Dell: Spektri politik është i zhytur në korrupsion

Mar 30, 2012 | 20:31
SHPËRNDAJE

Për herë të parë që kur u dekretua ambasador i SHBA-së në Kosovë, Cristopher Dell ka folur hapur dhe siç është deklaruar edhe vetë “seriozisht” për korrupsionin në Kosovë. Gjatë ceremonisë së dekretimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të ri të Kosovës, ai ka hedhur vrerin e zi mbi gjithë spektrin politik e shoqërore të vendit për të cilët ka thënë se janë të zhytur në korrupsion.

Sipas Dell, të gjithë po flasin për korrupsionin por askush nuk e lufton atë.

“Të gjithë anëtarët e partive politike bëjnë me gisht nga njëri- tjetri duke thënë se ata janë të korruptuarit. Por, disa prej tyre që bëjnë me gisht janë po aq të gatshëm të mbushin kutitë e votimit, t’ua gjejnë anëtarëve të familjeve të tyre ndonjë vend të mirë pune në Qeveri dhe t’ua mundësojnë miqve të tyre marrjen e kontratave të leverdishme biznesi kur kjo gjë është në interesin e tyre,” deklaroi Dell.

E gjithë kjo, sipas Dell, po ndikon në fundosjen e Kosovës ekonomikisht pasi asnjë investitor i huaj nuk do të dëshironte që të investonte në një vend ku korrupsioni po bënë kërdinë.

Ndërkohë presidentja e vendit që ishte pjesëmarrëse në këtë ceremoni, ka dhënë garancinë e saj se në Kosovë do të respektohen ligjet dhe Kushtetua ndërsa u ka bërë apel të 56 certifikuarve për gjyqtare e prokurorë që mikun e vetëm të tyre ta kenë ligji dhe kushtetutën.(kohaditore)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura