Debati, rritja e pagës minimale me dy nivele

Feb 18, 2017 | 11:20
SHPËRNDAJE

Qeveria në muajin mars do të diskutojë dy nivele të pagës minimale, atë për rritjen 1 mijë lekë të biznesit fason dhe 2 mijë lekë në nivelin kombëtar.

klosi ahmetaj beqaj

Këshilli Kombëtar i Punës diskutoi dje rritjen e pagës minimale, ku u dakordësua që qeverisë t’i paraqiten për vendimmarrje dy nivele rritjeje, atë që paga minimale për efektet të kontributeve shoqërore dhe shëndetësore për biznesin fason të rritet në nivelin 23 mijë lekë, ndërsa për pjesën tjetër të punonjësve në privat të rritet në nivelin e 24 mijë lekëve.

Në Këshillin e Punës, biznesi propozoi rritje të pagës minimale në nivelin e 24 mijë lekëve, ndërsa për fasonët në nivelin e 23 mijë lekëve. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, propozoi që rritja të jetë në nivelin 5 për qind, për të vijuar logjikën tradicionale dhe për të mos cenuar konkurrueshmërinë.

Përfaqësuesit e sindikatave propozuan rritje të pagës minimale në nivelin 26 mijë lekë, duke u tërhequr nga propozimi i parë prej 28 mijë lekësh. Aktualisht niveli i pagës minimale është 22 mijë lekë dhe ka mbetur i pandryshuar prej 4 vjetësh.

DEBATI

Presidenti i BiznesAlbania, Luan Bregasi, i propozoi Këshillit të Punës që rritja e pagës minimale në nivelin kombëtar për sektorin privat të jetë 24 mijë lekë, nga 22 mijë lekë që është aktualisht. Bregasi i kërkoi Këshillit të Punës që për sektorin e fasonit rritja e pagës minimale të jetë në nivelin e 23 mijë lekëve, për të mos dëmtuar kontratat që kanë në zbatim.

“Të gjitha industritë pranojnë rritje të pagës minimale me 2 mijë lekë të reja. Për fasonët kemi këtë propozim, meqenëse punojnë me kontrata të nënkontraktuara në fillim të vitit dhe kjo u rrit koston, sivjet të bëhet 1 mijë lekë rritja, ndërsa vitet e tjera të ndjekë normën e inflacionit”, u shpreh Bregasi.

Ministri i Financave tha se rritja ekonomike mundëson rritjen e pagës minimale. “Sot ne synojmë një rritje ekonomike 3.8 për qind. Në bazë të studimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, do të jemi realisht vendi i dytë me rritjen më të madhe ekonomike në ish-bllokun komunist, duke konkurruar me Rumaninë me 3.7, dhe 3.8 për qind, që do të thotë se secili nga ju mund të arrijë në konkluzion social apo politik e mbështetur nga një konkluzion teknik, që përderisa kemi rritje ekonomike të të ardhurës së disponueshme, do të duhet të reflektohet në pagën minimale”, u shpreh Ahmetaj.

Ministri propozoi që rritja e pagës minimale të jetë 5 për qind, sa në nivelet e rritjes së të ardhurave të disponueshme. Ahmetaj tha se vendimi nga qeveria do të merret në muajin mars. “Muajin e ardhshëm qeveria do të bëjë një diskutim teknik, politik dhe social e do të marrë një vendim për rritjen e pagës minimale. Unë besoj se në kalkulimin që kemi bërë rritja do të ndjekë logjikën tradicionale. Dua të theksoj se të ardhurat e disponueshme janë rritur për shkak të dy faktorëve që jo vetëm nuk e kanë cenuar konkurrueshmërinë, por kanë sjellë rritje të kërkesës dhe konsumit. Një nga elementët është taksa progresive, që për shtresat e mesme krijoi një rritje të të ardhurës reale me minimalisht 5.2 për qind. Unë besoj se dhe në këto nivele do të duhet të konsiderojmë edhe rritjen e pagës minimale”, tha Ahmetaj.

Edhe ministri i Punës, Blendi Klosi, tha se vendimi për rritjen e pagës minimale do t’u shërbejë ekuilibrave fiskalë të vendit. “Si asnjëherë tjetër, në këtë tryezë janë ulur gjithë përfaqësuesit e institucioneve tona, niveli më i lartë i punë- marrësve, përfaqësuesit e të gjithë grupimeve sindikaliste në vend dhe përfaqësuesit e komunitetit të biznesit. Vendimmarrja për pagën minimale do t’u shërbejë të gjithë ekuilibrave fiskalë dhe financiarë të vendit”, tha Klosi.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura