Demi: Rikthej titullin te Partizani

Sep 30, 2013 | 12:45
SHPËRNDAJE

Presidenti i Partizanit, Gaz Demi, është modest dhe nuk kërkon tituj. Madje, edhe termin president nuk e ka shumë për zemër. “Më mirë më fol Gazi, se kështu më pëlqen më shumë”, e nis komunikimin e tij me batutë kreu i klubit kryeqytetas. Është presidenti më i ri i futbollit shqiptar. Detyrën e mori zyrtarisht dy javë më parë. Idhuj, ëndrra, projekte dhe shumë premtime. Presidenti i Partizanit është konciz dhe i prerë kur bisedon. Nuk flet shumë dhe tregohet i sinqertë në ato që thotë. Mbi të gjitha, qëndron me këmbë në tokë. “Kam qenë tifoz i kësaj skuadre që i vogël. Sigurisht, nuk mund të them nga ata mbështetësit e “çmendur”, por e ndiqja shumë këtë skuadër. Dhe tani jam president i saj. Idhull? Është shumë e vështirë që të veçosh një ose dy. Ky klub ka pasur në përbërje lojtarë shumë të mëdhenj gjithmonë. Megjithatë, do të përmend Panajot Panon që ka qenë një emër i madh jo vetëm i Partizanit, por i të gjithë futbollit shqiptar. Objektivi? E para dhe më kryesorja është përfundimi i shtëpisë së Partizanit. Së dyti nuk mund të them se brenda një, dy apo edhe tri vitesh do e fitojmë titullin. Por, i garantoj tifozët se shumë shpejt do të rikthehemi te titulli”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura