De Biazi, në lupë Gjeorgjinë: Ta nisim mbarë!

Feb 29, 2012 | 13:13
SHPËRNDAJE

Trajneri i Kombëtares Shqiptare, Xhani De Biazi

Sot ora 15:00, nga Tbilisi nis epoka e teknikut italian.

Trajneri italian analizon me lojtarët për orë të tëra kundërshtarin.

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani de Biazi, kërkon ta nisë mbarë aventurën e tij në krye të kuqezinjve, ndaj ka kërkuar përqendrim maksimal nga ana e lojtarëve për nde-shjen e sotme në Tbilisi ndaj vendësve. Në konferencën e djeshme për shtyp, italiani i kuqezinjve ka pohuar se për të është e rëndësishme që skuadra të përgjigjet mirë në fushën e lojës dhe të zbatojë me përpikëri detyrat që ai do t’i ngarkojë gjithsecilit. “E vlerësoj skuadrën e Gjeorgjisë për lojtarët cilësorë që ka dhe për mënyrën e lojës. Kam ndjekur më vëmendje disa kaseta me ndeshje të kësaj skuadre dhe mendoj se në fushën e vet është realisht një rival i vështirë për t’u kaluar. Gjithsesi, ne kemi ardhur këtu për të bërë lojën tonë dhe për të marrë mundësisht një rezultat pozitiv, i cili nuk do vlente shumë, pasi është thjesht një ndeshje miqësore, por për mua do kishte kuptim pasi është edhe ndeshja e parë zyrtare me Shqipërinë”, ka pohuar De Biazi. Paraditen e djeshme, trajneri i kuqezinjve zhvilloi një analizë të gjatë me futbollistët në hotelin ku është grumbulluar skuadra jonë, ku më së shumti u diskutua dhe u vërejtën pikat e dobëta të gjeorgjianëve. E gjithë baza e këtij shpjegimi është mbështetur në ilustrimin me filmime të takimeve që përfaqësuesja e Gjeorgjisë ka zhvilluar gjatë kualifikimeve për Kampionatin Europian të këtij viti kundër Letonisë, Maltës dhe Greqisë (tri ndeshjet e fundit në grup). Vendosja e kundërshtarit, lëvizshmëria në fushë, golat e shënuar dhe të pësuar ishin objekti i logjikës së përdorur nga trajneri në këtë analizë. Teorikisht De Biazi orientoi futbollistët për ballafaqimin e tyre me kundërshtarin dhe mënyrën se si duhej të luante skuadra për të dalë nga stadiumi “Mikhail Meskhi”, me një rezultat pozitiv. Për sa i përket formacionit, me shumë gjasa Edgar Çani do të jetë qendërsulmuesi i vetëm i Shqipërisë. Trajneri ka vendosur të luajë me skemën 4-1-4-1, sipas së cilës në qendër të mbrojtjes do jenë Dallku dhe Veliu, ndërsa në krah Lila dhe Agolli. Para katërshes së mbrojtjes do luajë Bulku, ndërsa në ndihmë të Çanit do jenë nga e djathta në të majtë Roshi, Vila, Zeqiri dhe Hyka.

Ketsbaia: “Shqipërinë e respektoj, por dua ta mund”

Temuri Ketsbaia

Trajneri i Gjeorgjisë, Temuri Ketsbaia, e ka konsideruar si mjaft të rëndësishëm testin e sotëm të skuadrës së tij ndaj Shqipërisë. “Ne kemi bërë përgatitjet e duhura për këtë takim, por fokusi ynë është më larg se kaq dhe ka të bëjë me kualifikimet e Botërorit. Megjithatë, këmbëngul në faktin se qëllimi ynë ndaj Shqipërisë është fitorja. Shpresojmë që puna dhe angazhimi ynë të sjellë rezultatet e duhura”, ka thënë fillimisht në konferencën e djeshme për shtyp tekniku. Më pas, Ketsbaia ka folur edhe për Shqipërinë, duke i bërë një analizë skuadrës së drejtuar nga De Biazi. “Dua të nënvizoj faktin se Shqipëria është një kundërshtar i fortë. Ju siguroj se nuk është e lehtë të mundësh. Prandaj, jam i kënaqur që niveli i ekipit kundërshtar të imponon respekt, por edhe një dëshirë për të luajtur kundër tij. Shqipëria është shansi i parë në këtë drejtim, ndaj duam të tregojmë më të mirën”, përfundon Ketsbaia.

Bulku: Prishim ritin, të fitojmë në Gjeorgji
Ervin Bulku do të jetë kapiteni i Kombëtares shqiptare në takimin e sotëm në Gjeorgji. Në mungesë të Lorik Canës (zyrtarisht kapiten i parë i kuqezinjve) dhe të Erjon Bogdanit, lojtar ky ndër veteranët e skuadrës, shiriti i kaloi ish-mesfushorit të Tiranës, Ervin Bulku, i cili do ta mbajë për herë të parë këtë detyrë në gjithë këto vite që luan për fanellën kuqezi. Pikërisht për këtë arsye, ditën e djeshme ishte ai që doli në konferencën tradicionale për shtyp, së bashku me trajnerin De Biazi. “Kthehem në Tbilisi pas gjashtë vjetësh dhe ndiej emocione. Të gjitha ndeshjet që janë zhvilluar mes nesh dhe Gjeorgjisë, kanë qenë të forta dhe të ekuilibruara. Në Tiranë kemi fituar ne, ndërsa këtu Gjeorgjia nuk na ka lënë mundësi që të marrim fitore. Pikërisht për këtë gjë mendoj se nesër (sot) ne do luajmë edhe për ta prishur këtë ritual”, ka theksuar Bulku.

Gjeorgji-Shqipëri
Sot, ora 15:00

Formacionet e mundshme
Gjeorgjia (4-4-2): Revishvili, Kizanishvil, Lobzanidze, Grigalava, Kubutia, Ananidze, Kobakidze, Kenia, Kankava, Martsvaladze, Dvalishvili. Të gatshëm: Loria, Amisulashvili, Kashia, Kvirkvelia, Kobakidze, Daushvili, Gorgiashvili, Dzaria, Targamadze, Gelashvili.
Trajner: Temuri Ketsbaia
Shqipëria (4-1-4-1): Ujkani, Lila, Dallku, Veliu, Agolli, Bulku, Roshi, Vila, Muzaka, Hyka, Çani. Të gatshëm: Shehi, Osmani, Smajlaj, G.Lika, Bakaj, Zeqiri, Sadiku, Januzi.
Trajner: Xhani de Biazi.
Gjyqtarë: Genadi Sidenko/ O.Molshanov dhe V.Gorbatov (MOL)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura