“Drejtoresha e ALUIZNI-t në Shkodër më kërcënoi në Facebook”

Dec 30, 2013 | 9:00
SHPËRNDAJE

Huana Kurti

Antonela Kçira: Shpifi publikisht në FB. E fyeva, s’e kanosa. 

Protestuesja e ’90 në Shkodër, e cila mori pjesë në demonstratën për rrëzimin e bustit të Stalinit, denoncon për kërcënim drejtoreshën e ALUIZNI-t. Ditën e shtunë, Huana Kurti, e cila jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka marrë një mesazh në faqen personale të rrjetit social “Facebook”, ku kanosej për të mos shkelur më në Shqipëri, ndërsa është përmendur dhe i biri.

“Mos u bëj merak se nuk harroj…M’i bën të fala edhe tand biri…” janë disa nga fjalët e Antonela Kçirës në adresë të Huana Kurtit. Sipas Kurtit, ky mesazh i është nisur më datë 28 dhjetor nga Kçira, e cila më datë 18 dhjetor u emërua në krye të ALUIZNI-t, e zgjedhur nga PS-ja. Kurti pohon se nuk ka njohje të drejtpërdrejtë me Kçirën dhe nuk ka pasur konflikt më parë.

Ajo pohon se gjithçka nisi më datën 18 dhjetor, kohë kur Kurti ka publikuar në faqen e saj në Facebook një status për drejtoreshën e sapozgjedhur të ALUIZNI-t: “Dona me luftue korrupsionin me hajna”. Pas 10 ditësh nga ky postim në murin e faqes së Huana Kurtit ka ardhur dhe reagimi me email nga adresa e Antonela Kçirës.

KURTI: KAM FRIKË PËR FAMILJEN
E pyetur për këtë mesazh, Huana Kurti e ka cilësuar kërcënim të pastër të drejtoreshës së re në Shkodër. Nga SHBA-ja, ku jeton prej 22 vitesh, Kurti tha se ndihet e frikësuar për vete dhe prindërit e saj që jetojnë në Shkodër. “Unë shpreha një mendim timin dhe nëse do të kishte një reagim mund të kontaktonte, jo të më kërcënonte direkt mbi tim bir. Nisur nga ky mesazh, do t’i drejtohem nëpërmjet miqve të mi në Shkodër Prokurorisë së Rrethit, si dhe do të vë në dijeni Ambasadën Amerikane në Tiranë”, u shpreh Kurti, e cila mban nënshtetësinë amerikane. “Antonela Kçira, jo vetëm që përdor një gjuhë të ulët, por ajo gjen dhe guximin të më kërcënojë mua dhe çfarë është më e ulëta, më kërcënon dhe djalin”, pohon Kurti. Ajo ka shtuar se familja e Kçirës, vite më parë ka përfituar në mënyrë abuzive një sipërfaqe toke në emër të familjes Kurti, në zonën turistike të Razëm, ku ka pjesë dhe aktorja e madhe Tinka Kurti. Në pamundësi për të ardhur në Shqipëri këtë kohë, protestuesja e viteve ’90 thotë se i ka dërguar një mesazh në e-mail Kryeministrit Edi Rama, si dhe degës së Partisë Socialiste në Tiranë, por nuk ka marrë përgjigje. Ajo pohon se do t’i shkojë kësaj çështjeje deri në fund.

KÇIRA: MË BËRI FYERJE PUBLIKE

Drejtoresha Antonela Kçira gjatë prezantimit nga prefekti i Shkodrës

Drejtoresha e ALUIZNI-t, Antonela Kçira (Derza), e kontaktuar për këtë çështje pohoi dje për gazetën se nga ana e saj nuk ka pasur asnjë kërcënim. “Unë reagova me një e-mail jo publik, por në mënyrë private, për t’i thënë mendimin tim për të. Ishte një fyerje dhe aspak kërcënim, aq më pak për të birin. Ajo foli publikisht ndaj meje, por unë nuk reagova për ta denoncuar në Prokurori për shpifje, nisur nga fakti që unë kam një detyrë publike në Shkodër”, pohoi Kçira. Sipas saj, përplasja me Kurtin, me të cilën dhe ajo deklaron se nuk ka njohje personale të mëparshme, ka nisur pikërisht në Facebook pas disa komenteve për miq të përbashkët. “Para se të emërohesha në këtë detyrë, kam komentuar te një foto e një mikeshe të përbashkët, e cila kishte dalë në fotografi me Edi Ramën. Menjëherë ka reaguar Kurti, duke bërë fyerjet e para, por që unë i neglizhova deri te statusi ditën e emërimit”, u shpreh drejtoresha e ALUIZNI-t. E pyetur në lidhje me tokën në Razëm, Kçira deklaron se e ka blerë kundrejt të gjithë dokumentacionit të rregullt. 

Ridvan Dibra/Elida Domi 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura