Ditarët e diplomatit Rauf Fico i dhurohen Muzeut Kombëtar

Sep 30, 2014 | 13:01
SHPËRNDAJE

Koleksioni dhuruar Muzeut Kombëtar
Ditarë, diploma, dekorata, harta… që i përkisnin diplomatit Rauf Fico, iu dhuruan dje Muzeut Historik Kombëtar nga familjarët e tij. Në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar u zhvillua akt-dhurimi i një koleksioni, të trashëguar dhe ruajtur me kujdes nga familja Fico. Janë dorëshkrime, dokumente, ditarë, të mbajtur në momente kyçe të historisë së Shqipërisë apo gjatë kohës kur ai shërbente si diplomat në shtete të ndryshme të Europës. E bija, Hava Lila Fico, ndonëse në të 80-at, nuk mund të mungonte në këtë ceremoni. Ajo kthehet pas në kohë dhe kujton se si kishin mundur t’i shpëtonin dorëshkrimet e të atit nga bastisjet e shumta që i janë bërë shtëpisë së tyre. “Unë dhe vëllai
Hava Lila Fico, e bija e Rauf Ficos
ishim ende të vegjël dhe nëna që kishte shumë merak për këto dokumente, i fshihte që të mos i gjenin, në bodrum, në tavan. Disa nga këto u dëmtuan, për shkak të kontrolleve që na bëheshin nëpër shtëpi. Një herë i kishim futur poshtë tapeteve dhe kur na erdhi policia, një pjesë të tyre i morëm dhe i dogjëm. Ndërsa pjesa tjetër ishte ruajtur në tavanet e shtëpisë së dajos tonë, Selman Stërmasi. Ishin shtëpi shumë të larta dhe askujt nuk i vinte në mend se mund të ishin aty”, kujton Hava Fico. Për të dhe të vëllanë, Bardhylin, këto dokumente kanë një rëndësi të jashtëzakonshme afektive, por edhe historike, ndaj dhe menduan se ishte koha që ky koleksion që ruhej së fundmi në shtëpinë e Bardhyl Ficos, të bëhej i të gjithëve. Kështu ata kanë vendosur që të nderojnë kujtimin e të atit. “Babai i donte shumë njerëzit dhe gjithnjë na thoshte: shikoni ata që kanë barkun bosh. Kur vdiq, babanë e çuan në xhaminë ku sot është Ushtari i Panjohur dhe që andej e ka përcjellë e gjithë Tirana, duke e mbajtur në supe që nga xhamia, deri te Varri i Bamit. Kjo tregonte dashurinë që njerëzit kishin për të”, vazhdon ajo.
Nëndrejtori i MHK, Dorian Koçi, duke vlerësuar këtë dhurim, që merr një vlerë të veçantë në një ditë si ajo e Trashëgimisë Kulturore, u shpreh se “akti bujar i dhurimit të objekteve të koleksionit personal të familjes Fico është vazhdim i dhuratave të mëparshme të këtij personaliteti të nderuar për Muzeun Kombëtar dhe Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë”. Fico është një nga diplomatët më të rëndësishëm në historinë e diplomacisë shqiptare. Ka mbajtur poste të larta që nga administrata osmane dhe në Mbretërinë e Zogut. Ka qenë ambasador në Athinë e Berlin. Rauf Fico kundërshtoi pushtimin italian të Shqipërisë. Pas këtij akti, ai u internua në Itali. Pas shtatorit 1943, Rauf Ficos iu ofrua detyra e regjentit në Këshillin e Naltë, të cilën ai e refuzoi. Vdiq më 23 janar 1944.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura