Deputeti ukrainas në TV: Putin do të vritet në Kiev

Jun 30, 2014 | 13:11
SHPËRNDAJE

Vladimir Putin, presidenti i Rusisë
Deputeti i Kuvendit ukrainas, Anatolij Gritsenko, një ish- ministër Mbrojtjeje, ka deklaruar në një emision të ndjekur televiziv se Presidenti rus Vladimir Putin do të vritet nëse shkon në Kiev.
“Besoj të ketë patriotë që do ta vrasin dhe kjo është mirë të ndodhë”, ka thënë Gritsenko, sipas agjencisë RT. Duke e quajtur Presidentin rus “fashist”, ai ka shtuar se “Putin nuk do të ndalet. Ai s’do vetëm Ukrainën, por edhe shtetet baltike e vende të tjera”. Gritsenko, i cili ka qenë dy herë kandidat në zgjedhjet presidenciale në Ukrainë, në vitin 2010 dhe në vitin 2014, tha se: “Nuk mund ta imagjinoj që Vladimir Putin të vijë në Ukrainë dhe të nënshkruajë ndonjë marrëveshje”.
Protesta kundër armëpushimit
Nga protestat kundër armëpushimit, dje në Kiev
Ndërkohë ka negociata mes përfaqësuesve ukrainas, atyre rebelë prorusë në lindje të këtij vendi dhe negociatorëve europianë dhe rusë për paqe mes komuniteteve në Ukrainë, në pjesën qendrore të Kievit, kryeqyteti i Ukrainës, dje u organizuan protesta për përfundimin e armëpushimit. Forcat e sigurisë në Ukrainë po luftojnë kundër separatistëve prorusë. Edhe pse armëpushimi duhej të përfundonte më 27 qershor dhe u zgjat deri të hënën për hir të negociatave, luftimet në terren vazhdojnë. Brenda 24 orësh janë gjetur pesë ushtarë të vrarë ukrainas. Protestuesit në Kiev, disa prej tyre me maska, kërkuan që Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, të shpallë zbatimin e ligjit ushtarak në pjesën lindore të Ukrainës, si dhe të armatosë vullnetarët për t’i luftuar “terroristët”. Armëpushimi përfundon sot në orën 22:00.  
Lirohen monitoruesit
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) njoftoi të dielën se separatistët prorusë në Ukrainë kanë liruar katër vëzhgues të OSBE-së, që mbaheshin peng prej më shumë se një muaji. Ky është grupi i dytë i monitoruesve të OSBE-së, që lirohet brenda tri ditësh. Grupi i parë me katër vëzhgues u lirua më 26 qershor, në rajonin Donetsk. Lirimi i monitoruesve ishte një nga kërkesat që BE paraqiti për Rusinë në samitin e Brukselit, para dy ditësh, si shenjë se ky vend po punon për të ulur tensionet në pjesën lindore të Ukrainës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura