“Dramë” në Gjermani, shkatërrohet Bajerni

Apr 30, 2014 | 14:36
SHPËRNDAJE

Reali i Madridit mund bindshëm Bajernin e Mynihut dhe kualifikohet për në finalen e Kupës së Kampioneve. E jashtëzakonshme! Një Real që përkundrejt çdo parashikimi dominon jo thjesht në rezultat, por edhe në lojë ndaj Bajernit, duke i dhënë një leksion të vërtetë futbolli. Guardiola e sheh për herë të dytë veten të turpëruar në karrierën e tij nga Reali, dhe ca më tepër kur shifrat shënojnë 4-0. E çuditshme, e pabesueshme, por e vërtetë. Ky Real ishte totalisht tjetër krahasuar jo vetëm me ndeshjen e kthimit ndaj Borusias së Dortmundit, por edhe në krahasim me takimin e parë ndaj bavarezëve. Guardiola provon të luajë me një skuadër e tëra sulmuese, por gabon. Po, pasi në kundërsulmin e parë madrilenët janë “vrasës”: kros në zonë, aty ku Serxhio Ramos kërcen më shumë se të gjithë të tjerët dhe me kokë arrin të dërgojë topin në cepin e majtë të mbrojtur nga Nojer. Shokohen vendësit, por gjithsesi tentojnë të reagojnë. Por nuk është e thënë, pasi është mbrëmja e spanjollëve. Vetëm katër minuta më pas është sërish Ramos, i cili devijon sërish me kokë një top të karamboluar në mbrojtjen bavareze për të dyfishuar shifrat. Hesht “Allinc Arena” dhe me të drejtë, pasi tani çdo gjë bëhet edhe më e vështirë, nëse mendon edhe humbjen minimale në ndeshjen e parë në Madrid. Gjithsesi, Bajerni tenton të sulmojë duke përdoruar lojën nga krahët, por pikërisht aty Ançeloti i ka marrë si duhet masat dhe Riberi e Roben ndihen gjithnjë të dubluar. Nga ana tjetër, nis “shou” i Ronaldos. Fillimisht portugezi humbet një mundësi të artë shënimi, por më pas është një pasim në limite i Garet Bejl ai që i jep një asist perfekt Ronaldos për golin e tretë. Supermaci e “merengues” ndaj një Bajerni që luan ndeshjen më të dobët nën drejtimin e Guardiolës. Me këtë rezultat përfundon pjesa e parë, teksa në të dytën Pep lë në dyshe Manxukiç duke forcuar mesfushën, aty ku Reali është dominues. Por edhe kjo lëvizje nuk jep rendiment. Madje edhe futja e një fantazisti si Gëce nuk solli asnjë risi në lojën e gjermanëve, të cilët edhe për shkak të presionit nuk arritën për asnjë çast të dilnin në lojën e tyre. Sakaq, nuk ngopet Reali dhe në minutën e fundit është Ronaldo që surprizon. Goditja e tij e dënimit është ndryshe nga herët e tjera, jo mbi murin mbrojtës të lojtarëve, por tokazi, dhe kjo nxjerr jashtë loje Nojerin duke e lënë të shtangur: 0-4 dhe këtu eliminimi i vendësve kalon në turpërim. E nëse vjet bavarezët eliminonin Barcelonën me goleadë, sivjet janë madrilenët që u kthejnë reston po me të njëjtën mënyrë.

Bajern-Real Madrid    4-0
Shënues: S.Ramos 16’, 20’, Ronaldo 34’, 90’

Kartonë të verdhë: Dante/ Ksabi Alonso

Bajern: Nojer, Dante, Lahm, Alaba, Boateng, Shvinstaiger, Kros, Myler (Pizaro 72’), Riberi (Gëce 72’), Roben, Manxukiç (Matrinez 46’).
Trajner: Pep Guardiola

Real Madrid: Kasijas, Karval, S.Ramos (Varane 75’), Pepe, Koentrao, Modriç, Ksabi Alonso, Di Maria (Kasemirio 84’), Ronaldo, Bejl, Benzema (Isko 80’). Trajner: Karlo Ançeloti.

LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura