Dokumenti sekret i Sigurimit: “Kufomat e të vrarëve në kufi mos ua jepni familjarëve”

Jul 31, 2012 | 14:39
SHPËRNDAJE
Çaste nga ceremonia mortore e 17-vjeçarit Pëllumb Pëllumbi, vrarë në kufi më 16 qershor ‘90

Dokumenti sekret i Sigurimit të Shtetit për ngjarjen e 16 qershorit ‘90.

“Ceremonitë mortore të viktimave po na kthehen në demonstrime popullore kundër Partisë dhe regjimit”

“Nga kufiri nuk del njeri gjallë, por kemi problem ceremonitë mortore të atyre që vrasim aty. Mjaft syresh po na kthehen në demonstrime kundër regjimit”. Pa menduar makabritetin e asaj që hidhte në letër, kreu i Degës së Brendshme të Shkodrës rendiste për shefin në Tiranë numrin e shkelësve të asgjësuar dhe kërkonte me gjakftohtësi të çuditshme lejen rrënqethëse për të fshehur kufomat e të vrarëve. Ngjarja e qershorit 1990 zbulohet për herë të parë nga “Panorama”, që ka siguruar dokumentin zyrtar ku përshkruhet me detaje tragjedia e atyre ditëve të përgjakshme. Shkresa me siglën “Tepër sekret”, e nënshkruar nga Çapajev Taci, shefi i Sigurimit të Shtetit për zonën veriore, e parashtron qysh në krye qëllimin e vet. Poshtë pjesës hyrëse, të destinuar për arsyet e komunikimit të radhës, ku nënvizohen “shqetësimet e krijuara nga dorëzimi i kufomave të personave të vrarë në kufi familjeve të tyre”, dokumentohet kronika e ngjarjes së 16 qershorit 1990 në zonën e Hotit. Në të, pasi njoftohet përballja me dy shkelës kufiri(të dy 17-vjeçarë), vihet në dukje me një lloj krenarie suksesi i operacionit që ka përfunduar me një të vrarë e një të plagosur. Në vijim, autori i dokumentit, duke u përpjekur të hedhë dritë mbi profilin e viktimave, nuk rresht me zhargonin e etiketimeve ndaj tyre, “kriminelë”, “hajdut”, “vagabondë” etj. Deri këtu, pak a shumë, raporti, ruan të njëjtën linjë me mjaft syresh për ngjarje të tilla. E veçanta shfaqet në rrëfimin e situatës pas tragjedisë dhe të dhënave të Shërbimit Sekret nga ceremonia mortore e 17-vjeçarit të vrarë në kufi, ku thirrjet “Poshtë komunizmi!”, “Vdekje Ramiz Alisë!”, “Poshtë Nexhmije Hoxha!”, kanë  shoqëruar ritet fetare dhe rrugëtimin me kufomën deri në varreza. Teksa përmend edhe raste të tjera të kësaj natyre, shkresa e Taçit mbyllet me kërkesën monstruoze për të zhdukur trupat e të vrarëve në kufij…

DOKUMENTI
Lënda: Informacion për disa shqetësime që janë krijuar mbi dorëzimin e kufomave të personave të vrarë në kufi, familjeve të tyre për varrim
Ministrit të Punëve të Brendshme, shokut Simon Stefani
Më datë 16.6.1990, shtetasi Pëllumb Nikoll Pëllumbi, vjeç 17, me banim në lagjen “Naim Gjybegu” të qytetit të Shkodrës dhe Marian Zef Ndoja, vjeç 17, me banim në lagjen “Skënderbej” po të këtij qyteti, tentuan të kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme në sektorin e postës kufitare Hot. Marian Ndoja u kap, ndërsa Pëllumb Pëllumbi u vra. U konstatua se me vete kishte edhe një bombë luftarake. Hetuesia, pasi kreu veprimet hetimore, kufomën ua dha familjarëve për varrim. Të dy këta persona ishin vagabondë, hajdutë, pa punë, kontingjente të ndjekjes së krimeve.
Më datë 16.6.1990, nga ora 16:00 deri në orën 18:00 u bë varrimi i kufomës. Arkivoli i tij i hapur u mbajt nga shtëpia deri në varreza i shoqëruar nga rreth 70 veta, duke pasur me vete edhe 6 kurora. Kortezhi ka përshkruar itinerarin nga lagja “Naim Gjylbegu” te “5 heronjtë”, përpara turizmit në qendër të qytetit të Shkodrës, rrugën “Enver Hoxha”, te spitali, Parku i Mallrave e deri në varreza. Personat që e shoqëronin kufomën ishin kryesisht të rinj të moshës 17 – 26 vjeç. Duke e shoqëruar kufomën deri në varreza kanë hedhur parulla të ndryshme, ndërsa të tjerë i kanë shoqëruar duke bërtitur. Konkretisht, kur kortezhi ka kaluar pranë Muzeut të Luftës Nacionalçlirimtare të rrethit, dikush ka thirrur “Poshtë komunizmi!”, “Poshtë socializmi!”. Në rrugën përpara spitalit dikush thërriti “Poshtë Ramiz Alia!”, “Poshtë Partia!”, “Poshtë Nexhmije Hoxha!”, “Kjo parti është gjakpirëse!”. Një i ri ka dalë dhe ka thënë: “Shokë të forcojmë unitetin tonë, se shikoni ç’po bën Ramiz Alia, duke vrarë njerëz përditë. Poshtë Partia, poshtë Ramiz Alia!”. Nga ana jonë u morën këto masa: U organizua puna për fiksimin sekret të këtyre personave, për verifikimin dhe saktësimin e personave organizatorë të këtyre thirrjeve. U morën masa për sigurimin e objekteve kryesore në qytet, si Komiteti i Partisë, Komiteti Ekzekutiv i Rrethit, busti i shokut Enver Hoxha, qendra e qytetit ku është edhe busti i Stalinit, Radio Shkodra dhe Dega e Punëve të Brendshme. U informua menjëherë sekretari i parë i Komitetit të Partisë së Rrethit dhe Ministria. Nga verifikimet e deritanishme rezulton se nxitës kryesor në këtë veprimtari është Gjovalin Ndoc Beri, 25 vjeç, lindur dhe banues në qytetin e Shkodrës, i papunë, i dënuar njëherë me 3 muaj për goditjen e një polici për shkak të detyrës. Gjovalini në afërsi të “Turizmit” u ka bërë thirrje të pranishmëve për të bërtitur. Fillimisht nuk e ka shoqëruar njeri. Më pas ai ka sharë e kërcënuar të tjerët, duke u thënë u q…nënën e motrën atyre që nuk bërtasin. Flisni more dhe në vazhdim thirrjeve të tij i janë përgjigjur rreth 10-15 veta që kanë vazhduar deri në mbarim të ceremonisë së varrimit. Gjatë rrugës në dy raste, një pensionist dhe një person tjetër, kanë mbajtur qëndrim ndaj thirrjeve të tilla, por nga element negativ janë kërcënuar e tallur dhe nuk i ka mbështetur tjetër njeri. Më datë 11.6.1990, në sektorin e postës kufitare Zogaj është vrarë në tentativë për kalim të paligjshëm të kufirit Nini Rrok Hoti, vjeç 25, me banim në lagjen “3 heronjtë” të qytetit të Shkodrës. Kufoma i është dhënë familjes nga Hetuesia. Në varrimin e tij kanë marrë pjesë shumë persona. Në momentin që po varrosej, disa persona janë shprehur: “Ja këto na sjell Ramiz Alia, ja çfarë na bën ai dhe të tilla do të ketë edhe në të ardhmen”. Babai i kufomës ka mbajtur qëndrim të mirë në këtë rast, duke thënë: “Nuk dua muhabete të tilla, kush ka ardhur për varrimin e djalit, le të qëndrojë, ato çfarë bëri djali i mori me vete”. Më datë 19.5.1990 është vrarë në tentativë për kalim të paligjshëm të kufirit në sektorin e postës kufitare Pulaj, Vat, Marash Beci nga fshati Bokë Velipojë, 25 vjeç dhe kufoma iu dha për varrim familjes nga Hetuesia e rrethit. Në varrimin e këtij personi kanë marrë pjesë rreth 150 veta, ndërsa të dielën e parë pas varrimin kanë shkuar për ngushëllim në familjen e tij shumë persona, saqë babait të tij i janë grumbulluar 5 mijë lekë. Kemi mendimin se këto veprime i favorizon dhënia e kufomave nga Hetuesia, të personave të vrarë në kufi, familjeve të tyre, prandaj në raste të tilla, bazuar edhe në ligje, kufomat të mos u dorëzohen familjarëve.
Nga ana jonë u morën masat dhe po punohet që organizatorët e kësaj ngjarjeje të dënohen sipas ligjit.
Kryetar i Degës së Punëve të Brendshme
Çapajev Taçi
Shkodër, 16 qershor 1990

Masakra në kufi, me urdhra politikë

Zbardhen dokumentet e panjohura me procedurat zyrtare për organet e kufirit në vitet ’89-’90

Trupi i pajetë i Pëllumb Pëllumbit, vrarë më 16 qershor ‘90

Vetëm në 6-mujorin e parë të vitit 1990 u vranë mbi 50 të rinj
Në vitet ’89-’90 është shënuar masakra më e madhe ndaj shkelësve të kufirit. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit ’90 janë vrarë 50 syresh, të gjithë të moshës 17-18 vjeç. Vërshimi drejt kufirit, i frymëzuar nga zhvillimet në Europën Lindore, vazhdonte të ndëshkohej me zjarrin e armëve. Krerët e regjimit, duke ndier që po u rrëshqiste toka nën këmbë, shpërthejnë hapur në dhunë e terror. Ruajtja e kufirit me çdo çmim, asgjësimi i shkelësve në çdo rrethanë, u bë kryefjala e lidershipit komunist. Një infrastrukturë e posaçme procedurash u përpunua enkas për situatën e pazakontë për tërë hierarkinë e linjës, nga kupola në Tiranë e deri te kufitari në vendroje. Me një të tillë madje u operua edhe pas dekretit të presidentit Alia, që e zyrtarizonte (de jure) kalimin e kufirit si shkelje administrative. Dokumentet e mëposhtme janë vetëm një pjesë e akteve zyrtare që i paraprinë masakrës në kufi…

Letra e Simon Stefanit
Fluksi në rritje i rasteve të kalimit të kufirit në vitin 1989,   e zuri të papërgatitur Ministrinë e Brendshme dhe organet vartëse të saj. Reagimi i parë, siç konfirmojnë dokumentet e kohës, nisi me thirrjet për efektivat e organeve të kufirit. Atyre u përkujtohej fakti se duhej të qëndronin stoikë e të palëkundur në emër të Partisë, detyrës dhe Atdheut. Partia ishte kryefjala e të gjitha mesazheve që shkonin nga qendra në postet luftarake. Kreu i parë i rregullores së shërbimi të kufirit, miratuar me urdhrin e ministrit Nr. 01-40, datë 13 tetor 1989, ritheksonte ritualin politik të kahershëm: “Në themel të punës edukative, ushtarako – profesionale e teknike të Forcave të Kufirit qëndrojnë teoria marksiste – leniniste e Partisë sonë, mësimet e shokut Enver dhe të sekretarit të parë të KQ-së së PPSH-së, shokut Ramiz Alia, arti ushtarak i luftës popullore dhe ai i ruajtjes së kufirit”. Shkurt, në “Kushtetutën” e re të shërbimit të kufirit mbetej i pandryshuar konteksti politik. I njëjtë mbetej sakaq edhe kapitulli i detyrimeve tekniko-profesionale.
Madje, pak muaj më vonë, më 19 mars 1990, Simon Stefani, kreu i Ministrisë së Brendshme, duke folur para drejtuesve të organeve të kufirit, përsëriste me rreptësi apelin e kahershëm:
“Ata që do të tentojnë të rrugë të fshehtë të kalojnë kufirin, të dënohen në bazë të ligjit dhe në rast se nuk do t’i binden kërkesave të kufitarëve, dënimi do të jetë kapital. Këtu nuk duhet të ketë asnjë lëshim e iluzion. Për ata që duan të shkojnë si vizitorë jashtë shtetit, ka rregulla të cilat kohët e fundit i kemi përsosur në gjerësi e thellësi dhe u japim mundësi që kalimin ta bëjnë të bazë të ligjit. Edhe organet tona të propagandojnë këtë ligj të shtetit tonë, si një e drejtë që u garantohet qytetarëve”.

Dekreti cinik i Alisë
Ka qenë fillimi i majit të vitit 1990, kur presidenti komunist Ramiz Alia dekretoi ligjin për vlerësimin e krimit të arratisjes nga vepër penale kundër shtetit, në kalim të paligjshëm të kufirit. Në thelb, ndryshimi parakuptonte mospërdorimin e armëve për shkelësit e kufirit. Që këtej e tutje për ta nuk do të kishte plumba, por pak muaj burg. Po kjo nuk ndodhi në asnjë rast. Dekreti cinik i Ramiz Alisë mbeti i destinuar vetëm për konsum politik. Askush nuk e çoi te njerëzit që përgjigjeshin për zbatimin e tij. Përkundrazi, tek ta, aty në postat e kufirit, shtoheshin dyzinat e kontrollorëve me thirrjet për t’i treguar vendin çdo shkelësi. Mesazhi i tyre ishte i hapur: Askush mos të mbërrinte i gjallë në tokën e huaj! Apeli për të shtrënguar radhët e vigjilencën në këtë rast, nënkuptonte rreptësi e plumba ndaj shkelësve. Vetëm në zonën kufitare të Shkodrës, gjatë vitit 1990 janë vrarë mbi 20 të tillë. Një pjesë e viktimave madje pa paralajmërim. Për ironi të fatit, asnjë nga urdhëruesit dhe vrasësit e tyre pas dekretit “Alia” nuk shkoi para Drejtësisë. Madje pati syresh që u rritën në përgjegjësi e u dekoruan për përkushtim e devocion të lartë në detyrë.(!)

I mbijetuari
Marian Zef Ndoja i shpëtoi krejt rastësisht breshërisë së plumbave të përballjes së 14 qershorit 1990, por u përball me dhunën e tmerrshme të autoriteteve të kufirit dhe atyre të Sigurimit. Për ta mbetej një kriminel, terrorist, vagabond, kontingjent i armikut të klasës. I gjymtuar nga barbaria e atyre çasteve, i mbijetuari i betejës së përgjakshme, pak më vonë ndërroi jetë nga një aksident automobilistik.

Raportet nga kufiri në vitet ’90: Po na ikin, t’i vrasim!
Aventura për të kaluar kufirin u ka kushtuar jetën 50 të rinjve në pranverën dhe verën e vitit 1990. Së paku, kjo është shifra që kanë dokumentuar regjistrat zyrtarë. Ishte koha kur regjimi ballafaqohej me një realitet të papritur. Tronditja së pari ndihej në rrethet kufitare, mandej në Tiranë. Degët e Punëve të Brendshme të këtyre të fundit raportonin për qendrën dyzinën e rasteve të tentativës për t’u arratisur. Këtë radhë, ndryshe nga herët e tjera, nuk bëhej fjalë për raste sporadike, po për një fushatë të tërë. Emrat e viktimave dhe atyre që kapeshin duke kaluar kufirin, zinin radhë të tëra në këtë komunikim zyrtar. Ngjarjet përthyheshin në raporte kritike që përfundonin me rekomandime të tmerrshme për eprorët e lartë. “Po na ikin. T’i vrasim! Ndryshe, situata del nga kontrolli”. Në logjikën e kohës kjo do të thoshte qëndresë stoike ndaj presionit borgjezo-revizionist për të hapur Shqipërinë(!). Në gërhamat e fundit, regjimi përpiqej t’u tregonte vendin atyre që dilnin kundra diktatit të tij. Dyndja drejt kufijve nuk shfaqej thjesht si një plagë, po shumë më tepër se kaq. Shpagimi në këtë rast shfaqej si një sfidë, përmbushja e së cilës kërkonte zjarrin e armëve luftarake. Breshëritë e tyre nuk kursenin askënd. Madje as fëmijët e adoleshentët që morën rrugën drejt zonës kufitare me mendjelehtësinë e një lodre fëmijësh. Fakti që mosha mesatare e të vrarëve nuk i kalonte të 20-tat, e bënte situatën edhe më tragjike. Mjaft fatkeqë që provuan të kalonin kufirin me ëndrrën e vetme për një jetë më të mirë, mbetën viktima të një terrori të pashoq.

Komisari: Njësiti që asgjësoi shkelësin Pëllumb Pëllumbi
Raporti i komisarit të batalionit kufitar Nr. 298, Enver Ko. është i vetmi dokument zyrtar për ngjarjen e 14 qershorit 1990 në postën e Hanit të Hotit, ku mbeti i vrarë 17-vjeçari Pëllumb Pëllumbi dhe u plagos rëndë Marian Ndoja. Në të bëhet e ditur se operacioni është drejtuar nga komisari i nënrepartit Mynyr Ser. me ndihmën e nënoficerit të qenit të kufirit Isuf Ca. Njësiti që asgjësoi shkelësit, informon Enver Ko., përbëhej nga kufitarët Astrit Dur. nga rrethi i Fierit, Shkëlqim Çu., nga Berati dhe Nikolin Fr., nga zona e Krujës. Pjesa tjetër e dokumentit konfirmon gatishmërinë e efektivave “për t’iu përgjigjur çdo situate, sado e vështirë qoftë, me përkushtim e devocion të lartë”.

Faksimile e dokumentit të kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës për ngjarjen e 16 qershorit 1990 në Hot
Faksimile e dokumentit të kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës për ngjarjen e 16 qershorit 1990 në Hot

AFRIM IMAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura