DASH: Pronat e komuniteteve fetare, problem

Jul 31, 2012 | 12:27
SHPËRNDAJE
Departamenti Amerikan i Shtetit

Departamenti Amerikan i Shtetit vlerëson se pronat e komunitetit fetar mbeten problem për Shqipërinë. DASH ka publikuar së fundmi raportin mbi lirinë fetare në të gjithë botën për vitin 2011. Në seksionin për Shqipërinë, raporti i DASH shkruan për harmoninë fetare që ekziston në Shqipëri, miratimin e ligjeve së fundmi, duke u ndaluar edhe në çështjen e pronave të këtij komuniteti. “Sfidat administrative dhe ligjore, të lidhura me pretendimet për pronën, në përgjithësi, e bëjnë rikthimin e kësaj prone të vështirë për individët dhe organizatat, përfshirë këtu dhe grupet fetare. Nuk ka raportime për abuzime me lirinë fetare. Grupet fetare vazhdojnë t’i kërkojnë qeverisë rikthimin e pronave të konfiskuara gjatë periudhës komuniste. Disa grupe fetare kanë ngritur ndërtesa të reja këtë vit. Nuk ka raportime për diskriminime”, thuhet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit. Sipas raportit, Kushtetuta dhe ligjet e tjera mbrojnë lirinë fetare dhe në praktikë qeveria në përgjithësi ka respektuar liritë fetare. Krijimi i Komitetit Shtetëror të Kultit në Ministrinë e Kulturës, krijimi i institucionit të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi janë disa nga lehtësirat që ka ofruar shteti shqiptar. Raporti vëren se nuk janë shënuar asnjëherë incidente mes grupeve fetare, ndërsa edhe pse Shqipëria është vend laik, njeh festat e katër feve kryesore, ortodokse, katolike, myslimane dhe bektashinj si festa zyrtare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura