Dy gjyqtarë padisin KLD-në, bllokohen kërkesat e Halimit

Apr 30, 2012 | 14:15
SHPËRNDAJE
Një nga mbledhjet e KLD

TIRANE – Dy gjyqtarë kanë paditur Këshillin e Lartë të Drejtësisë në lidhje me masat ndëshkuese të vendosura ndaj tyre. Agim Hysi, i shkarkuar nga KLD në vitin 2002, tashmë kërkon rishikim vendimi për largimin e tij nga detyra, duke qenë se e ka dërguar çështjen deri në Gjykatën e Strasburgut, e cila e ka shpallur kërkesën të papranueshme. Po kështu, KLD-ja është paditur edhe nga gjyqtari Bujar Musta, i cili ka kërkuar ndryshimin e vendimit të marrë për vlerësimin e tij me argumentin e shkeljeve disiplinore në ushtrimin e detyrës, shkelje të pretenduara nga Ministria e Drejtësisë.
Në dhjetor 2011, KLD realizoi shqyrtimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, Bujar Musta. Pas diskutimeve, KLD votoi masën disiplinore të propozuar nga ministri i Drejtësisë ndaj këtij gjyqtari “shkarkim nga detyra” dhe, në përfundim, vendosi ta rrëzojë këtë masë disiplinore. Në të njëjtën mbledhje pasi shqyrtoi treguesit e punës së tij, KLD vendosi të japë vlerësimin “mirë” për gjyqtarin Musta. KLD në mbledhjet e fundit ka shqyrtuar disa kërkesa të ministrit të Drejtësisë për ndëshkimin e gjyqtarëve dhe ka vendosur rrëzimin e kërkesave të Eduart Halimit. KLD ka rrëzuar kërkesën për vërejtje ndaj gjyqtarit të Elbasanit, Ilir Pashaj. Po kështu, kërkesa e ministrit për ndëshkim është rrëzuar nga KLD edhe në rastin e gjyqtarit të Korçës, Arben Lera. Duke u bazuar në kërkesat e Ministrisë së Drejtësisë, KLD ka marrë në shqyrtim propozimet për masa ndaj gjyqtarëve dhe ka vendosur t’i shtyjë vendimet për në mbledhjet e ardhshme. Në këto mbledhje pritet të vendoset për gjyqtaren Mimoza Margjeka nga Gjykata e Durrësit, dhe Vjola Canaj nga Gjykata e Vlorës. Këshilli i Lartë i Drejtësisë është ende pa nënkryetar, për shkak të mosmarrëveshjes lidhur me zgjedhjen e drejtuesit të ri. Praktikisht nënkryetar është drejtuesi i Këshillit, edhe pse formalisht Presidenti i vendit është kryetar i KLD dhe, po ashtu, drejton mbledhjet e Këshillit. Në mbledhjen e fundit ku u bë prezantimi dhe mandatimi i anëtarit të ri Elvis Cefa, për shkak të debateve mes ministrit të Drejtësisë dhe Presidentit të Republikës, nuk ka qenë e mundur të zgjidhet nënkryetari i KLD-së. Zgjedhja e nënkryetarit të ri është vendosur të bëhet në mbledhjen e ardhshme, e cila u shty për shkak të vizitës së Presidentit Bamir Topi në Maqedoni. Kreu i shtetit propozoi si kandidat gjyqtarin Ilir Mustafaj, por ky emër u kundërshtua nga ministri i Drejtësisë dhe dy anëtarë të tjerë të KLD-së. Sipas tyre, Mustafaj ishte gjyqtari i nëntë anëtar në KLD dhe përzgjedhja e tij për nënkryetar ishte në kundërshtim me ligjin e Kushtetutën, që parashikojnë se KLD duhet të ketë nëntë gjyqtarë në cilësinë e anëtarëve. Nga ana tjetër, Presidenti Topi ka deklaruar se nuk ka asgjë të paligjshme dhe antikushtetuese në kandidaturën që ka përzgjedhur dhe në propozimin që ka bërë për nënkryetarin e KLD-së. Zgjidhja e kësaj çështjeje pritet të ndodhë në mbledhjen e jashtme të KLD-së, ndërkohë që institucioni ka më tepër se dy muaj pa një drejtues administrativ.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura