Dhunohen e grabiten në malin e Korabit turistët çekë

Jul 30, 2011 | 12:24
SHPËRNDAJE

DIBER- Grabiten e dhunohen turistët çekë në bjeshkët e Korabit. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 16:30, kur në bjeshkët e këtij mali kanë qenë për pushim një grup turistësh prej katër personash (dy çifte) me shtetësi çeke. Gjatë rrugës, njëri prej çifteve të turistëve të huaj është sulmuar nga katër persona adoleshentë, të cilët me dhunë u kanë marrë 2 çanta dhe një shumë parash prej 300 eurosh. Mësohet se atyre iu është zënë pritë nga çobanët e Kalasë së Dodës në fushat e Radomirës. Njëri nga çiftet që ishte në krye të udhëtimit, ka rënë pre e dhunës, ndërsa çifti i dytë sapo ka nuhatur dhunën mbi bashkështetasit e tyre, është larguar me shpejtësi në drejtim të fshatit Radomirë. Ata kanë mundur të japin alarmin duke telefonuar Ambasadën Çeke në Tiranë. Kjo e fundit kërkoi menjëherë ndihmën e Policisë së Shtetit për të siguruar jetën e turistëve të saj, të cilët ndodheshin në rrezik për jetën në malin e Korabit. Në kohë rekord Ministria e Brendshme ka nisur drejt alpeve të Dibrës një helikopter dhe forca të RENEA-s, për të shpëtuar turistët që kishin dhënë alarmin. Zhurma e helikopterit ka bërë që çobanët dhunues e grabitës të fshihen në mal. Ndërsa turistët janë shpëtuar duke i zbritur ata në qendër të komunës Kala e Dodës, ku janë bashkuar me çiftin tjetër. Burime të Policisë thanë se dy turistët e dhunuar u shprehën se kanë parë tmerr me sy kur disa të rinj, katër veta, u kanë zënë pritë dhe më pas i kanë sulmuar e rrahur me shkopinjtë që mbanin me vete. “Lamë prapa zonën e Kukësit dhe po zbrisnim bjeshkëve për në Peshkopi. Përpara na dolën disa të rinj. Nuk kuptonim asgjë çfarë ata kërkonin nga ne. Nisën t’na qëllojnë me shkopinjtë që mbanin me vete. Na binin kudo, këmbëve, trupit e kokës. Nuk patëm asnjë mundësi të mbrohemi. U detyruam të ikim me vrap, por na mbajtën me forcë çantat që kishim me vete”, janë shprehur në polici turistët e sulmuar. Burime të Policisë së Dibrës bënë të ditur se në bashkëpunim me specialet e ardhura nga Tirana dhe helikopterin që po kontrollin nga ajri, janë në kërkim të personave që kryen grabitjen e shtetasve të huaj. Ata kishin shenja të dukshme të dhunës nëpër trup, ndaj janë nisur me mjetet e policisë drejt Spitalit të Peshkopisë për të marrë ndihmën mjekësore. Kjo nuk është hera e parë që turistët e huaj, dhe si për koincidencë ata çekë, janë sulmuar në zonat malore të vendit tonë. Dy studentë cekë u zhdukën në aplet e Thethit, ndërsa në Korçë u dhunua pak vite më parë një tjetër çift studentësh çekë.

POLICIA: DHUNUESIT JANË FËMIJË

Mbrëmë reagoi edhe Policia e Dibrës në lidhje me ngjarjes që ndodhi në territorin e saj. “Rreth orës 16:30 ndodhi grabitja e disa turistëve të huaj. Menjëherë janë organizuar shërbimet, të cilët së bashku me grupin hetimor u nisën në vendngjarje. Po ashtu, në vendngjarje mbërriti edhe një njësi speciale e forcave RENEA dhe një helikopter. Nga të dhënat paraprake, ka rezultuar se në bjeshkët e malit të Korabit kanë qenë për pushim një grup turistësh çekë”, bëri të ditur Policia. Sipas njoftimit të dhënë, 4 fëmijë, që dyshohet se janë të moshës 12-14 vjeç, të cilët me dhunë u kanë marrë 2 çanta dhe një shumë parash prej 300 eurosh turistëve, janë autorët e ngjarjes që vuri në alarm Policinë e Shtetit.

KRYEKOMUNARI: NGJARJA E RENDE

Kryetari i komunës Kala e Dodës, Bajram Himallari, i cili ka pritur së bashku me policinë lokale turistët e huaj në fshatin Radomirë, u shpreh se ngjarja është shumë e rëndë. “Zona jonë nuk njihet për ngjarje të tilla. Na vjen keq që turistët e huaj janë dhunuar e grabitur pikërisht në territorin e komunës Kala. Nga të dhënat e para që kemi, janë të rinj adoleshentë që kanë kryer këtë veprim të ulët. Janë të rinj që ngjiten në mal çdo verë me bagëti. Nuk e dimë në ç’rrethana ka ndodhur ngjarja, por ne kërkojmë ndëshkimin e tyre, pasi ngjarje të tilla dëmtojnë edhe imazhin e vendit”, u shpreh ai.

HASAN PASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura