Dritan Dajti proteston në qeli, i vë zjarr batanijes

May 31, 2014 | 13:15
SHPËRNDAJE

Dritan Dajti në gjyq
Dritan Dajti, i akuzuari për vrasjen e katër policëve, i vendos flakën batanijes së tij në një nga qelitë e paraburgimit 313 në Tiranë.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e vonë të së enjtes. Ndërhyrja e menjëhershme e punonjësve të sigurisë ka bërë që zjarri të mos cenonte shëndetin e Dajtit apo sigurinë e tij. Sipas Dajtit, zjarrvënia ishte në shenjë proteste për shkak të transferimit të tij nga paraburgimi “Mine Peza” në atë “Jordan Misja”, i njohur dhe si 313-ta. Përmes një familjari të Dajtit, gazeta mori një letër të tij nga burgu, ku i akuzuari shpjegonte rrethanat dhe arsyet e ngjarjes. “Mbrëmë rreth orës 11:00 të natës më është dashur që t’i vë flakën dhomës në shenjë proteste sepse mua duan që të më mbajnë në izolim në katin e parë. U kam bërë me dije oficerëve të policisë së burgut 313 që unë kërkoj të trajtohem njësoj si të burgosurit e tjerë të këtij institucioni”, shprehej Dajti. Në vijim të letrës së tij, Dajti lëshonte akuza ndaj kryesuesit të gjykimit të tij te Krimet e Rënda, duke pretenduar se gjyqtari po hakmerrej ndaj tij duke përdorur policinë e burgjeve.
BURGJET
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk doli dje me një reagim zyrtar në lidhje me incidentin e shënuar në qelinë e të paraburgosurit Dritan Dajti në ambientet e Burgut 313. Nga ana tjetër, një zyrtar i Burgjeve konfirmoi zjarrvënien e Dajtit, duke shtuar se flaka ka qenë minimale. “Flaka dhe tymi janë konstatuar nga gardianët e turnit, të cilët kanë ndërhyrë menjëherë duke e neutralizuar atë. Zjarri nuk ka shkaktuar dëmtim në shëndetin e të paraburgosurit dhe as të personave të tjerë të sektorit. Ngjarja nuk ka cenuar aspak sigurinë dhe për këtë shkak nuk është marrë asnjë masë shtesë”, tha zyrtari i kontaktuar nga gazeta.

Armand Bajrami

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura