De Biazi: S’luajmë për barazim, duam fitore në Portugali

Aug 31, 2014 | 16:46
SHPËRNDAJE

Trajneri i Kombëtares shqiptare ka zbardhur dje listën e 24 lojtarëve për ndeshjen e parë kualifikuese për “Francë 2016”, kundër Portugalisë.  Bie në sy rikthimi pas 22 muajsh i Burim Kukelit, i cili ka qenë i dëmtuar dhe afrimi i Herolind Shalës dhe Taulant Xhakës. Sakaq, në konferencën për shtyp, De Biazi qartësoi se do të shkojë në Portugali për të marrë pikë të plota.

Nisin zyrtarisht kualifikimet për në Europian. Një mendim në lidhje me Shqipërinë që do kemi në këto ndeshje…
Pikë së pari, konfirmoj se në këto kualifikime do të punojmë me një grup më të vogël lojtarësh. Do jenë rreth 26-27 lojtarë, nga të cilët më pas në varësi të gjendjes së tyre fizike dhe sportive dhe në varësi edhe të kundërshtarit, do të zgjedh 11-shen titullare.

Nisur nga kundërshtari, a do mjaftohej De Biazi me një barazim në Portugali?
Jo. Nëse nisesh me këtë ide, atëherë humbjen e ke të sigurt. Sigurisht që në varë si të lojës, pra se si do shkojnë 90 minutat, do të kemi mundësi edhe të themi nëse do jemi të kënaqur apo jo. Kuptohet që, në rast se bën një lojë shumë të mirë dhe me raste dhe në fund barazon, atëherë assesi nuk mund të jesh i kënaqur. Dhe e anasjella: luan gjithë kohës në mbrojtje me një kundërshtar që të bën presion dhe në fund merr pikë, sigurisht që këtë tip barazimi do duhet ta konsiderojmë si shumë të rëndësishëm.

Kjo do të thotë që do futemi në fushë për të fituar?
Ne do futemi në fushë për të bërë lojën tonë dhe për të marrë rezultat. Ndodh që të gjuash dy herë në portë dhe të shënosh një gol,, sikundër qëlloi me Norvegjinë, dhe të marrësh pikë të plota. Varet se çfarë tip ndeshjeje do të implementojmë ndaj Portugalisë, skuadër kjo e 11-ta në renditjen e FIFA-s. Pra, ndër më të mirat. Gjithsesi, unë nuk jam tip që tërhiqem apo kënaqem me pak, ndaj do kërkoj me të gjitha mënyrat që ta nisim mbarë.

E keni menduar një strategji për këtë ndeshje?
Sigurisht që e kam menduar, por gjithçka varet edhe nga kundërshtari. Ju do thoni që ata nuk kanë Ronaldon, por sipas meje Portugalia gjithsesi mbetet një nga skuadrat më të mira jo thjesht të grupit tonë, ndaj më së pari them se duhet të bëjmë një lojë të kujdesshme që të mos pësojmë gola dhe më pas të shfrytëzojmë në maksimum hapësirat që ata do të na lejojnë.

A mbetet kualifikimi në “Francë 2016” objektivi i skuadrës?
Unë si person jam nga ata që nuk di të tërhiqem prapa, ndaj po ju rithem se kjo skuadër do bëjë të pamundurën për të arritur objektivin primar: kualifikimin për në “Francë 2016”. Pastaj, kuptohet që rruga është e gjatë dhe shumë e vështirë. Unë nuk jam nga ata që fshihem pas gishtit kur shikoj kundërshtarët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura