Dekretet e Nishanit për Gjykatën, LSI kundër PS

Oct 31, 2014 | 12:46
SHPËRNDAJE

Votimi i dekreteve të Presidentit Bujar Nishani për Gjykatën e Lartë ka përçarë dje maxhorancën e majtë në Parlament.
Deputetët e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, në mungesë të kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, ka mbajtur qëndrim ndryshe nga kolegët e Partisë Socialiste, duke votuar pro dy kandidaturave të propozuara nga Presidenti për postet vakante në Gjykatën e Lartë. Maxhoranca ka rrëzuar dje kandidaturën e Elona Stravrit me 73 vota kundër, 2 vota pro dhe 3 vota abstenim. Për zonjën Stavri kanë votuar pro kreu i Komisionit të Sigurisë Spartak Braho, deputeti i Vlorës Shkëlqim Selami dhe deputeti i PDIU-së Aqif Rakipi. Ndërkohë, abstenuan dy deputetët e LSI-së, Luan Rama dhe Bujar Kllogjeri, si dhe nënkryetari i Kuvendit, Vangjel Dule, i cili drejtonte seancën. Por, pas mbylljes së procesit, deputetët e LSI-së “zbuluan” se kishin votuar gabim, pasi në axhendë kandidatura e parë ishte ajo e Sokol Ngresit, ndërkohë që po votohej për kandidaten e dytë, Elona Stavri (Toro). Pasi nënkryetari i Kuvendit njoftoi votimin e dytë për Sokol Ngresin, deputetët e LSI-së komentuan me njëri-tjetrin se kishin votuar gabim. “Pse nuk votuam për Ngresin tani?! Paskemi votuar gabim”, tha Luan Rama i habitur, duke pyetur deputeten Monika Kryemadhi. Kurse deputeti i PDIU-së Aqif Rakipi konfirmoi se do të votojë si kreu i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho. “Unë do votoj si Taku (Spartak Braho). Unë jam me Takun”, tha deputeti i vetëm i PDIU-së në sallë.
Votimi i dytë
Gjatë votimit të dekretit të dytë nga radhët e shumicës u devijuan 7 vota të majta. Gjatë votimit të dytë, deputetët e   LSI-së kanë votuar pro dekretit të Sokol Ngresit, i cili është rrëzuar me 67 vota kundër, 7 vota pro dhe 1 votë abstenim.  Spartak Braho ka mbajtur të njëjtin qëndrim të shprehur dhe në Komisionin e Ligjeve, duke votuar pro dekretit të Presidentit, dhe votës së tij iu bashkua edhe deputeti PDIU-së Aqif Rakipi. Ndërkaq, pro kanë votuar dhe deputetët e tjerë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, Shkëlqim Selami, Luan Duzha e Bujar Kllogjeri. Një votë ka rrjedhur nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, ajo e Armando Subashit. Ky i fundit ishte pjesë e komisionit të numërimit të votave dhe gjatë leximit të tij nuk ka paraqitur votën e tij në mënyrë nominale. Por, gjatë leximit të rezultatit final, votat nuk përputheshin me votat pro të thëna me gojë nga deputetët. I pyetur nga “Panorama”, Subashi tha se vota e shtatë pro Sokol Ngresit ishte e tija. “Unë votova pro, vota e shtatë ishte e imja”, tha Subashi. Dje ligjvënësit e majtë kanë pranuar vetëm një propozim të Presidentit, atë të anëtarit për Autoritetin e Konkurrencës, ku u zgjodh Eduard Ypi me 66 vota pro, 9 kundër dhe 3 vota abstenim. Ndërkohë që rivali i tij, Armand Afezolli, mori vetëm 12 vota pro, 63 kundër dhe 4 abstenim.
Batuta
Votimi është realizuar në mënyrë nominale dhe deputetët e majtë. Taulant Balla dhe Erjon Braçe kanë bërë batuta gjatë leximit të emrit të ish-kryeministrit Sali Berisha. Fillimisht gjatë votimit të Elona Stavrit, kur u lexua emri i Berishës, socialisti Balla ka bërtitur “Pro”, reagim që ngjalli të qeshura në sallë. Po ashtu edhe Erjon Braçe ka ripërsëritur këtë batutë gjatë votimit të dekretit të dytë, duke thënë: “Abstenim”, për emrin e Sokol Ngresit.

Tabela e votimit
Kandidatura e Elona Stavrit për anëtare e Gjykatës së Lartë

Pro: 3, Kundër: 73, Abstenim: 3
Votuan pro
Spartak Braho-LSI
Shkëlqim Salami-LSI
Aqif Rakipi -PDIU
Votuan abstenim
Luan Rama-LSI
Bujar Kllogjeri-LSI
Vangjel Dule-PBDNJ

Kandidatura e Sokol Ngresit për anëtar i Gjykatës së Lartë
Pro: 7, Kundër: 67, Abstenim: 1
Votuan pro
Armando Subashi-PS
Spartak Braho-LSI
Luan Duzha-LSI
Luan Rama -LSI
Bujar Kllogjeri-LSI
Shkëlqim Salami-LSI
Aqif Rakipi-PDIU
Votoi abstenim
Vangjel Dule-PBDNJ

KËSHILLI I LARTË I DREJTËSISË
Votimi i fshehtë për anëtare e KLD Albana Shtylla
Pro: 77 vota; Kundër: 2 vota
Votimi i fshehtë për anëtar  i KLD Vangjel Kosta
Pro: 71 vota; Kundër: 7 vota; Abstenim: 1 votë

AUTORITETI I KONKURRENCËS
Fiton Edison Ypi, votimi i fshehtë
Pro: 66 vota; Kundër: 9 vota; Abstenim: 3 vota
Nuk fiton Armand Afezolli, Votim i fshehtë
Pro: 12 vota; Kundër: 63 vota; Abstenim: 4 vota

Shtylla më e votuara në KLD, vetëm 2 kundër
Albana Shtylla do të jetë tashmë anëtarja më e re e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Me votim të fshehtë, Parlamenti miratoi me 77 vota pro e 2 kundër propozimin e 28 deputetëve për dhënien e mandatit si anëtare e KLD-së Albana Shtyllës. Ajo do të marrë mandatin e ndërprerë nga shkarkimi i Elvis Çefës dhe të Lulzim Lelçajt. Në këtë mënyrë duket se është shënuar dhe dalja nga “rreshti” i dy deputetëve të maxhorancës që nuk kanë mbështetur vendimin e Grupit.

Vangjel Kosta merr votat për në KLD, 7 kundër
Vangjel Kosta ka marrë dje besimin e deputetëve të Parlamentit për anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Pas shkarkimit të Elvis Çefës dhe Lulzim Lelçajt, Parlamenti vijoi me plotësimin e vendeve vakante. Kosta ka marrë mbështetjen e 71 votave, 7 kundër dhe 1 abstenimi. Ndërkohë që ishte propozuar nga 28 deputetë. Por, ndërsa Shtylla mori vetëm 2 vota kundër, Kosta shënoi 7 vota kundër nga deputetët e maxhorancës. Votimi për të u bë i fshehtë me elektronikë.

Strakosha fiton ndaj Bashës në Shërbimin Civil
Pranvera Strakosha ka fituar dukshëm në garën me vota ndaj Arbana Bashës për pozicionin e vendit vakant për komisioner për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil. Kuvendi zgjodhi fituese kandidaten Pranvera Strakosha me 73 vota pro, 4 kundër dhe 2 abstenim, ndërsa kandidatja Arbana Basha mori 8 vota pro, 86 kundër dhe 3 abstenime. Votimi i kandidaturave kaloi përmes votimit të fshehtë dhe elektronik. Ndërsa më parë, të dy kandidaturat kaluan në procesin përzgjedhës të Komisionit të Ekonomisë.

Hetimi i administratës, Balla nënkryetar
Parlamenti ka votuar me 77 vota kërkesën e opozitës për komisionin hetimor “Për verifikimin e ligjshmërisë së emërimeve në detyrë në administratën shtetërore, entet publike apo shoqëritë tregtare shtetërore”. Taulant Balla do të jetë nënkryetar, ndërsa Evis Kushi, Majlinda Bufi, Ulsi Manja dhe Bujar Derveni do të jenë anëtarë. Kryetari i përket opozitës, e cila ka paraqitur kërkesën. Por për shkak të bojkotit, opozita nuk ka marrë pjesë, ndërsa e shikon këtë si një detyrim të maxhorancës dhe jo ndryshim të klimës në Kuvend.

Votohen hetimet për serverin e Tatimeve
Kërkesa e opozitës për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar “Për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi për administrimin e bazave të të dhënave shtetërore tatimore, si dhe për të njohur dhe verifikuar më thellë fenomenin e ndërhyrjes dhe të bllokimit për disa ditë të sistemeve elektronike tatimore”, u votua me 76 vota pro. Kuvendi miratoi si nënkryetar Blendi Klosin dhe anëtarë Vasilika Hysin, Blerina Gjylametin, Ervin Koçin, Ervin Bushatin, Përparim Spahiun.

FATION BINJAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura