Dorëzohet Sejdini: Pa fuqi kundër ndërtimeve pa leje

Sep 30, 2011 | 10:45
SHPËRNDAJE
Mbledhja e djeshme në Elbasan

Bashkia e Elbasanit heq nga vetja Inspektoratin e Ndërtimit. Kryebashkiaku Qazim Sejdini, në një takim mbi fenomenin e ndërtimeve pa leje, iniciuar nga prefekti i Elbasanit, u shpreh i pafuqishëm për të ndryshuar gjendjen. Fluksi i ndërtimeve të paligjshme u konstatua më shumë gjatë fushatës së zgjedhjeve të 8 majit dhe pas saj. Për këtë arsye, prefekti Shefqet Deliallisi, në praninë e përfaqësuesve të pushtetit vendor, si edhe Inspektoratit Urbanistik Kombëtar, kërkoi në mënyrë urgjente ndaljen e fenomenit të objekteve informale. “Ndërtimet pa leje kanë zënë hapësirat publike dhe tokat bujqësore. Mungesa e bashkëpunimit mes institucioneve që merren me ndërtimet pa leje, ka rritur besimin te qytetarët për të ndërtuar objekte. Duhet të reagojmë”, tha Deliallisi, duke kërkuar nga inspektorët pranë bashkive apo komunave që të marrin masat, në të kundërt, të japin dorëheqjen. Rreth këtij problemi ka reaguar kreu i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, i cili ka pranuar se në qytet ka një numër rekord të ndërtimeve pa leje, pa dhënë një shifër të saktë të tyre, por që Bashkia nuk po mundet që të ndikojë për ta ndalur. “Deri më tani, në institucionin e Bashkisë që unë drejtoj janë ndërruar 4 inspektorë, sepse 3 prej tyre janë çuar nga pronarët e objekteve ilegale për ndjekje penale në Prokurori dhe Gjykatë. Kjo ka ndodhur pasi, sapo Inspektorati i ndërtimit pranë Bashkisë ekzekuton vendimin për prishjen e një ndërtese pa leje, ndaj tyre bëhet një kallëzim në Prokurori dhe më pas inspektori ndiqet penalisht”. Kryebashkiaku bëri të njohur një rast, kur me vendim të Gjykatës, Bashkia e Elbasanit dëmshpërbleu objektin, që sipas Sejdinit, ishte prishur konform rregullave dhe ligjeve. Ai u shpreh dhe kundër ALUIZNI-t, duke thënë se ky institucion ka sjellë mjaft pengesa për shembjen e ndërtimeve pa leje. Në këtë kuadër Sejdini ka parashtruar edhe një shembull. Sipas tij, për të njëjtin objekt i kanë çuar dy vendime, njëri që citonte se objekti nuk është në proces legalizimi dhe mund të prishet nga Bashkia, ndërsa vendimi i dytë citonte që i njëjti objekt ishte në proces legalizimi. “Gjykata mori për bazë vendimin e dytë. Në këtë kuadër, duke qenë të pambrojtur nga ligji për prishjen e ndërtimeve pa leje, të cilat kanë zënë edhe vende ku me KRRTRSH janë miratuar për lulishte apo pallate dhe duke qenë se ligji nuk na mbron, unë si institucion do të shkrij Inspektoratin e Ndërtimit pranë Bashkisë, pasi ai nuk kryen asnjë funksion, si pasojë e pengesave që ndesh gjatë vijueshmërisë së punës. Mendoj që ky inspektorat të kalojë në varësi të Qarkut, pasi ndihem i pafuqishëm përballë sulmeve”.

ELBASAN/ MIRANDA SADIKU

Sarandë: Qëllohet me thikë polici bashkiak
Qëllon me thikë policin bashkiak të Sarandës, teksa ishte në krye të detyrës dhe me uniformë, arrestohet 56-vjeçari. Policia bëri të ditur se 43-vjeçari Ardian Kasemi i ka shpëtuar për mrekulli tentativës së një personi për ta vrarë atë me thikë, ngjarje e cila ndodhi tek ish-agjencia e udhëtarëve, kur shtetasi Lavdërim Isufaj ka nisur të fyejë në krye të detyrës policin Ardian Kasemi. “Kot lodhesh sepse do të të heqin nga puna”. Kështu mësohet t’i ketë thënë Isufaj policit bashkiak, teksa ky i fundit kishte dalë të inspektonte për të evidentuar ndërtimet pa leje, bashkë me disa kolegë të tij. Në debat e sipër, Lavdërim Isufaj ka nxjerrë një thikë dhe ka tentuar të godasë policin. Por ky i fundit ka mundur t’i shpëtojë sulmit duke pësuar vetëm disa lëndime të lehta. Policia mbërriti në vend pas sinjalizimit të dhënë dhe arrestoi 56-vjeçarin nga fshati Gjashtë i Sarandës. Mësohet se në muajin nëntor të vitit 2010 ai ishte arrestuar, pasi kishte kanosur me thikë familjarët e tij dhe kundërshtuar me dhunë forcat e policisë.         sh.d

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura