Dokumentet/ Ish-të përndjekurit, si ndahet fondi 2 mld lekë dhe kategoria që ka prioritet

Feb 5, 2017 | 8:28
SHPËRNDAJE

Ish-të përndjekurit politikë do të marrin 2 miliardë lekë gjatë vitit 2017. Fondi është bërë efektiv dhe të parët që do të përfitojnë janë 1.500 ish-të dënuar politikë të kategorisë parësore, të cilët presin të marrin këstin e shtatë. Fondi i vënë në dispozicion të kategorisë parësore është 70% e totalit prej 2 miliardë lekësh. Ndërkohë, 30% e të gjithë fondit do të shkojë për pagesat e trashëgimtarëve, të cilët presin këstin e tretë ose të katërt.

ish-te-perndjekurFONDI
Fondi i vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit prej 2 miliardë lekësh do të shpërndahet brenda vitit 2017 për 23 mijë dosje ish-të përndjekurish politikë të cilët janë për t’u trajtuar financiarisht. Fillimisht do të marrin këstin e shtatë dhe të tetë përfituesit që janë pjesë e skemës parësore, më pas do të nisë shpërndarja e kësteve të mbetura për kategorinë joparësore.

KATEGORIA PARËSORE
Ministria e Financave përcakton kategoritë që kanë prioritet për të marrë kompensimin për të afërmit që kanë vuajtur në burgjet e sistemit komunist. Janë përcaktuar gjashtë kategori prioritare dhe janë përcaktuar dokumentet që duhen plotësuar për çdo kategori përfituese. Të parat në listë janë gratë ish-të dënuara që jetojnë në momentin e pagesës. Sipas urdhrit të Ministrisë së Financave, në kategorinë e dytë me prioritet janë persona ish-të dënuar mbi 75 vjeç në datën e hyrjes në fuqi të ligjit që vazhdojnë të jenë gjallë. Ndërsa në kategorinë e tretë me prioritet janë persona ish-të dënuar politikë të gjallë që vuajnë nga sëmundje të rënda. Në kategorinë e katërt me prioritet janë personat ish-të dënuar që janë gjallë të cilët, pavarësisht moshës, në momentin e pagesës kanë fëmijë të mitur nën moshën 18 vjeç. Në kategorinë e pestë me prioritet janë personat ish-të dënuar që nuk jetojnë, por në momentin e pagesës kanë trashëgimtarë të radhës së parë në moshë të mitur nën 18 vjeç. Në kategorinë e gjashtë me prioritet janë personat ish-të dënuar që janë gjallë dhe në momentin e pagesës nuk kanë mbushur 75 vjeç.

KATEGORIA JOPARËSORE
Pagesat për kategorinë joparësore, ku përfshihen trashëgimtarët e parë dhe të dy të ish-të dënuarve politikë, kanë ecur me ritme të avashta për shkak të mungesës së dokumentacionit. Për trashëgimtarët, fëmijët, nipërit dhe mbesat e ish-të përndjekurve po shpërndahet kësti i dytë dhe në përfundim të tij do të nisë ndarja e këstit të tretë. Pagesat do të kryhen në bazë të numrit rendor të pagesës së këstit pararendës. Sipas ligjit në fuqi, kur ish-i dënuari politik që jeton ose trashëgimtari ligjor, humbet zotësinë juridike për të vepruar, me vendim gjykate i është përcaktuar kujdestari ligjor. Në këto raste veprimet nga Ministria e Financave bëhen në emër të personit me këtë të drejtë. Në rastin kur ish-të dënuarit politikë jetojnë, ai ose trashëgimtari ligjor kanë të drejtë ta delegojnë me prokurë të posaçme tërheqjen e dëmshpërblimit financiar. Në këto raste veprimet nga Ministria e Financave kryhen në emër të personit me këtë të drejtë.

DOKUMENTET PËR KATEGORITË PARËSORE
1. Ish-të dënuarat politike gra, që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës:
1. Certifikatë personale jo më e vjetër se një javë nga data e dorëzimit.
2. Vërtetim për numrin e llogarisë bankare, në një nga bankat e nivelit të dytë, për ish-të dënuarën politike.
2. Ish-të dënuarit politikë, që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe që kanë moshën mbi 75 vjeç me hyrjen në fuqi të ligjit 94/2014:
1. Certifikatë personale jo më e vjetër se një javë nga data e dorëzimit;
2. Vërtetim për numrin e llogarisë bankare, në një nga bankat e nivelit të dytë, për ish-të dënuarin politik ose të kujdestarit të tij ligjor, kur ai ka humbur zotësinë juridike për të vepruar.
3. Ish-të dënuarit politikë, të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda, sipas përcaktimit të aktit nënligjor të posaçëm:
1. Certifikatë personale jo më e vjetër se një javë nga data e dorëzimit;
2. Vërtetim për numrin e llogarisë bankare, në një nga bankat e nivelit të dytë, për ish-të dënuarin politik;
3. Dokumentacioni që vërteton sëmundjet e rënda.
4. Ish-të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës, të cilët pavarësisht nga mosha, kanë pasardhës të radhës së parë në moshë të mitur, me hyrjen në fuqi të këtij ligji:
1. Certifikatë personale jo më e vjetër sesa një javë nga data e dorëzimit;
2. Certifikatë familjare ku të përfshihet fëmija i mitur;
3. Certifikatë personale të fëmijës/ fëmijëve të mitur;
4. Vërtetim për numrin e llogarisë bankare, në një nga bankat e nivelit të dytë, për ish të dënuarin politikë.
5. Ish-të dënuarit politikë që nuk jetojnë dhe që kanë trashëgimtarë të radhës së parë, të cilët janë në moshë të mitur, me hyrjen në fuqi të këtij ligji:
1. Certifikatë vdekjeje e ish-të dënuarit politik, origjinale;
2. Certifikatë origjinale e trungut familjar të ish-të dënuarit politik, ku të përfshihen: fëmija/fëmijët e mitur. Certifikata e trungut nuk mund të zëvendësohet me certifikatë familjare;
3. Certifikatë personale e të miturit/miturve, trashëgimtarë të radhës së parë të ish-të dënuarit politik që nuk jeton;
4. Akt trashëgimie ligjore për të dënuarin politik, origjinale ose fotokopje e noterizuar;
5. Vendim gjykate të kujdestarisë mbi të miturin në rastin kur edhe nëna/babai i të miturit nuk jeton më;
6. Nr. llogarie bankare në lekë në njërën nga bankat e nivelit të dytë që vepron brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, në emër të kujdestarit ligjor të të miturit;
7. Dokument identiteti (kopje ID-je, pasaporte) të kujdestarit ligjor.
6. Ish-të dënuarit politikë që jetojnë, në momentin e dhënies së pagesës dhe që kanë moshë nën 75 vjeç me hyrjen në fuqi të këtij ligji:
1. Certifikatë personale jo më e vjetër se një javë nga data e dorëzimit;
2. Vërtetim për numrin e llogarisë bankare, në një nga bankat e nivelit të dytë, për ish-të dënuarin politik. Kur ish-i dënuari politik që jeton ka humbur zotësinë juridike për të vepruar, kujdestari ligjor.
(Gazeta Shqiptare)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura