Durrës, bllokohen në Port 27 kg kanabis

May 31, 2012 | 12:41
SHPËRNDAJE

DURRES – Një sasi e konsiderueshme lëndë narkotike e llojit kanabis sativa është bllokuar nga Policia mëngjesin e djeshëm në Portin e Durrësit. Sipas Policisë, Agron Budini dhe Kozeta Zaçe janë arrestuar në flagrancë si trafikuesit e mallit. Droga e cila pas peshimit rezultoi të ishte 27 kg e 568 gramë, ishte e fshehur në pjesë të ndryshme të mjetit tip “Mercedes Benz” me targa AA 875 DS, që drejtohej nga 52-vjeçari Budini nga qyteti i Fierit dhe si pasagjere ndodhej 33-vjeçarja nga Tirana. Policia mendon se droga është siguruar në rrethin e Fierit nga 52-vjeçari, ndërsa së bashku me Kozeta Zaçen kishin si qëllim ta dërgonin atë në veri të Italisë. Duke u bazuar tek informacionet e grumbulluara në rrugë të ndryshme, Policia ka dalë në konkluzionin që çifti është ndihmuar nga persona të tjerë për transportin e drogës. Prandaj, blutë tashmë janë përqendruar tek arrestimi i personave të tjerë që kanë lidhje në këtë aktivitet paligjshëm. Policia tha se malli u bllokua pas një aksioni të mirorganizuar që struktura të ndryshme, si Seksioni Kundër Narkotikëve, Policia Kufitare dhe ajo e Portit, ndërmorën për sekuestrimin e tij. Oficerët e Antidrogës kishin informacion se rreth orës 22:00 të së martës, në pikën e kalimit kufitar të Portit të Durrësit, Agroni dhe Kozeta do të tentonin të kalonin përtej kufirit një sasi të madhe droge, e cila deri në momentet e bllokimit nuk dihej se e ç’lloji ishte. Në kohën kur po bëheshin gati të ngjiteshin në traget bashkë me makinën, policia ka ndërhyrë duke i bllokuar dy udhëtarët, ndërsa mjeti me të cilin udhëtonin iu nënshtrua kontrollit. Droga e ndarë në 45 pako u gjet në pjesë të ndryshme të makinës. Së bashku me mallin, Policia bllokoi automjetin, 820 euro, një telefon së bashku me kartën SIM, e cila do të shfrytëzohet për të zbuluar persona të tjerë të përfshirë në këtë grup kriminal.                                    l.m

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura