siguruar edhe kuorumin prej 94 kartonësh që i duhet për ndryshimet kushtetuese. Sigurisht që qëllimi kryesor për të cilin po kërkohet të arrihet ky kuorum nuk është shkarkimi i Presidentit të Republikës, por kontrolli i spektrit të institucioneve të pavarura.
Në këtë situatë nuk është pa vend të shprehet alarm. Nisur nga këto shenja, nuk ka asgjë të keqe që në kuadrin e një debati të duhur e cilësor politik dhe profesional, të diskutohet edhe për ecurinë dhe mbarëvajtjen e institucioneve të pavarura, që shërbejnë si shtyllat mbi të cilat mbahet ngrehina e shtetit ligjor, pa të cilën nuk ka demokraci funksionale. Prandaj është mjerim intelektual i ardhur nga një etje e papërmbajtur për pushtet, që të kërkosh me frenezi e lojë sofizmash juridike, le ta zëmë shkarkimin e prokurorit të Përgjithshëm që ka veç një vit në detyrë, pa bërë ndërkohë një bilanc të plotë të trashëgimisë së mëparshme 5-vjeçare të këtij institucioni dhe pa arritur në përfundimet e duhura krahasuese për punën e bërë dhe për reformimin cilësor që po kryhet. Thirrje të tilla të ethshme që të sjellin nëpër mend ato të një revolucioni, s’janë aspak të nevojshme për drejtësinë tonë, pasi ajo duhet të udhëhiqet më shumë nga urtësia juridike dhe konsolidimi i praktikave teorike. Që tani ka shenja se presioni ndaj Drejtësisë ka filluar të funksionojë dhe kjo duket se për çështje të ngjashme ka dy standarde. Një funksionar i lartë i pushtetit lokal gjykohet në gjendje të lirë dhe tjetri arrestohet, ndonëse akuzohet për gjëra dukshëm më pak të rënda se i pari. Ndryshimi mes tyre është se i pari i përket maxhorancës parlamentare dhe i dyti opozitës. Një gjendje e tillë nuk mund të vazhdojë.
Pikërisht kur ne mendonim se përgjatë disa viteve kishim arritur të krijonim vlera të demokracisë sonë dhe të shtetit ligjor meqenëse ligjet organike që rregullojnë këto marrëdhënie gjatë një dekade e gjysmë nga miratimi i Kushtetutës, janë hartuar dhe miratuar në bazë të një konsensusi të plotë, qoftë edhe formal, mes dy partive, si dhe procedura të njëjta janë ndjekur edhe për Avokatin e Popullit apo disa përfaqësues institucionesh të pavarura, kemi papritur një kthim pas. Nuk mund të mos shqetësohesh shumë dhe të pyesësh se përse vallë ethe kaq të forta për të shkatërruar kodet rregullatore që harmonizojnë aktivitetin kushtetues të këtyre institucioneve?
Aq më tepër kur jemi në vitin në të cilin synojmë, por dhe kemi shpresë të madhe për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE. Prandaj kam mendimin tim personal që ta shpallim vitin 2014 si vitin e mbrojtjes së institucioneve të pavarura nga çdo tentativë për të dëmtuar apo asfiksuar rolin dhe cilësinë e funksionit të tyre kushtetues. E theksoj shumë këtë fjalë të fundit, pasi është pikërisht cilësia ai imperativ që kërkohet në këto kohë, jo vënia në diskutim e pavarësisë. Institucione të tilla duhen konsideruar gjithmonë si tempuj të shenjtë në hapësirat institucionale të demokracisë dhe shtetit ligjor. Ndërkohë që në vijim të këtij figuracioni, Presidenti mund të shihet si Ati i Shenjtë që vigjilon mbi këta tempuj të shtetit ligjor.
Me këtë tagër dhe me prerogativat e tij kushtetuese, Presidenti është i përkushtuar për të qenë gjithmonë rojtari i pavarësisë së institucioneve të pavarura, në mënyrë që përreth tyre të mbizotërojë ajo klimë qetësie, sigurie dhe qartësie që do t’ju mundësojë atyre realizimin e atyre që tani e kemi bërë zakon t’i quajmë detyra shtëpie që na ka dhënë Bashkimi Europian për axhendën e integrimit. Një prej këtyre detyrave shtëpie, madje nga më të rëndësishmet, është konsolidimi i institucioneve të pavarura. Qeveria nuk mund të realizojë pjesën e saj të detyrave të shtëpisë sa i përket luftës ndaj krimit, korrupsionit apo realizimit së objektivit të shpallur të saj për vendosjen e drejtësisë sociale në vend, nëse në vend nuk ekzistojnë dhe funksionojnë institucionet e pavarura.  
Të gjitha institucionet e pavarura, me fizionominë dhe detyrimet e tyre, kanë një rol specifik për mbarëvajtjen e punëve të vendit, por disa prej tyre, për vetë afërsinë e interesave, janë më të ndjeshme e më të prekshme për publikun. Ndaj, në imazhin e përgjithshëm, koordinimi dhe bashkërendimi i punës së tyre ka po të njëjtën vlerë perceptimi sa dhe rritja e cilësisë së punës së secilit. Ndaj, duhet të theksuar mbi të gjitha harmonizimi dhe kohezioni i funksionimit dhe marrëdhënieve të disa prej këtyre institucioneve në objektivat dhe reformimin e tyre perspektiv.
Gjykata e Lartë është ajo tek e cila janë drejtuar të gjithë projektorët e shqetësimit tonë final për mbarëvajtjen e punës së qytetarëve. Sot ka një projekt të shpallur të maxhorancës parlamentare për t’i ngarkuar Gjykatës së Lartë edhe punën e Gjykatës Kushtetuese. Qëllimi nuk duket se është mbarëvajtja e punëve, siç pretendohet, por shkrirja e Gjykatës Kushtetuese, dhe me rastin e reformës të vendoset edhe kontrolli mbi Gjykatën e Lartë të riorganizuar, duke u shtuar numri i anëtarëve të saj. Përpjekjet për të na bindur se Gjykata e Lartë do të bëjë edhe punën e Gjykatës Kushtetuese, sipas modelit amerikan, nuk na duken bindëse. Aleatët tanë amerikanë kanë shkuar edhe në Hënë me anije kozmike, por kjo nuk do të thotë se ne do të përpiqemi të bëjmë këtë gjë. Atë punë që në SHBA e bën një gjykatë e vetme, ne duhet të përpiqemi që ta bëjnë dy gjykata sa më mirë që të jetë e mundur. Kështu do t’ i afrohemi Amerikës për aq sa mundemi pa kërkuar që ta imitojmë edhe për vajtjen në Hënë. Gjykata Kushtetuese nuk është vetëm Gjykata që merret me çështjet e mëdha teorike të bazueshmërisë kushtetuese të ligjeve, por shpesh jep përgjigje edhe për kazuse të përgjithshme të gjykatave të thjeshta. Në hierarkinë tonë juridike ajo ka një funksion shumë të rëndësishëm, ndaj shpesh sulmohet nga politika e ditës në mënyra nga më të tërthortat.  
Në sistemin institucional të Drejtësisë që duam ta perfeksionojmë, Prokuroria e Përgjithshme duke qenë organi më i centralizuar në sistemin tonë juridik, ka detyrimin për t’i mbajtur prokuroritë lokale të rretheve gjyqësore sa më larg nga valët e politizimit, që përsëritet në mënyrë ciklike. Në këtë fushë nuk mund të mohohet se titullari i sotëm i këtij institucioni ka bërë përparim të madh, në krahasim me të shkuarën, pavarësisht se nga kush është zgjedhur. Kjo duhet parë edhe si një arritje e tij personale. Nëse maxhoranca do vërtet një Prokurori të pavarur, apolitike, duhet ta mbështesë ekipin e sotëm drejtues të saj me çdo mënyrë të ligjshme të mundur dhe ta inkurajojë në sfidën për të kërkuar rritjen e integritetit dhe profesionalizmit të çdo anëtari. Vetëm cilësia dhe ndërgjegjja e lartë morale dhe etike janë antidotet e mbrojtjes nga çdo presion, e në këtë lloj reformimi.
Një tjetër institucion i pavarur, Kontrolli i Lartë i Shtetit, vërtet drejtohet sot nga një njeri që vjen nga një e kaluar politike me krahun e kundërt të maxhorancës së sotme qeverisëse, por nuk mund të mohohet se ka qenë vetë maxhoranca e sotme e cila kur ka qenë në opozitë e ka çmuar titullarin e sotëm të këtij institucioni për qëndrimet e tij të pavarura brenda forcës së tij politike. Vetë përzgjedhja e tij për postin që mban sot u bë nga ana e një Presidenti që sot është aleat politik i Kryeministrit të sotëm. Kallëzimet që ka dërguar në Prokurori titullari i këtij institucioni ndaj zyrtarëve të ish-partisë së tij janë më të mëdha në numër se ato që kanë dërguar të gjithë paraardhësit e tij të marrë së bashku në 15 vjet, të cilët qenë të gjithë të zgjedhur me votat e së majtës në Parlament. Si rezultat i punës së mirë të drejtuesve të këtij institucioni është bërë e mundur që dëmi ekonomik i zbuluar në dy vjet, 2012 dhe 2013, të jetë dy herë më i madh se tri vitet e marra së bashku, 2009, 2010 dhe 2011. Po ashtu numri i kallëzimeve penale të bëra gjatë harkut kohor të dy viteve, 2012 dhe 2013, të jetë katër herë më i madh se tri vitet e mëparshme. Asnjëherë ky institucion nuk ka qenë më i pavarur se me këtë titullar. Mund të bëhet më shumë megjithatë për bashkërendimin e përpjekjeve të këtij institucioni me Bankën e Shqipërisë për misionin e tyre të përbashkët, por edhe me Inspektoratin e Lartë të Deklarimit të Pasurive, një institucion vazhdimisht në qendër të përpjekjeve për zbardhjen e pasurive të paligjshme të shtresës së politikanëve. (Pavarësisht goditjes që mori ky institucion.) Të tria këto institucione të pavarura, nëse ndërvaren nga qëllimi i përbashkët i mbrojtjes së parave të taksapaguesve dhe i pasurisë publike në përgjithësi, do të jenë jo vetëm më funksionale, por edhe më të çmuara dhe më të vlerësuara në sytë e publikut. Do të ishte një dëm i madh për shoqërinë tonë, demokracinë dhe shtetin ligjor sikur edhe mbi këto institucione të pavarura të kërkohej të zbatohej efekti domino për të cilin kam folur më lart, ashtu siç duket se do të tentohet të bëhet me të tjerat. Kushdo që do të marrë guximin që t’i shikojë institucionet e pavarura si një varg dominosh që ai mund t’i rrëzojë me një të goditur të gishtit, duhet ta dijë se tri dominotë e fundit që do të bien në mënyrë të pashmangshme do të jenë shteti ligjor dhe demokracia, dhe pas tyre edhe axhenda e integrimit europian.
* Ndihmës i Presidentit

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura