Dua sa më shumë pikë!

Sep 30, 2013 | 15:07
SHPËRNDAJE

Kush nuk gjen çdo mëngjes 17 fletëpalosje të qendrave tregtare të sapohapura, marketeve të mëdha ushqimore a elektroshtëpiake, te dera e shtëpisë a kati i pallatit, të thotë se do ketë shumë të interesuar për t’u transferuar në zonën e tij (që kushedi sa do ta ketë metrin katror, po ai le të thotë njëherë) të banimit. Nëse e keni marrë ndonjëherë mundimin të përkuleni për të parë se ç’kanë brenda, do keni parë gjithashtu se krah çdo produkti gjendet edhe një minitabelë, në të cilën është llogaritur çmimi i produktit i konvertuar në pikë. Pra, nëse ju blini, e zëmë, një shampo me çmim 560 lekë, përftoni 56 pikë, të cilat mund t’i përdorni një ditë në jetë, nëse vazhdoni ta blini shampon a gjërat e tjetra që ju duhen po aty. Alternativat e dhuratave janë që nga pajisjet e kuzhinës e deri te dyshekët e krevatit. Që të bëni tuajën “falas” njërën prej tyre, do ju duhen ca investime të mira, ama në fund do flini rehat në dyshekun që ju kanë “dhuruar”. Shumica prej nesh mund edhe t’i shpërfillin gjithë këto procedura derisa, një ditë, tek pret të paguash te kasa e ndonjërit prej marketeve, dëgjon një njeri qe ka disa orë aty, në pritje të klientëve që nuk janë të pajisur me kartë, e thotë “Po qe se s’ke kartë, a t’i kaloj unë te karta ime?!”. Aty, edhe mund të kuriozohesh për të parë cilat janë përfitimet e këtyre pikëve, derisa mëson edhe më shumë. Që tani, bonuset nga blerjet e kalojnë pragun e letrave që gjen te dera e shtëpisë. Edhe blerjet në rrjet, për të joshur klientët, po praktikojnë gjithnjë e më shumë pikët ekstra, nga të cilat mund të marrësh një produkt më shumë përveç atij që ke blerë. Nga blerjet në internet nuk rrezikon as që t’i përgjigjesh kasieres “Jo, e kam harruar kartën te çanta tjetër”; apo “S’ka shumë ditë që kam humbur portofolin e fundit”, sikur asaj t’i interesonte kjo gjë!

Shqiptarët, prej disa kohësh, janë magjepsur nga blerjet në internet. Faqe të ndryshme në internet, nga Europa e afërt apo deri nga Amerika, tashmë janë të gatshme që të ofrojnë produkte të ndryshme, përfshirë edhe transportin për në Shqipëri. Kjo duket se po e kënaq blerësin shqiptar jo pak, që veç çmimeve të favorshme, po ofrohet dhe një cilësi e mirë mallrash. Në të tilla raste, blerësit, në pjesën dërrmuese femra, shfrytëzojnë edhe pikët e mbledhura nga blerjet online. Kjo është një praktikë që vetëm vitet e fundit ka nisur të aplikohet në Shqipëri. Në pjesën më të madhe të rasteve janë supermarketet që ofrojnë uljen në bazë të pikëve të grumbulluara. Nisur nga kjo praktikë, disa nga rrjetet e dyqaneve të vendosura në qendrat e mëdha tregtare kanë nisur të aplikojnë mbledhjen e pikëve sipas blerjeve të kryera e, më tej, aplikimin e uljeve dhe ofertave për klientët që posedojnë një kartë të tillë. Albi Zhulali, drejtor i “Faleminderit”, një kartë që ofron shërbime të tilla në qendrat e mëdha në kryeqytet, thotë se kur klientët bëjnë blerje dhe marrin dhuratë, për shembull, një komplet gotash, kjo nuk është zgjidhja më e mirë. Në mënyrë që edhe mirënjohja ndaj klientit të jetë transparente dhe të kontrollohet nga vetë ai, hyjnë në punë karta të tilla, me të cilat klientët duhet të pajisen gjithnjë e më shumë. Me këtë mënyrë, në çdo blerje, klienti shpenzon, por në një këndvështrim tjetër mund të quhet edhe kursim, sepse përfton diçka ekstra. Këtë kursim mund ta menaxhojë në mënyra të ndryshme dhe në blerje të ndryshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura