Dyshimet, pronari i “Pelikan” u arratis që prej një muaji

Jul 31, 2014 | 12:02
SHPËRNDAJE

Arben Gropa
FIER – Policia shpall në kërkim Arben Gropën, pronarin e “Pelikan”, i kërkuar nga pala italiane si person i dënuar me 33 vjet burg. Gati 3 javë nga momenti kur Gjykata e Apelit të Vlorës vendosi që 44-vjeçari të ekstradohej drejt Italisë, Gropa rezulton i arratisur pa asnjë adresë. “Më datë 29.07.2014 filloi procedimi penal dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit Vangjel Zijaj (Arben Gropa) me banim ne Fier. Oficeri i Policisë gjyqësore ka bërë kontroll rutinë për personin e lënë në masën e sigurisë arrest shtëpie, por ai nuk ndodhej në banesë. Menjëherë pas konstatimit u nis procedimi penal dhe materialet u referuan në Prokurorinë e Fierit për veprën penale të largimit të të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, bën të ditur Policia e Fierit. Nuk dihet se kur ka qenë dita e largimit të biznesmenit, i cili qëndronte në arrest shtëpiak që prej shkurtit të këtij viti. Në këtë muaj Gjykata e Apelit e Vlorës ndryshoi masën e arrestit nga burg në arrest shtëpiak, ndërsa po shqyrtohej kërkesa për ekstradim. Në fillim të korrikut, po Apeli i Vlorës vendosi që Arben Gropa të ekstradohej drejt Italisë. Vetë i akuzuari ishte i pranishëm në sallën e gjyqit, por duket se kjo ka qenë hera e fundit që është parë. Nuk dihet se cila ka qenë mënyra dhe periodiciteti i verifikimit të pranisë së 44-vjeçarit në shtëpi, pasi dyshohet që ai të jetë larguar prej disa javësh, me qëllim për t’i shpëtuar ekstradimit në Itali. Gjykata e Apelit në Vlorë në 3 korrik vendosi që Arben Gropa duhej t’i dorëzohej drejtësisë italiane, ku akuzohet për trafik droge dhe prostitucioni. Drejtësia italiane kishte nisur letër-porosinë në ngarkim të 44-vjeçarit, nga ku kërkohej arrestimi i tij që në vitin 2012, por Policia e Fierit arriti ta prangoste Arben Gropën më 20 janar të vitit 2014 në kuadër të operacionit të koduar “Pelikani”. Nga të dhënat e Policisë, rezulton se aktiviteti i jashtëligjshëm është ushtruar prej tij në Itali në një hark kohor 10-vjeçar dhe ka filluar rreth vitit 1996. I dënuar me gati 33 vite burg nga Gjykata e Romës dhe e Milanos, 44-vjeçari kishte ndërruar identitetin në dokumentet zyrtare në Vangjel Zijaji, me qëllim që t’i shpëtonte arrestimit në Shqipëri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura