Depozitat, 4% e klientëve kanë 4.3 miliardë USD

Mar 31, 2011 | 13:05
SHPËRNDAJE

Më shumë se 55 për qind të të gjithë depozitave që ka sistemi bankar, kontrollohen vetëm nga 4 për qind e klientëve. E thënë me pak fjalë, vetëm 4 për qind e shqiptarëve zotërojnë më shumë se gjysmën e pasurisë monetare të vendit. Kjo, duke supozuar se e gjithë pasuria monetare, pra paraja fizike, është në banka. Shifrat e fundit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave e bëjnë të qartë diferencën e krijuar mes depozituesve, pra klientëve. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2010 shuma totale e depozitave në sistemin bankar arriti në 785.2 miliardë lekë, ose rreth 7.852 miliardë dollarë. Sipas ASG, 55 për qind të kësaj shume, ose 4.318 miliardë dollarë e kanë në zotërim vetëm 4 për qind e depozituesve. Shifër kjo që tregon qartë polarizimin ekonomik të shqiptarëve. Ndërkaq, lidhur me strukturën, 96 për qind të numrit të depozituesve e zënë ata që kanë në llogari deri në 2.5 milionë lekë të vjetra, ndërkohë që numri i atyre që depozitojnë mbi këtë shumë, është 4 për qind. Por e kundërta ndodh me shumën, 45 për qind të gjithë shumës së depozitave e përbëjnë depozitat nën 2.5 milionë, ndërsa 55 për qind ato mbi këtë nivel. Shifra nën 2.5 milionë lekë garantohet nga Agjencia, në rast të falimentimit të bankave. Ndërsa depozitat mbi këtë shifër garantojnë vetëm pjesën e parë. Sipas raportit, gjatë vitit 2010 është rritur numri i depozitave të siguruara me 14.8 për qind, krahasuar me 2009. Në raportin e saj vjetor, Agjencia nënvizon se në fund të vitit 2010 depozitat e klientëve në sistemin bankar shqiptar u rritën me 18.2 për qind, krahasuar me një vit më parë. Ndërkaq, sipas raportit, vihet re rritja e sigurimit të depozitave për individët, sidomos në muajin shtator dhe dhjetor të vitit të kaluar. Në statistika sipas ASD, depozitat e individëve që janë subjekt i skemës së sigurimit, zënë një peshë 81 për qind, kundrejt totalit të gjithë depozitave në sistemin bankar, kurse depozitat e siguruara përfaqësojnë rreth 69 për qind të depozitave të individëve. Përgjithësisht, depozitat janë në lekë dhe vetëm 46 për qind e tyre janë në valutë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura