Debati me Haxhi Lleshin për filmin e Sabri Godos “Babai i Martaneshit”

Jun 30, 2014 | 13:42
SHPËRNDAJE

Ëngjëll Strazimiri duke folur për “Panorama”
Flet Ëngjëll Strazimiri, operatori i dokumentarit televiziv.

“Vërejtjet e Presidentit për rolin e Mustafa Xhanit në Konferencën  e Pezës, çlirimin e Dibrës dhe marrëdhëniet me britanikët”

Ëngjëll Starzimiri është një nga operatorët e vjetër të TVSH-së, i njohur si autor i dhjetëra filmave televizivë. “Baba Faja Martaneshi” është njëri prej tyre, që nuk pati fatin të mbijetojë, por u ndalua me urdhër nga KQ fill pas shfaqjes së parë.
Sidoqoftë, çdo e keqe ka një të mirë, shprehet Strazimiri, duke kujtuar faktin se filmi është bërë shkak për të vizituar zyrën e kreut të shtetit komunist. Përtej privilegjit që i ka falur “Babai i Martaneshit” për t’u ulur gju më gju me Haxhi Lleshin, operatori i njohur ruan në kujtesë debatin e konsumuar aty për skenarin e Godos. “Te Haxhiu shkuam për t’i marrë një intervistë, siç ishte parashikuar nga skenaristi, tregon Strazimiri, por ai na bombardoi me vërejtje pa fund”. I pakënaqur me mënyrën si trajtohej figura e Baba Faja Martaneshit, ish-presidenti komunist, vend e pa vend kontestonte përmbajtjen e filmit me arsye nga më të ndryshmet. Realizuesi i dokumentarit veçon kundërshtitë e Lleshit për rolin e Baba Fajës në luftimet për çlirimin e Dibrës, i cili sipas tij nuk kishte qenë aq i spikatur, si e përmbante skenari, por një prani sporadike, madje me dështime jo të pakta. Pati sakaq edhe ndonjë kritikë me vend, shton autori i filmit, duke përmendur atë për pozicionin e Baba Fajës në Konferencën e Pezës dhe ndërhyrjen për rrethanat e atentatit në Kryegjyshatë, që sipas tij Baba Faja nuk ishte vrarë te shkallët, por në zyrën e kryegjyshit. Gjithsesi, Strazimiri nuk është i sigurt nëse ishin këto vërejtjet që vendosën për fatin e filmit apo kishte ndërhyrje të tjera që ndikuan për burgosjen e përjetshme të tij…

Zoti Ëngjëll! Ju keni qenë operator i dokumentarit televiziv “Babai i Martaneshit”, realizuar nga TVSH-ja në fillimin e viteve ’80. Cilët ishin autorët e tjerë të filmit dhe në çfarë rrethanash u xhirua ai?
Kanë kaluar vite që atëherë dhe, të them të drejtën, shumë gjëra nuk i mbaj mënd. Më kujtohet që për skenarin ishte porositur Sabri Godo, i cili punoi për disa muaj me të. Pjesa tjetër e realizuesve apo autorët ishin punonjës të departamentit përkatës të Televizionit. Sa për rrethanat në të cilat është punuar për realizimin e tij, më ka mbetur në mëndje përkujdesja e veçantë e drejtuesve të TVSH-së për të nxjerrë një produkt sa më cilësor, siç ishte porosia në atë kohë për dokumentarët, që kishin për objekt figura të larta të regjimit. Pozicioni që kisha si operator, nuk më lejonte të mësoja gjëra të tjera, me të cilat merrej drejtpërdrejt drejtoria dhe shefi i redaksisë…
Megjithatë, ju bashkë me autorët e tjerë të filmit keni qenë i pranishëm në një takim me Haxhi Lleshin, ish-presidentin komunist, ku është debatuar gjatë për subjektin e tij…
Me sa mbaj mend, ky takim është bërë kur filmi ishte gati i përfunduar. Te Haxhi Lleshi në këtë rast shkonim ta intervistonim për kujtimet e tij për Baba Fajën. Në skenar ishte parashikuar një hapësirë e rëndësishme, ku ai si bashkëpunëtor i afërt i heroit të dokumentarit do të fliste për figurën e tij. Unë për vete këto dija para takimit. Prania ime aty lidhej me detyrën e operatorit. Mirëpo nuk doli ashtu si e kisha menduar. Haxhiu para se të fliste për grupin e xhirimit, kishte kërkuar të njihej me skenarin. Me sa mora vesh më vonë, atë ia kishin çuar disa ditë më parë. Kur shkuam në zyrën e tij, Haxhiu ia nisi nga vërejtjet. Mënyra si reagonte, tregonte që skenari nuk i kishte pëlqyer…
Çfarë vërejtjesh kishte Haxhi Lleshi për skenarin e filmit?
Të them të drejtën, nuk më kujtohen me saktësi vërejtjet e tij. Debati për to u përqendrua midis Haxhiut dhe Sabri Godos. Aty-këtu futej edhe sekretarja e Presidentit, që me sa dukej ishte njohur me tekstin e filmit. Me aq sa mbaj mend, Haxhiu ndihej i pakënaqur për çështje parimore, siç pretendonte ai. Së paku, nga ato që thoshte, të krijonte përshtypjen se filmi duhej thelluar më tej në aspektin politik…
 Pra, një vërejtje e përgjithshme gjithsesi…
Kështu mund të tingëllojë sot, por asokohe ta penalizoje një vepër për çështje të tilla, që kishin të bënin me probleme parimore, nuk ishte diçka e lehtë. Mjaftonte kaq dhe ajo hidhej në erë aty për aty. Pa folur pastaj për pasojat e autorëve…

Kishte çështje të tilla filmi i Godos për Baba Fajën?
Nga fillimi në fund, Lleshi i mëshonte me forcë idesë që në film nuk dilte qartë roli i Partisë dhe Enverit. Ishte kjo një kleçkë, që cenonte parimin bazë të një vepre artistike, siç ishte partishmëria klasore, aq e vlerësuar në atë kohë…  

Ç’lidhje kishte roli i Partisë dhe Enverit, kur filmi i kushtohej Baba Fajës?
Nuk kishte për arsyen normale, por kishte për mendjen e Presidentit komunist, për kauzën e regjimit totalitar. Haxhiu këmbëngulte për të vendosur në plan të parë kontributet e Partisë dhe Enverit. Pjesa tjetër, profili politik e atdhetar i Baba Fajës, në logjikën e tij, ishte produkt i drejtësisë dhe mençurisë së tyre, pa të cilët nuk mund të dilte nga lëkura e dervishit të panjohur të Teqesë së Martaneshit. Ishte Enveri, thoshte ai, që e bëri të njohur, e bëri lider, komunist, deputet, tribun. Pavarësisht shpjegimeve të duruara të Godos, Lleshi nuk hiqte dorë nga vërejtja e tij, madje reagonte i revoltuar…
Nuk përmendej fare në film partia dhe Enveri?
Përmendej, madje me theks të veçantë, pasi jeta dhe vepra e Baba Fajës ishte e lidhur pazgjidhshmërisht me to, por Lleshi me sa duket nuk e kishte këtu hallin. Godoja si shkrimtar i vjetër nuk mund të binte në pozita të pasigurta e t’i shmangej kësaj qasjeje. Sidoqoftë, aty për aty u diskutua për të gjetur rrugën më të mirë për të bërë korrigjimet e nevojshme…

Pra, Godoja ra dakord të ndërhyjë në skenar…
Ra dakord duke premtuar disa korrigjime anësore, por Lleshi gjithsesi deri në fund mbeti i pakënaqur. Bëri vërejtje për rolin e Baba Fajës në luftimet për çlirimin e Dibrës, i cili sipas tij nuk kishte qenë aq i spikatur, si e përmbante skenari, por një prani sporadike, madje me dështime jo të pakta. Këtu Godoja pranoi të ndërhyjë. Bëri një vërejtje tjetër për pozicionin e Baba Fajës në Konferencën e Pezës. Edhe këtu Godoja ishte dakord për ta korrigjuar. Pati me sa më kujtohet një kritikë tjetër për rrethanat e vrasjes së Baba Fajës në Kryegjyshatë. Sipas Lleshit, Baba nuk ishte vrarë te shkallët, por në zyrën e kryegjyshit. Kjo evitohet kollaj, ia ktheu Godoja, duke e quajtur të parëndësishme. U bënë edhe vërejtje të tjera, për të cilat pati mirëkuptim, por Lleshi përsëri shfaqej skeptik, duke iu rikthyer aspekteve politike…

Me një fjalë, Lleshi e rrëzoi krejtësisht skenarin e filmit…
Ai aty e kishte syrin dhe herë pas here na e shfaqte hapur.
Godoja, duke ditur peshën e Lleshit në lidershipin e kohës, tmerrohej nga kjo ide, prandaj bëri të pamundurën t’i vijë për shtat ish-Presidentit. Unë jam i ndërgjegjshëm, i tha diku atij, që skenari ka boshllëqe, por mendoj se ato do të plotësohen me intervistën tuaj në dokumentar. Për këtë kemi sjellë me vete edhe operatorin. Këtu sikur ndërroi çehren e fytyrës.

Sidoqoftë, filmi u realizua dhe pasi u shfaq në TV, u ndalua të jepej përsëri…
Kishte shumë raste të tilla, por ne që punonim poshtë, askush nuk na sqaronte për arsyet e veprimeve të tilla. Dinim se urdhrat vinin nga lart, pra nga KQ dhe vetëm kaq. Çdo kuriozitet tjetër kishte pasoja…

Skenari i filmit: Baba Faja si tributë e Palestinës
Historia e filmit të panjohur që u ndalua për t’u shfaqur në vitin 1983

Sabri Godo
Filmi dokumentar “Babai i Martaneshit” i shkrimtarit Sabri Godo nuk figuron në inventarin e veprave të tij. As në arkivin e TVSH-së, që e ka prodhuar nuk ndodhet. Ai është shfaqur vetëm një herë në fillim të viteve ‘80 dhe më tej është ndaluar, duke u koleksionuar në fondin e veprave me probleme. Arsyen e penalizimit, autorët e filmit, e lidhin me skenarin dhe rolin e Presidentit komunist në këtë histori. Ky i fundit ka kundërshtuar përmbajtjen e tij, ende pa filluar xhirimet. Haxhi Lleshi, njëri nga bashkëpunëtorët e afërt të heroit të dokumentarit, sa është njohur me subjektin e Godos, është shfaqur i pakënaqur me lëvdatat pa doganë për figurën e Baba Fajës. Fillimisht ka bërë disa vërejtje sporadike për episode të veçanta, duke fshehur arsyet e refuzimit, por në debat e sipër është zbuluar në qëllimin e tij. Presidenti s’mund të pajtohej me një film për ish-kolegun, kur ende nuk ishte bërë një i tillë për të(!). Zemërata e Lleshit, me sa duket, ka vendosur për fatin e dokumentarit. Të një dokumentari, që në fund të fundit përshkohet fund e krye nga fryma dhe skematizmi i kohës, siç duket edhe nga skenari që zbardhim më poshtë…. 

Pjesë nga skenari
“Babai i Martaneshit”

Fotografi e Baba Fajës me uniformë ushtarake.
Spikeri: Mustafa Xhani, Hero i Popullit
(Duke u sfumuar figura dalin pamje ajrore të Martaneshit)
Spikeri: Në vitin 1932 këtu erdhi dervish Faja, 22 vjeç, i caktuar baba i Teqesë së Martaneshit…
(Kamera xhiron malet e Kaptinës, pllajat e Ballenjës)
Bashkëkohësi nga Martaneshi: Baba Faja ishte gojëmbël, i butë, kursimtar për vete dhe bujar për mikun. Kur i kërcente delli i ballit, hiqte taçin prej koke dhe atëherë duhet t’i hapje rrugë.
(kamera filmon lagje të Martaneshit)
Spikeri: Martaneshi, 12 orë për të shkuar në Elbasan, 12 orë për të shkuar në Tiranë, 12 orë për të shkuar në Burrel. Fshatarët që këtej ecnin me 40 kg pishë, lesh, bulmet në kurriz dhe ktheheshin me 40 kg drithë. 24 orë rrugë për të sjellë 40 kg drithë në kurriz…
Ky ishte Martaneshi, mbi fatin e së cilit filloi të mendonte Baba Faja. Ai filloi të shohë se jeta e paduruar e fshatarit nuk do të ndryshonte me profkat bektashiane, as me lëmoshat e teqesë.
(Fotografia e Baba Fajës që sfumohet, në qiell kalojnë aeroplanët e Italisë fashiste ditën e okupacionit)
Bashkëkohësi: Baba Faja kishte krijuar bindjen se shpëtimi i botës do t’i vinte prej komunizmit…
Haxhi Lleshi: (flet për karakterin e baba Fajës, për takimin e parë me të, për bashkëpunimin gjatë luftës.)
Ramadan Çitaku: Shkova në Martanesh bashkë me Miladin Popoviçin. Duhej vendosur në një bazë të sigurt. I kisha thënë rrugës se Babai është me autoritet dhe burrat rrinin në gjunjë para tij. Edhe Miladini njw burrë i gjatë me trup tepër të madh, ndenji në gjunjë kur shkuam në teqe. Ai ndenji te Baba tre muaj…
(Kamera kalon në Pezë dhe në sallën e Konferencës)
Spikeri: Në këtë sallë, ku u morën vendime që patën ndikimin më të thellë mbi fatin e popullit, Baba Faja kryesoi dhe hapi mbledhjen…
(Lexohen radhët e para të procesverbalit të Konferencës)
Këtu, në Pezë, ai njohu për herë të parë shokun Enver. Këtu njohu Babë Myslimin dhe shokë të tjerë. Kur njëri nga nacionalistët kundërshtoi mbajtjen e yllit, Baba Faja, u ngrit e tha: “Mbajtjen e yllit duhej ta kundërshtoja unë që jam klerik, por ai simbolizon luftën e popujve të shtypur dhe duhet ta mbajmë në ballë me nder. Baba iku nga Peza dhe shkoi në Martanesh për të ngritur popullin në këmbë”…
(Pamje nga Martaneshi, fokusohet një shtëpi e rrënuar)
Spikeri: Në Martanesh u strehua komanda e misionit anglez me gjeneral Dejvis në krye. Rreth kësaj kulle vigjiloi për dy muaj Baba Faja për të zbatuar politikën që kishte caktuar Partia në marrëdhëniet me anglezët.
(Fotografi e baba Fajës partizan)
Gjeneral Deivisi ishte habitur me Baba Fajën, me këtë klerik komandant, me mjekër e me sy të zezë të ndritshëm. Gjeneral Dejvisi shpresoi të gjente pika afrimi me të, si me kryetarët e tribuve të Palestinës, por Baba Faja ia dinte qëllimet, ishte pajisur me letrat e shokut Enver, me porositë e tij. Në një letër të datës 24 nëntor shoku Enver e porosiste: “Ti mbaj një qëndrim të prerë karshi tij. Të mos na marrë për leshko, se qëllimi i tyre është të na mbajnë me fjalë dhe me premtime dhe, nga ana tjetër, të ndihmojnë reaksionarët për t’i pasur si forcë kundër nesh. Këta kërkojnë të mësojnë sa ushtarë kemi dhe të futen në komandat tona e të japin urdhra. Prandaj kije mendjen te ta. Sillu urtë e butë, por kur të shikosh se ata do të kërkojnë të futin gishtat, pritua pa frikë hiç…
(Foto e gjeneral Deivisit)
Marrëdhëniet e Baba Fajës me gjeneralin britanik u acaruan disa herë. Gjenerali ishte provokator, por edhe frikacak. Baba Faja asnjëherë nuk lëshoi një gisht vend, sado të ndërronte fytyrë gjenerali.
 (Fotografi e shokut Enver)
Spikeri: Në mesin e dhjetorit armiku me 6000 forca nisi operacionin e dimrit mbi Martanesh e Çermenikë. Krisi zjarr. Njerëzit morën arratinë në shpella e në pyje me borë.
(Pamje të Kaptinës me borë dhe ët staneve të Kostenjës)
Dëshmitarja: Se si ka ndenjur shoku Enver tri ditë te maja e Kaptinës me borë,  edhe sot nuk e dijë. Në fund plaku e solli në stan. Aty shoku Enver ndenji tetë ditë. Në dy stanet e tjera ishin Baba Faja dhe anglezët. Shoku Enver u nis më 7 janar. Atë mëngjes u takua me Baba Fajën dhe gjeneralin anglez, pastaj u nis. Arritën te kasollja e nënë Zyrhasë. Te stani ynë erdhi Baba Faja. Të nesërmen u bë rrethimi. Baba Faja çoi plakun të merrte gjeneralin. Plaku tha s’don me ardh. Ta marrësh doemos, tha Baba Faja.
Dëshmitarja tjetër: Ajo ditë dhe ajo natë nuk harrohen kurrë. Erdhi një njeriu ynë dhe tha se gjenerali kishte ikur, qe dorëzuar. Babait iu prish fytyra. Ia kishte lënë porosi gjeneralin shoku Enver. Nuk ia merrte mendja se do të ishte aq i dobët. U ba luftë. Natën zbritëm në Okshtun.
(Pamje e maleve me borë dhe pyjeve rreth Kaptinës.)

Bashkëkohësi (Jani Fullani): Baba Faja u bë anëtar i Partisë Komuniste në prillin e vitit 1944. Sa komunist i devotshëm, aq edhe me shpirt poeti. E donte këngën fort. I pëlqente kënga e usta Myzyrit, por donte dhe këngët e reja revolucionare. Sakaq, shkruante vjersha për Leninin, Stalinin, për shokun Enver (Vjen behari me nxitim/ Komandant është vetëm njin/ Enver Hoxha kryetrim)
(fotografi e Baba Fajës prapa shokut Enver ditën e çlirimit)
Bashkëkohësi (Ramandan Çitaku): Më erdhi një natë në shtëpi në Tiranë dhe më tha: Nuk durohet më. Njerëzit në rrugë na shikojnë ne baballarëve sikur të jemi karagjozë. Dua ta flak taçin, ta djeg. I thashë se duhej pyetur shoku Enver. Pas disa ditësh i thashë se shoku Enver më tha se është e parakohshme.
(Pamje të kryegjyshatës)
Spikeri: Ai vazhdoi të punonte gjatë dy vjetëve si deputet. Kryesore për të ishte që të kthente në rrugën e Partisë njerëzit e besimit bektashi. Kërkonte reforma, kufizimin e teqeve, inkuadrimin në jetën e re të klerikëve. Reaksioni i klerit ishte i fortë. Kundër tij kurdisej në heshtje komploti. Më 18 mars 1947 u vra prej dorës së armikut, së bashku me shokun e vet, një tjetër komandant partizan, Baba Fejzo prej Tepelene.

AFRIM IMAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura