E para ishte fjala: Adi Krasta dhe Ina Rama

Jan 31, 2012 | 11:52
SHPËRNDAJE

MIRELA KUMBARO

Dy ngjarje ma shënjuan fort javën që sapo u mbyll: spektakli i Adi Krastës të dielën e 22 janarit në mbrëmje dhe përballja e Ina Ramës me publikun të enjten në darkë, ku vetëm opinione nuk kishte.
“E PARA ISHTE FJALA”
Kështu quhej kartëvizita, fort joshëse për mendjet, me të cilën na mirëserdhi Krasta në sallën e madhe të Pallatit të Kongreseve mbushur me padurim. Dekori prej kornizash Art déco, sa i përmbajtur, aq edhe i ngrohtë, të fuste në atmosferën e gjysmës së parë të shekullit të shkuar, duke zvogëluar e fshehur hapësirat pllakatë të sallës komuniste ku ende mblidhen kongrese gjithfarë. Mirë e kishin bërë që e kishin zvogëluar gojën e balenës që përndryshe mund ta gllabëronte Pinokun e mirë Krasta. Ajo e bandës “Gasper Çuçia” ishte e muzika e duhur për të shoqëruar fjalën e Pinokut që tha vetëm të vërteta, nga ato që i themi të gjithë, çdo ditë, por pakkush ka guximin t’i performojë në gojën e balenës. Ai hyri nën një dritë të zbehtë, krejt afër publikut për të na thënë se atë mbrëmje donte të rrëfehej si asnjëherë më parë, se për këtë kërkonte edhe besë. Ne i dhamë fjalën. Ka shumë gjasa që t’ia kishim dhënë atë përpara se të na i kërkonte. Ai me fjalën tonë bëri spektakël. I dha forcë e na lexoi mendjet kritike ndaj kohës që jetojmë; ngriti zërin dhe kërkoi ndryshimin; zhongloi me fjalën dhe na bëri të qeshim; thumboi majtas e djathtas qeverinë e djathtë e i vuri kufirin te thana opozitës së majtë; vuri gishtin artistikisht intelektual mbi plagët e sotme e mbi haraçet e së shkuarës; lau gëzueshëm hesapet e veta e ato të shoqërisë; ca fjalë i tha vetë e për ca të tjera përdori me mirësjellje miqtë e ftuar; vendosi rekordin e tolerancës dhe të emancipimit mendjehapur duke i dhënë hapësirë personazhit të famshëm homoseksual që vinte nga Italia, Platinette (Mauro Coruzzi), e/i cila/i bëri hapur pyetje, të cilave Krasta iu përgjigj në mënyrë elegante e simpatike me faktin e thjeshtë e kuptimplotë që i lejoi të ngriheshin si të tilla. Plot dy orë kërcyen e dëfryen fjalët e Krastës mbi skenë e ngacmuan shpirtin tonë kontestator, zgjuan guximin intelektual të duartrokitësve, u dhanë zemër atyre që shihnin rrotull para se të shprehnin entuziazmin ndezur nga batutat e Krastës. E në fund, a thua se u kujtua që e kishte “tepruar” me fjalën, e mbylli duke deklaruar se pasi tha aq shumë gjëra, kishte vendosur të hynte në dietë: “Nuk do ha më m…! E thashë më në fund këtë fjalë të guximshme që në 22 vjet karrierë nuk kam guxuar ta them!». Ndërsa unë ende nuk po e marr guximin ta them. Të dielën në mbrëmje Krasta nuk këndoi si Çelentano, por fjala e tij ishte rock. Fjalëkrasta e shkruar, e folur, e qeshur, e hidhur, e hapur dhe e fortë kërkoi ndryshim, të mendjes, të qeverisjes, të liderëve. Dhe publiku që e ndoqi fjalë pas fjale e duartrokiti fort, e pëlqeu shumë, e ndjeu afër dhe ia mbajti fjalën e vet, fjalën e tij, fjalën tonë. Se e para ishte fjala!
INTERMEZZO
U mundova ta ruaj shijen e mirë dhe guximin gazmor që më krijoji ajo mbrëmje mes fjalës dhe miqve, por java që nisi ishte kaq e ngarkuar me ngjarjet dhe kaq e rënduar nga politika, saqë e ndieja se po më kalonte shpejt efekti bamirës i fjalës së parë. Në ekranet e debateve të klonuara, të intervistave të shumëfishuara të po atyre njerëzve që na dhunojnë përditë me gjithëprani agresive, thuhej fjala e fundit.
DHE TANI INA RAMA
Të enjten në darkë zgjodha pa asnjë dilemë të dëgjoja sy e veshë njeriun ndoshta më të anatemuar të vitit, prokuroren e Përgjithshme të Republikës. Zor se gjendet një tjetër femër që t’i ketë hapur më shumë punë makinës së baltës, mbi të cilën fjalët të jenë kthyer më shumë se aq në gurë, pluhur, plehra, llucë e batërdi. Kërkoj e nuk gjej dot një personazh tjetër femëror të kombit tonë që këtë vit që shkoi, madje edhe në vitin më parë, hollë-hollë, kur e mendoj, as vitin pararendës nuk ka një tjetër si ajo që të ketë marrë rekordin e rrufepritëses. E paaftë profesionalisht (kush e votoi në atë post xhanëm!), intrigante kulisash (sa e zonja paska qenë!), komplotiste me çadra, puçiste me stilolapsa (helmi dhe pistoleta më ranë rrugës), aktore e dështuar (duhet të na kenë bërë veshët me atë historinë e Silvia Kontit), lavire bulevardi (ashtu… bulevardi, përsërisnin ca zëdhënës sqimatarë të Kryeministrit), që dilte nga sqetulla e Presidentit (po këtë vetë kush e votoi?) dhe lyente thonjtë në sallonin e opozitës (së cilës sapo i hoqi tri imunitete)… Të më ndjeni, e di që lista është shumë më e gjatë se kaq, por nuk mundem më, se kam respekt për Fjalën dhe dua ta emancipoj atë, e jo ta lë peng të ligjëratave që (nuk) mbarojnë me “… e dini vetë ju!… e dinë vetë ata që duhet ta dinë!…”. Unë dua që fjalën t’ia jap mendjes së kthjellët, dhe jo skutave të errëta.
Ne jemi ende në një stad primitiv, u thoshte profesor Xhevat Lloshi, po këtë javë, studentëve të mi në një leksion të përbashkët mbi përkthimin, teksa u shpjegonte se mallkimet që ne përdorim rëndom duke besuar thellë brenda shpellave të shpirtit se do të bëhen realitet, kanë 300 vjet që nuk i gjejmë më në anglishten, frëngjishten, gjermanishten e sotme të vendeve zhvilluara; kjo është arsyeja pse janë të vështira për t’u përkthyer… Kjo duhet të jetë, besoj, edhe arsyeja pse ambasadori amerikan (të tjerët i venë pas) priti një vit sa të dilte krah kryeprokurores për të thënë fjalën e vet, atë që duhej të ishte e para. Ka pritur, me sa duket, sa i kanë përkthyer gjithë atë lumë sharjesh, mallkimesh e… plumbash.
E kam thënë që zanati i përkthyesit është i vështirë fort…!
Dhe meqë ambasadori amerikan foli, të gjitha foltoret çelën sërish realtragjedinë e 21 janarit. Që nga përmortja e katër të mjerëve që s’ka lapidar e requiem t’i kthejë në jetë e deri te intervistat pesë herë në ditë të Kryeministrit, që dominojnë skenën e lajmeve, të filmave, të spektakleve, madje edhe atë të reklamave.
Vetëm një njeri s’kishte folur, ajo për të cilën ishte folur aq shumë. Të enjten në darkë Ina Rama na mbërtheu para televizorit, ndonëse e mbërthyera pas një karrigeje ku ishte ulur për t’u bombarduar furishëm me pyetje si asnjë tjetër i marrë në pyetje, ishte ajo.
Diku nga viti 2008, kur makina e baltës e kishte identifikuar tashmë Ina Ramën si shënjestrën e vet ndërsa ajo bënte detyrën për të cilën ishte mandatuar, pata bërë një shkrim ku pohoja se nuk e njihja bionden me emrin Ina Rama, por se e mbështesja plotësisht Prokurorinë sepse doja të besoja te institucionet. Sot them sërish të vërtetën nëse përsëris se nuk e njoh Ina Ramën, po aq bionde, por sot unë njoh prokuroren e Përgjithshme të Republikës sime dhe i jam mirënjohëse që më inkurajon të mos e humbas besimin te institucionet, se më tregon se ditë të mira paskëtaj vijnë. Dhe si për çdo ngjarje të rëndësishme, dua të falënderoj ata që e mundësuan këtë njohje, televizionin që ia kushtoi të enjten në darkë përballjes së kryeprokurores me publikun. Nuk kam aspak ndërmend të analizoj se çfarë tha e si e tha. Bigbrother–izmi mediatik shqiptar paguhet për këtë gjë dhe nuk ka vend për amatorët.
Por askush s’më pengon të ndaj emocionin pozitiv dhe shpresën se në fshatin primitiv të gladiatorëve publikë shqiptarë ka një copë tokë ku mund të rritet fara emancipuese e inteligjencës femërore që për të lëshuar lule nuk ka nevojë të shartohet me burra. Dinjitoze deri në thjeshtësi, e qetë si baresha që di se ku i ka delet e veta dhe modeste në rolin e shërbëtores së drejtësisë e ushtares së Kushtetutës, Prokurorja nuk e ndjeu në asnjë moment të nevojshme as të bërtiste, as të hidhej përpjetë, as të ndërpriste fjalën e bashkëbiseduesit, duke pasur madje shumë respekt për Fjalën, të cilën, me shumë finesë e bukuri shpirtërore, nuk e braktisi asnjëherë, në respekt të publikut që e dëgjonte dhe për sqarim të bashkëfolësit që ia kërkonte. Kjo profesioniste e ligjit, me mendje të ftohtë, na dha një tjetër leksion se E PARA ISHTE FJALA.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura