“Ditën që bënë politikë me të vdekurit, e humbën busullën”/ Taulant Balla sulmon PD-në: Shqiptari s’e ka për zakon të…Meta takohet natën me policët të larguar

Dec 3, 2020 | 12:39
SHPËRNDAJE

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, sulmoi sot në Kuvend Partinë Demokratike, që sipas tij po bën politikë me vdekjet. Ai hodhi poshtë akuzat për rindërtimin e Spitalit të Laçit duke u shprehur se në pranverë politika e mbrapsht do të marrë përgjigjen përfundimtare. Balla sulmoi edhe presidentin Ilir Meta, duke thënë se është e turpshme që ai bën politikë me dekretet.

“Kam parë sot me keqardhje një spot të PD për spitalin e Laçit, gënjejnë! Ditën që bënë politikë me të vdekurit, e humbën busullën. Kurrë shqiptari se ka për zakon të bëjë politikë me të vdekurit. PD i ka humbur këto vlera njerëzore dhe humane. Ajo që ka ndodhur dhe po ndodh me spitalin bashkiak të Laçit është procedura e zhvilluar. Shteti shqiptar ka gjetur fondet. Shteti Shqiptar ka kryer procedurën, përfshin edhe institucione ndërkombëtare, është edhe Banka Botërore. Spitali do të fillojë. Kryeministri Rama i qëndron angazhimit të vet, që në pranverën e vitit 2021, atëherë kur politika e mbrapsht që bën politikë me vdekjen do të marrë përgjigjen përfundimtare”, tha Taulant Balla.

“Dua të them dy fjale për dekretin për kthimin e ligjit për Policinë e Shtetit: Ligji është diskutuar për një kohë shumë të gjatë në Kuvendin e Shqipërisë, ka marrë disa muaj, është diskutuar me institucionet e tjera, sikurse është Prokuroria e Përgjithshme, institucione të tjera. Gjej rastin ta falënderoj ministrin e Brendshëm për korrektesën në marrëdhënien me Kuvendit dhe institucioneve të tjera.  Të gjitha përpjekjet, në krye të të cilave tashmë është vënë Ilir Meta, Presidenti i Republikës që për turpin e tij natën takohet me ish-Policë apo Policë të larguar nga Policia e shtetit për shkak të përfshirjes në veprimtari kriminale, dhe ditën gjoja shqetësohet për ligjin për Policinë e Shtetit, sot me votën e këtij Kuvendi merr përgjigjen që ne kemi ndërtuar një Polici Shteti tërësisht të depolitizuar, kemi rezultatet më të mira në të gjithë këto 30 vite. Ajo që është e rëndësishme është që Presidenti duhet të heqë dorë nga bërja politikë me dekretet presidenciale”, vijoi ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura