Edi Rama e Kumbaro prezantojnë drejtorët e rinj

Oct 31, 2013 | 14:45
SHPËRNDAJE

Edi Rama dhe Mirela Kumbaro gjatë prezantimit të drejtorëve të rinj, të Galerisë
Kombëtare të Arteve dhe të Teatrit të Operës dhe Baletit
Përpara një komuniteti artistësh, Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, prezantuan dje në ambientet e Kryeministrisë drejtorët e rinj, të Galerisë Kombëtare të Arteve dhe të Teatrit të Operës dhe Baletit. Duke prezantuar artistët Ilir Kerni dhe Artan Shabani, pa harruar të përmendë edhe kontributin e drejtorëve të mëparshëm, Kumbaro premtoi se kjo është pjesa e parë e një reforme shumë më të thellë që do të përfshijë artin dhe kulturën. “Jo thjesht duke ndërruar drejtuesit, secili lë gjurmën e vet dhe ndërton pjesën e vet të historisë, por reforma në sistem, koncept, kulturë për artistët, krijuesit e sidomos për të rinjtë. Kultura dhe institucioneve të artit t’i hapen të rinjve, edhe si një element shumë i rëndësishëm edukues”, tha ajo. Te reforma në të gjitha institucionet e artit dhe kulturës u ndal edhe Kryeministri Rama. “Jam plotësisht i angazhuar për një reformë tërësore e rrënjësore të institucioneve, ku sot ndihen e preken ngado gjurmët e një rrënimi të papranueshëm. Sikur të mos ishit ju, njerëzit e talentuar dhe protagonizmi individual i tyre në botën e brishtë e të varfër e fare të braktisur, ku jeton krijimtaria juaj, politikat rrënuese kulturore të këtyre viteve do e kishin shkretuar mjedisin tonë të artit”, tha ai.
Rama ka falënderuar dy artistët Kerni e Shabani, që u kthyen në Shqipëri për të dhënë kontributin e tyre, duke u drejtuar edhe një apel të gjithë atyre njerëzve të suksesshëm që jetojnë jashtë vendit, që të kthehen, pasi Shqipëria ka shumë nevojë për ta. Duke shprehur besimin e tij në aftësitë e dy artistëve, Rama u shpreh se “janë të dy para përgjegjësisë së madhe të dhënies së një kontributi kyç, sigurisht mes të tjerësh dhe bashkë me të tjerë natyrisht për krijimin e një hapësirë artistike shqiptare si referencë e re, në hartën kulturore të Europës Juglindore. Koha do të provojë deri në fund vlerën e zgjedhjes së bërë nga ministrja dhe të mbështetur me shumë entuziazëm edhe nga unë, ashtu sikundër do të provojë dhe dobinë e politikave tona të reja kulturore, që po konceptohen dhe do të formësohen në dialog me komunitetin”. Rama e quajti një takim të shpejtë dhe jashtë protokollit atë të djeshmin, duke premtuar të tjera takime, ku të debatohet për çështje të rëndësishme të artit e kulturës. Të ndodhur përpara Kryeministrit, por edhe kolegëve artistë, me të cilët do të ndajnë orë të gjata pune, Ilir Kerni e Artan Shanani nuk kish si të mos ndiheshin të emocionuar. Teksa thotë se gjithnjë e kishte parë me “xhelozi” punën e bërë nga Edi Rama në Tiranë, Kerni thotë se shumë punë e pret përpara. Ndërsa Shabani, pasi falënderoi për besimin që iu dha, u shpreh se tashmë është puna që do të tregojë detyrën e tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura