Droga e Lazaratit në Greqi, pranga dy shqiptarëve

Dec 29, 2011 | 12:33
SHPËRNDAJE

Droga e Lazaratit kapet sërish në Greqi. Kufiri i gjelbër mes Gjirokastrës dhe rajonit të Janinës sërish ka qenë pika ku ka hyrë sasia prej 80 kg marijuanë drejt shtetit fqinj. Policia greke, sekuestron sasinë e drogës dhe vë në pranga dy shqiptarët që e transportonin atë. Burimet e informacionit grek si dhe policia helene, kanë njoftuar se marijuana është kapur 5 km brenda territorit të tyre, duke shënuar një tjetër rast trafikimi të lëndëve narkotike e cila nuk kapet nga kontrollorët dhe Policia Kufitare Shqiptare.

Dy të rinj 28 dhe 29 vjecar, shtetas shqiptarë, janë kapur duke transportuar marijuanën në një automjet me targa greke të vjedhur një javë më parë në zonën e Kifisias. Për të humbur gjurmët e ndonjë ndjekjeje të mundshme shqiptarët ndërruan mjetin e transportit. Kur nuk kishin kaluar as 5 km nga Pika Kufitare e Kakavijes, ata kapen në befasi nga Policia Greke e cila mesa duket vëzhgonte nga afër të gjithë veprimtarinë e tyre.

Dy automjetet e policisë së Janinës, i patën dalë në një kthesë mjetit që transportonte marijuanë dhe po dy të tjera e izoluan mjetin e drejtuar nga dy të rinjtë shqiptarë. Të gjendur në kushte krejtësisht të pamundshme për t’u larguar, dy shqiptarët, janë dorëzuar dhe nuk kanë bërë asnjë lloj rezistence ndaj policëve grekë. Droga ishte përgatitur katër ditë më parë në Lazarat dhe ishte blerë aty për 55 mijë euro, ndërkohë që pretendohej të shitej për 82 mijë euro. PIRO NASE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura