“Dua ballafaqim me Berishën”, ç’ndodhi dje në gjyqin e Izet Haxhisë

Jun 8, 2018 | 13:07
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ Ish-truproja i Sali Berishës, Izet Haxhia, doli ditën e djeshme për herë të parë para Gjykatës së Tiranës, në seancën për rivendosjen në afat të ankimimit të vendimit që e ka dënuar për vrasjen e Azem Hajdarit.

izet1

Seanca që drejtohej nga gjyqtari Besnik Hoxha, u zhvillua me dyer të hapura, por në masa të rrepta sigurie. Në sallë, krahas efektivëve të Policisë së Burgjeve, qëndronin edhe tre efektivë të Forcave Operacionale.

izet izet2 izet3

Haxhia u shfaq i veshur me kostum në kafazin e hekurt, ndërsa në sallë kishin ardhur edhe vëllai i tij, Ismet Haxhia, së bashku me ishjuristin e OSHE-së, Romeo Kara. Që në nisje të seancës, avokati i Izet Haxhias, Bashkim Nikolla parashtroi kërkesën për rivendosje në afat të ankimit.

Ai tha se klienti i tij është dënuar në mungesë nga gjykatat shqiptare, nuk është dëgjuar, nuk ka pasur avokat dhe nuk është marrë asnjëherë në pyetje. Nikolla tha në seancë se ka një marrëveshje mes Ministrisë së Drejtësisë shqiptare dhe asaj turke, për ekstradimin dhe rigjykimin e Izet Haxhias.

“Vërtetohet se gjykimi i kësaj çështjeje në të gjitha shkallët e gjykimit është zhvilluar në mungesë të të pandehurit Izet Haxhia dhe pa dijeninë e tij. Ai nuk ka lëshuar asnjë lloj prokure për avokatin që e ka përfaqësuar në gjykimin e Gjykatës së Shkallës së Parë. Ai nuk ka pasur dijeni për ankimimin që i është bërë vendimit në Gjykatën e Apelit Tiranë, e cila e ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë. Vetë Izet Haxhia provohet se nuk ka bërë deklarime përpara organeve proceduese.

I pandehuri Izet Haxhia, në vazhdimësi, deri më datën 08.05.2018 kur u ekstradua, ka qëndruar në Turqi, nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të autoriteteve shtetërore të këtij vendi. Vërtetohet që drejtues të Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë i kanë komunikuar Ministrisë së Drejtësisë së Turqisë, më datën 06.04.2007, garancitë e shtetit shqiptar për rigjykimin e Izet Haxhias, në zbatim të Dispozitave Kushtetuese të Kodit të Procedurës Penale – 147, 148, 449, 450, 453”, tha ai.

 

izet haxhia nga burgu

Avokati përmendi edhe dokumentin sekret të SHIK, si provë që do të përdorej më vonë, për pafajësinë e Izet Haxhias në vrasjen e Azem Hajdarit. Sipas tij, ky dokument sekret nuk e përmend Izet Haxhian për asnjë moment, si të përfshirë në vrasjen e Azem Hajdarit. Në seancë e mori fjalën edhe Izet Haxhia, i cili tha se ka ardhur me dëshirën e tij në Shqipëri që të përballet me drejtësinë. Ai madje kërkoi ballafaqim me ishKryeministrin Berisha, që, sipas tij, është akuzuesi i tij.

“Kërkoj ballafaqim me personin që më ka akuzuar për vrasjen e Azem Hajdarit, Sali Ramë Berisha. Ballafaqimi të bëhet përballë një trupi gjykues të pavarur”, tha Izet Haxhia ndër të tjera. Lidhur me kërkesën për rivendosje në afat, prokurori i pranishëm në seancë tha se pala mbrojtëse nuk ka argumentuar forcën madhore që e ka detyruar që të mos e bëjë ankimimin në kohën e duhur.

Mirëpo, avokati Bashkim Nikolli tha se Haxhia nuk mund të kthehej në Shqipëri që të bënte ankimimin pasi nuk kishte garanci për jetën. Ai gjithashtu tha se shteti shqiptar nuk e ka njoftuar për asnjë moment Haxhian për vendimet gjyqësore të dhëna për të. Gjyqtari Besnik Hoxha ndërpreu seancën gjyqësore, duke caktuar datën 14 qershor, në orën 12:00.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura