Referendumi, Klosi: Ristani, një vegël e Berishës

Jun 29, 2012 | 15:03
SHPËRNDAJE

Partia Socialiste ka reaguar sot lidhur me vendimin e marrë një ditë më parë nga Kosmisioni Qëndror i Zgjedhjeve për referendumin për ndalimin e importit të plehrave, duke e konsideruar atë absurd dhe skandaloz.

Deputeti i PS-së, Blendi Klosi tha se, Arben Ristani, mohoi dje në mënyrë të turpshme, përmes procedurave të shpikura, njësoj si në 8 Maj, vullnetin e një populli për tu shprehur për të ardhmen e tyre dhe interesat jetësore të brezave që do të vijnë.

“Me vendimin e djeshëm, Arben Ristani tregoi se është një ushtar i bindur e vegla e Saliut për të ngritur pushtetin mbi votën e vjedhur. 65 mijë qytetarët që firmosën për të kërkuar të drejtën e tyre legjitime të referendumit, e qindramijëra të tjerë që i mbështesin kuptuan dje se për Arben Ristanin dhe përfaqësuesit e maxhorancës në KQZ e ardhmja e Shqipërisë nuk vlen aspak krahasuar me paratë që do përfitohen nga futja e gjithfarëlloj plehrave në Shqipëri.”- thuhet në deklaratën e PS-së.

Duke  konsideruar një vendimin e djeshëm si një shkelje të Kushtetutës, Klosi ka siguruar grupin nismëtar dhe qytetarët shqiptar se, vendimi i parë pas fitores së zgjedhjeve të ardhshme do të jetë anulimi i këtij ligji, që për interesa të pushtetit synon ta kthejë Shqipërinë në një kosh plehrash.

Në mbyllje të deklaratës së tij, Klosi  theksoi se, vetmja dhuratë që Sali Berisha ka ndërmend t’i bëjë Shqipërisë në 100 vjetorin e pavarësisë, nuk është as godina e re e parlamentit, as stadiumi i ri, as statujat, por thjesht dhe vetëm një monument i madh me plehrat e botës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura