Disa mendime mbi statusin

Jun 30, 2014 | 12:35
SHPËRNDAJE

FATOS LUBONJA

  Pyetja “ç’mendim ke për statusin, a duhej dhënë apo jo?” vazhdon të bëhet si nga të huajt, edhe nga shqiptarët. Po shkruaj edhe unë mendimin tim.
Pse u dha statusi
 Gjykoj se statusi u dha kryesisht për disa arsye, që nuk kanë të bëjnë thjesht e vetëm me gjendjen e Shqipërisë.
Në nivel kontinenti një arsye, sipas meje, ishte nevoja e vazhdimit të projektit europian në këtë periudhë krize për idenë e Europës së Bashkuar. Brukseli, pra, sikur donte të jepte edhe një mesazh vetinkurajimi. Dhe, gjithë në këtë kontekst, në nivel rajonal Shqipëria nuk mund të mbetej jashtë e vetme. Kjo krijonte një anomali.
Duke e parë pastaj nga jashtë brenda situatën në Shqipëri, sipas meje europianët nga një vështrim pragmatist kanë menduar se dhënia e statusit ishte e keqja më e vogël në raport me mosdhënien. Ata kanë menduar se një mosdhënie e statusit do ta bënte opozitën tejet agresive dhe destruktive, kurse në këtë moment që u dha statusi, opozita mund të pretendojë se ka edhe ajo meritat e veta e, duke parë mbështetjen që ka qeveria, të bëhet disi më e urtë e më bashkëpunuese. Po ashtu, një mosdhënie e statusit do të dekurajonte edhe elementë brenda maxhorancës që, gjithsesi, e kanë një motivim për të bërë diçka. Kurse, duke mos dhënë statusin, europianët do të binin në një mendje me shumë shqiptarë të dekurajuar që të thonë: “Ky vend nuk bëhet.”
Pra, statusi duhej për të mbajtur gjallë, si për europianët edhe për shqiptarët, utopinë e Europës e cila (utopia), siç thuhet, shërben për të ecur ose më saktë për të pasur një drejtim për nga ecën.
A e meritojmë statusin
Përtej këtyre argumenteve të “po”-së, pyetja që shtohet është: a e meritojmë objektivisht statusin? Kjo pyetje lidhet me përgjigjen që duhet t’i japim pyetjes: a ka bërë progres apo ka bërë regres Shqipëria gjatë këtyre viteve? A ndihen shqiptarët sot më mirë, le të themi, se dhjetë vjet më parë?
Kjo është një pyetje së cilës, sipas meje, duhet t’i qasemi duke vënë në dyshim mitin e progresit, idenë se gjithsesi ecet vetëm përpara, ndonëse diku më shpejt dhe diku më ngadalë. Historia na ka treguar se ka edhe projekte të gabuara, që kanë përcaktuar drejtime të gabuara ecjeje për një kohë të gjatë e që kanë sjellë, madje, edhe katastrofa. Po ashtu, duhet vënë në dyshim edhe ideja se ka vende që njohin vetëm progres me të cilët ne identifikojmë demokracitë perëndimore, pasi edhe në këto vende sot vëmë re kriza të rënda. Për ilustrim të çka thashë më sipër, mjaft të kesh parasysh se ç’po ndodh në Irak apo faktin se në vende si Italia, Greqia, por edhe Franca apo Spanja e Portugalia mbizotëron ndjenja e një regresi të fortë.
Duke pasur parasysh këto dhe realitetin shqiptar, unë gjykoj se është e vështirë të thuash se Shqipëria ka bërë progres gjatë këtyre viteve.
Por, le t’i marrim me radhë disa tregues kryesorë me të cilët mund të matet progresi.
Së pari, ekonomia. A ka ndryshuar për më mirë ajo gjatë këtyre viteve? Duke mos mohuar disa zhvillime pozitive, veçanërisht në bujqësi dhe turizëm aty-këtu, si dhe në ndërtimin e rrugëve, personalisht fakti që Shqipëria gjithnjë e më shumë po shndërrohet në një territor ku tentohet të mbillet kanabis, është shenjë e dukshme falimentimi ekonomik. Është i panumërt numri i atyre që të thonë sot se me zhdukjen e ekonomisë së drogës niveli i papunësisë në vend, edhe kështu në rritje, do të njohë rritje të jashtëzakonshme. Mjafton kjo për të vënë në dyshim progresin ekonomik. I duhet shtuar kësaj note pesimiste edhe faktin se e ashtuquajtura rritje e GDP (që sot nuk njihet më si tregues mirëqenieje) është kryer gjatë këtyre vjetëve mbi bazën e një shfrytëzimi të egër dhe të paskrupullt të territorit për përfitimet e një grupi të vogël njerëzish në kurriz të gjithë të tjerëve dhe duke mos hedhur kurrsesi themelet e një ekonomie të qëndrueshme.
Së dyti, çfarë mund të thuhet lidhur me sistemin politik të përfaqësimit, prej nga del edhe klasa politike? A ka ardhur duke u përmirësuar klasa jonë politike dhe a është ajo gjithnjë e më shumë përfaqësuese e interesave të sa më shumë shqiptarëve apo ka ndodhur e kundërta? Sipas meje, kemi një klasë politike gjithnjë e më të kriminalizuar në krahasim me dhjetë vjet më parë dhe këtë e provon edhe niveli i Parlamentit që kemi sot. Po ashtu, kemi një klasë politike gjithnjë e më shumë përfaqësuese të një pakice oligarkësh, deri edhe të krimit të organizuar.
Së treti, mund të merret në analizë se a kemi më shumë apo kemi më pak besim tek institucionet e rëndësishme shtetërore si drejtësia p.sh. Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, po mjaftohem të sjell deklaratën e Kryeministrit Rama se drejtësia është Lazarati i vërtetë i Shqipërisë.
Së katërti, a mund të thuhet se kanë bërë përpara mediat shqiptare? Sipas meje jo. Mund të flitet për përparime teknologjike, por niveli i mediave, për sa i përket informimit dhe formimit të publikut, ka përjetuar një degradim. Zor të dëgjosh sot njeri – ndoshta përveç atyre që kanë interesa të lidhur me mediat – që të të thotë se respekti për mediat, për personalitetin dhe profesionalizmin e gazetarëve është më i lartë se para dhjetë vjetësh.  
Së pesti, mund të shtrohet pyetja nëse ka bërë përpara sistemi arsimor, niveli i edukimit të njerëzve. Edhe këtu, jo vetëm për sa i përket nivelit të arsimit të lartë, që këto vitet e fundit, me universitetet private ka njohur deri edhe fenomenin e paparë të shitblerjes së diplomave pa ndjekje mësimi, por duke filluar që nga arsimi i ulët e i mesëm vështirë të gjesh sot njerëz që mund të të flasin për progres, që mund të të thotë se edukimi dhe figura e pedagogut kanë njohur ngritje dhe jo degradim në këtë vendin tonë. Madje, puna ka arritur deri atje sa shumica e shqiptarëve mendojnë se arsimimi, në shumë aspekte, hiq atë të ideologjizimit, është shumë më keq se në kohën e diktaturës.
Mund të merrja në analizë edhe tregues të tjerë, si p.sh. a kemi një rritje apo rënie të korrupsionit, të krimit, të papunësisë, por nuk po zgjatem.
Personalisht, nga sa kam mundur të hulumtoj duke vënë edhe në dyshim pesimizmin personal, më rezulton se po të pyesësh shqiptarët se si ndihen në tërësi – më mirë apo më keq, më të kënaqur apo më të pakënaqur, më të lumtur apo më të palumtur, më me shpresë apo më me pak shpresë sesa dhjetë vjet më parë, të përgjigjen se ndihen më keq.
Kjo sipas meje vjen pasi drejtimi për nga kemi ecur, edhe pse duke pasur një vështrim drejt Europës, nuk është drejtimi i Europës. Shqiptarët pra i ngjasojnë atij që, gjithë duke parë Europën, ecën në një drejtim tjetër, edhe mbrapsht në shumë aspekte. Dhe kjo e ka një arsye. Elitës politike ekonomike, që është edhe instrumenti kryesor që vë në lëvizje vendin e me të cilin manipulojnë edhe europianët me politikën e shkopit dhe karotës, thellë-thellë nuk i intereson hyrja në Europë. Sepse tek e fundit ky do të thotë instalim i shtetit të së drejtës, që më konkretisht do të thotë se pushteti nga duart e tyre të shkojë në “duart” e së drejtës, ligjit. E, në këtë mënyrë, ata kanë tërhequr zvarrë një popull të tërë në drejtimin e kundërt nga Europa. Vrasja fill pas dhënies së statusit, mu në mes të ditës, njëqind metra larg selisë së Kryeministrisë dhe pesëdhjetë metra larg Zyrave të Kuvendit e bankierit, biznesmenit dhe pronarit të mediave Artan Santo ishte një ngjarje që, po ta rrëmosh, flet shumë për këtë ecje mbrapsht.
Dhe këtu, sipas meje, vjen pika e dobët e dhënies së statusit, “por”-i madh. A duhej dhënë statusi, po të kesh parasysh se në një farë mënyre ai e legjitimoi këtë elitë politike ekonomike, ndërkohë që ajo meriton të ndëshkohet? Po të kesh parasysh këtë aspekt, sigurisht që jo.
Pra, nëse do të tentojmë të bëjmë një sintezë midis argumenteve të “po”-së dhe atyre të “jo”-së si përfundim, do të thosha këtë gjë: Nëse dhënia e statusit për perëndimorët mund të konsiderohet karota e radhës që tani duhet t’i lërë vendin përdorimit me mençuri të shkopit të radhës, ne këtu brenda nuk duhet thjeshtë të ham e reklamojmë karotën duke vazhduar të bëjmë hapa prapa. Përgjigjja që duhet të jepet sipas meje lidhur me statusin është një “po”, së cilës i duhet shtuar një “por” i madh nga prapa, mbi të cilin gjithkush duhet të reflektojë sipas vendit që ka në punë e shoqëri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura