Droga, Prokuroria: 91 vjet burg grupit të Endrit Dokles

Jun 30, 2011 | 9:43
SHPËRNDAJE

Prokuroria për Krimet e Rënda kërkoi dje deklarimin fajtorë dhe dënimin me burg, në një total prej 91 vjetësh, për shtatë persona të akuzuar për trafik heroine drejt Italisë.Bëhet fjalë për të arrestuarit në maj të vitit 2010 nga operacioni policor “Ura”, i cili u zhvillua kundër grupit të trafikut që drejtohej nga Endrit Dokle. I njëjti hetim shtoi akuzën e “trafikut të narkotikëve” edhe për Endrit Doklen, të akuzuarit si anëtar i “Bandës së Durrësit”. Ai u akuzua si pjesëtar i këtij grupi, në një kohë që qëndronte në paraburgim për llogari të procesit të “bandës”. Sipas Prokurorisë, ai mbante nën kontroll shpërndarjen e drogës nëpërmjet telefonit. Në një material prej 132 faqesh, prokurori Anton Martini i dorëzoi trupit gjykues konkluzionet përfundimtare të Prokurorisë në lidhje me 7 të pandehur. Për shkak të gjykimit të shkurtuar të kësaj dosjeje te Krimet e Rënda, të gjithë të pandehurit e sipërpërmendur përfituan uljen e një të tretës së masës së dënimit, në dënimin përfundimtar të kërkuar. Akuzat që rëndonin mbi të pandehurit janë ato të “trafikimit të narkotikëve në bashkëpunim në dy raste”, “grupit të strukturuar kriminal”, “kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.
HETIMET
Hetimet në lidhje me të akuzuarit e këtij procesi gjyqësor nisën pas vrasjes së Arjan Saliut në vitin 2008, vëllait të Klodian Saliut, një prej përbërësve kryesore të “Bandës së Durrësit”, i ekzekutuar në vitin 2005. Sipas Prokurorisë, përgjimet telefonike për llogari të hetimeve të kësaj vrasjeje çuan në “gjurmët” e rrjetit të trafikut të të paktën 40 kilogramëve heroinë. Sipas konkluzioneve të Prokurorisë, rezultonte e provuar se në harkun kohor gusht 2008 – prill 2009 të pandehurit Isuf Bunaj, Shefqet Vata, Endrit Dokle dhe Izet Krasniqi kanë krijuar një grup të strukturuar kriminal, në përbërje të të cilit ishin edhe Jorid Xhunga. Qëllimi i këtij grupi, sipas akuzës, ishte trafikimi i lëndëve narkotike drejt Italisë. “Nëpërmjet veprimeve të kryera prej tyre në këtë periudhë është konfiguruar struktura e grupit të strukturuar kriminal, ku pjesëmarrja e të pandehurit e të pandehurve ka qenë e qëndrueshme dhe kontributi i tyre në kryerjen e trafikut të lëndëve narkotike ka qenë konkret. Nga hetimet ka rezultuar se të pandehurit për arritjen e qëllimit të tyre kriminal në mënyrë të vazhdueshme kanë bashkëpunuar me persona të ndryshme për episode të ndryshme”, thuhej në pretencën e Prokurorisë. Po sipas organit të akuzës, të pandehurit Isuf Buna dhe Shefqet Vata kanë shërbyer si financuesit e blerjes së lëndës narkotike. Ndërsa të pandehurit Edmond Taulla dhe Jorid Xhunga, në bashkëpunim edhe me të pandehurin e procesit tjetër, Endrit Dokle, kanë gjetur shpërndarësit e drogës në Itali. “I pandehuri Endrit Dokle ka shërbyer si garanci. Në bashkëpunim me Jorid Xhungën dhe Edmond Taullën ai ka gjetur shpërndarësit e lëndës narkotike në Itali”, lexoi dje prokurori në përmbledhjen e pretencës. Prokurori rrëfeu dje se veprimtaria kriminale ishte kryer si grup i strukturuar kriminal, ku kishte ndarje detyrimesh të mirëorganizuara dhe përgjegjësi për detyrimet e pakryera. Po sipas akuzës, të pandehurit komunikonin me anë të një gjuhe të koduar me njëri-tjetrin, gjuhë që kuptohej lehtësisht mes tyre. Tjetër fakt për provimin e grupit të strukturuara prokurori përmendi “reflektimin pas çdo goditjeje të policisë”. Sipas prokurorit, pas çdo arrestimi, të pandehurit ndërronin numrat e telefonit, si edhe adresat e vendbanimeve.
EPISODET
Sipas Prokurorisë, të pandehurit e këtij grupi akuzohen për disa episode të trafikut të lëndës narkotike. Për dërgimin e saj në Itali përdorej rruga tokësore. Referuar hetimeve, sasia e drogës është bllokuar më së shumti pas mbërritjes së saj në territorin italian. Kështu, më 12 shtator 2008 forcat e karabinierëve të Chietit në Itali arrestuan tri persona, dy prej të cilëve shqiptarë, pasi gjetën dhe sekuestruan në automjetin e tyre 13.760 kg heroinë. Më 3 shkurt 2009, italiani Giuseppe Bottone u arrestua në Milano, pasi iu sekuestrua një sasi prej 8.340 kg heroinë. Ndërsa, më 7 prill 2009, tre shqiptarë të tjerë u arrestuan nga Karabinierët e Porta Magenta dhe iu sekuestruan 6.250 kg heroinë.

Pretenca e Prokurorisë

Isuf Bunaj, “Lalushi”             18 vjet

Shefqet Vata, “Çeti”                 18 vjet

Jorid Xhunga, “Ridi”                 17 vjet

Edmond Taullai, “Moke”                 12 vjet

Blendi (Bledar) Prendi             11 vjet

Vito (Vehap) Biba,                8 vjet

E. (Biba) Lulo, “Tina”                 7 vjet

Dokle gjykohet me vete

TIRANE – Endrit Dokle, një nga të akuzuarit si anëtar i “Bandës së Durrësit”, do të gjykohet i veçuar nga të bashkëpandehurit e tjerë të dosjes “Ura”. Në të njëjtën dosje, i veçuar nga pjesa tjetër do të jetë edhe i pandehuri Izet Krasniqi. Pas dërgimit të dosjes për gjykim në Gjykatën për Krimet e Rënda, shtatë prej të pandehurve kërkuan që gjykimi ndaj tyre të zhvillohej me procedurën e gjykimit të shkurtuar. I pandehuri Dokle i kundërshtoi akuzat e ngritura ndaj tij dhe preferoi një gjykim normal, ku provat e palëve të shqyrtohen një nga një në proces gjyqësor.

 

ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura