Edhe një herë për episodin e Vjenës

Apr 30, 2013 | 12:41
SHPËRNDAJE

MENTOR NAZARKO

Episodi i verdhë i veshit të shkulur në Akademinë Diplomatike të Vjenës më në fund u ndërkombëtarizua. Këmbëngulja e Sali Berishës, Kryeministrit të vendit për ta zmadhuar rëndësinë e një akti të caktuar të kreut të opozitës ndaj një diplomati, jo rastësisht i biri i një diplomati tjetër që ka stërkaluar moshën e pensionit, më në fund i dha frytet e veta. Gazeta më e madhe austriake, “Standard”, shkroi për incidentin. Natyrisht, shkroi duke i dhënë pozicionet e dy palëve, por deri disa ditë pasi incidenti kishte ndodhur, “Standard” nuk e kishte bërë, pra nuk i kishte dhënë rëndësi incidentit në fjalë. Me të njëjtën mënyrë arsyetimi as autori i këtij shkrimi nuk u mor me këtë incident për ta komentuar, derisa “Standard” shkroi. Hyrja në lojë e medias austriake e bëri serioze çështjen.
Dhe mbërritëm këtu tek ai që është momenti më i ri i këtij incidenti. Zhurma e bërë rreth incidentit, iniciativa e shumicës për të ngritur një komision parlamentar, e ngritën rangun e incidentit në fjalë. Pra, derisa nuk kishim iniciativën e komisionit, media austriake nuk u mor me këtë incident. Çka është vërtetimi më i mirë se incidenti nuk kishte vlerën që i dha PD-ja. Nëse do të ishte i vërtetë versioni që i dha PD-ja ngjarjes, pra që Rama dhunoi një diplomat shqiptar në sytë e audiencës austriake, ky vërtet do të ishte skandal që do të tërhiqte vëmendjen e medias të atij vendi në kohë reale.
Në interesimin e medias austriake ka ndikuar me siguri dhe mbajtja me çdo kusht e vëmendjes së medias shqiptare rreth saj, me protagonizmin e PD-së, përkatësisht zotit Berisha. Gjithë interesimi i kësaj medieje pranë organizatorëve austriakë, jo një herë, por disa herë, me siguri i ka bërë të çuditen ata. I ka shtyrë me siguri të rrjedhin informacion drejt mediave të tyre sipas këtij versioni: “Pa shih ç’po ndodh me Shqipërinë. Ne bëmë një konferencë me kreun e opozitës së saj, dhe diçka duhet të ketë ndodhur – megjithëse ne nuk e pamë – me dikë i cili nuk ka qenë i ftuar prej nesh -, sepse atje po krijojnë komision parlamentar hetimor për ngjarjen etj., etj.”.
Me një konstatim si ky është krejt e qartë se kush e ka cenuar imazhin e vendit në Austri.
Por vijon logjikisht një pyetje tjetër: çfarë bëri vetë Edi Rama: a nuk e cenoi ai këtë imazh? Për të kuptuar se çfarë bëri Edi Rama nuk duhet me siguri t’i referohemi versionit të ngjarjes që PD-ja apo Ministria e Jashtme shpërndanë për publikun vendor, por që përfundoi siç e thamë dhe për publikun austriak. Duhet t’i referohemi asaj që thotë i interesuari i drejtpërdrejtë: diplomati Egin Ceka. Ai thotë se Rama më dhunoi “duke më shkulur veshin dhe flokët, aq sa mund të hapej krahu”. Është në të drejtën e tij të përcaktojë se çfarë është dhunë ndaj personalitetit të tij. Ky version i ngjarjes, megjithatë, është shumë i ndryshëm nga ajo që thotë PD-ja dhe mbi të cilin u ngrit dhe komisioni hetimor.
Dhe këtu vijmë te një pikë tjetër e rëndësishme, meqenëse ky komision u ngrit.
Çfarë versioni do të tregojë zoti Egin Ceka para komisionit, sepse është veprimi më logjik që ai të thirret për të dëshmuar? Versionin që do PD-ja, apo versionin minimalist që ai tregoi për mediat? A do ta deformojë ai versionin e vet në favor të qëndrimit në Vjenë tanimë në misionin tjetër të Shqipërisë atje? A do të ndikohet dhe nga presioni i babait, i cili me të vërtetë e tejkaloi shumë imazhin e profesor Cekës që njohim me letrën e tij të hapur, tërësisht të pajustifikuar për djalin e vet 37 vjeç dhe që s’kishte nevojë për proteksionizmin e tij publik? Kjo do të ishte sfida më e madhe për të dalluar një sojli nga një sojsëz, nëse do t’i mbahemi dikotomisë së shpikur nga zoti Ceka. A do të vazhdojë ai të viktimizohet deri në pikën e fundit, apo do t’i mbahet versionit që ka shpërndarë vetë për mediat?
Dhe një konsideratë të fundit.
Pas gjithë kësaj zhurme të madhe rreth incidentit të Vjenës, që falë protagonizmit të Berishës u ndërkombëtarizua, del një mësim i madh dhe për zotin Rama. Ngjarja e vërtetë me siguri është zmadhuar, o prej ndjeshmërisë së madhe të një individi, pinjoll i elitës kulturore dhe politike të Tiranës, o prej pragmatizmit të tij, nevojës për një karrierë të caktuar. Madje ajo ka predispozitën të zmadhohet akoma nëse ky rrëfim i tij personal do të tentojë të barazohet me versionin që dha Ministria e Jashtme apo Berisha rreth saj. Po besojmë këtë shpjegim të episodit të Vjenës, dhe jo që zoti Egin Ceka ka dashur ta provokojë qëllimisht kreun e opozitës. Por sido që të jetë, kreu i opozitës duhet të kuptojë se në këtë periudhë që i mbetet duhet t’u rrijë larg provokacioneve të vërteta apo të zmadhuara. Ai duhet të kuptojë se ka përballë politikisht dikë që nuk shmanget para asgjëje nëse duhet të shkatërrojë kundërshtarin e vet politik. Me atë që ka bërë ndaj diplomatit Egin Ceka, zoti Rama pafalshmërisht e ka errësuar sadopak imazhin e krijuar me atë vizitë vërtet të nivelit të lartë që arriti në Vjenë, duke takuar Presidentin austriak që Berisha nuk po arrin ta takojë dot, së bashku me krerë të tjerë shtetesh, hiq vendet fqinje. Ka plot proverba që e përcaktojnë më së miri pasojën e këtij incidenti të vogël në një vizitë të madhe.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura