Djali me të meta mendore plagos babain dhe vëllain

Jul 31, 2014 | 12:07
SHPËRNDAJE

Policia dje në vendin e ngjarjes
Një sherr i ashpër në familje është mbyllur dje me tre të plagosur me thika e sende të forta. Të plagosur kanë mbetur babai dhe 2 djemtë, njëri prej të cilëve është autor i ngjarjes dhe është arrestuar. Ngjarja ndodhi rreth orës 16:00, në afërsi të rreth-rrotullimit të “Zogut të Zi”, në rrugën “Karl Topia” në Tiranë, në sheshpushimin e shkallëve të një pallati. Pas një grindjeje të ashpër që 53-vjeçari Gjelosh Ramaj ka pasur me djalin e tij të madh, Albanin, 26 vjeç, ky i fundit ka nxjerrë nga brezi një thikë duke tentuar të vrasë babain e vet. Në këtë moment ka qenë i pranishëm edhe djali i vogël i familjes, Gramoz Ramaj, 19 vjeç, i cili për të parandaluar krimin është futur mes të atit e të vëllait, por ka mbetur edhe vetë i plagosur. Burime nga Policia e Tiranës thanë se autori i dyshuar i ngjarjes jeton në një shtëpi më vete dhe vuan nga probleme mendore, për të cilat edhe kurohet. Ndërsa dje ai ka shkuar te shtëpia e të atit duke i kërkuar para atij, por pa i shpjeguar se për çfarë i duheshin. Duke qenë se babai ka refuzuar t’i plotësonte kërkesën, i dyshuari është nxehur dhe i ka thënë se do ta vriste. Madje ka nxjerrë edhe thikën dhe i është drejtuar për ta qëlluar. I vëllai, që ndodhej pranë tyre, ka tentuar t’i ndalojë, por në përleshje e sipër të tre anëtarëve të familjes, 26- vjeçari ka arritur ta godasë me thikë të atin, madje i ka shkaktuar një plagë të lehtë edhe vëllait. Por, nga ana tjetër ka mbetur edhe vetë i dëmtuar në kokë, pasi gjatë përleshjes është përplasur fort me murin. Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë shërbimet e Komisariatit Nr. 3, si dhe oficerët e Krimeve të Rënda. Tre të plagosurit janë dërguar për mjekim në Spitalin Ushtarak, ku është vënë në pranga edhe autori i dyshuar i ngjarjes, Alban Ramaj. Ndërsa sipas mjekëve, asnjëri nga të plagosurit nuk ka pasur probleme serioze dhe menjëherë pas mjekimit janë larguar për në shtëpi, përveç të dyshuarit si autor i krimit, i cili është transportuar i prangosur në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura