Depresioni, tre persona i japin fund jetës brenda pak orësh

Sep 30, 2011 | 10:41
SHPËRNDAJE

Tre persona i kanë dhënë fund jetës dje në gjendje depresive në Korçë, Librazhd e Elbasan. Sipas burimeve të Policisë, mes viktimave është edhe një adoleshent i cili vendosi t’i japë fund jetës duke u vetëvarur. Mësohet se ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Gopesh të komunës së Moglicës në Korçë. Viktima, 16-vjeçari Romeo Çorbaxhi, është gjetur nga babai i tij i vetëvarur në një banesë të braktisur jashtë fshatit Gopesh, në zonën malore të Moglicës. Sipas të dhënave, të dy prindërit e adoleshentit kishin kaluar një situatë të rëndë depresive e madje edhe kuroheshin me medikamentet e rekomanduara nga mjekët psikiatër. Por gjendja e rënduar depresive e prindërve, e cila reflektonte pasoja të tjera sociale e ekonomike në familjen Çorbaxhi, ka bërë që 16-vjeçari të vendoste vetëflijimin. Ai ka kaluar gjithashtu në gjendje depresive nga situata familjare, të cilën nuk ka mundur dot ta përballonte. Mësohet se djali nuk kishte pasur mundësi të vazhdonte shkollën e mesme, duke u marrë me punë bujqësie në fshat. Babai e gjeti të birin kur kishte nisur ta kërkonte, pas mungesës së gjatë të tij në banesë. Ai ka mbetur i shtangur kur është përballur me të birin e vetëvarur në një nga trarët e banesës së braktisur. Po dje, një 35-vjeçar i dha fund jetës, duke u vetëhedhur nga lartësia në Elbasan. Burime të Policisë bënë të ditur se në lagjen “Shën Koll”, 35-vjeçari Ermir Dyrmishi është vetëhedhur nga kati i katërt i pallatit. Grupi hetimor në vendin e ngjarjes, pasi ka marrë në pyetje të afërm të 35-vjeçarit, ka konstatuar se ky i fundit vuante nga sëmundja mendore dhe se prej kohësh kurohej me medikamente. Ndërkaq, një 55-vjeçar, baba i tre fëmijëve, është gjetur i vetëvarur dje në afërsi të banesës së tij. Ngjarja ndodhi rreth orës 17:00, në fshatin Katjel të Komunës Rrajcë, në rrethin e Librazhdit, ku viktima Bedri Gurra është gjetur i vetëvarur në një pemë shumë pranë banesës nga kunati i tij. Policia, pasi ka marrë në pyetje të afërmit e 55-vjeçarit, bashkëshorten dhe fëmijët, ka konstatuar se shkak i vetëvarjes ka qenë depresioni. Policia tha se viktima kurohej prej disa kohësh për gjendjen depresive.

Vetëflijimet
Për të tria ngjarjet që ndodhën në Korçë, Elbasan e Librazhd, Policia ka nisur hetimet. Paraprakisht dyshohet depresioni, por nuk përjashtohen as pista të tjera. Në dy prej ngjarjeve, viktimat janë vetëflijuar me litar, ndërsa një tjetër është hedhur nga lartësia

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura