Dajti: Zhvarrosni Kastriot Feskajn, ka plumb në trup

Oct 31, 2013 | 14:36
SHPËRNDAJE

Dritan Dajti në gjyq
Dritan Dajti kërkoi dje zhvarrimin e Kastriot Feskajt, një prej policëve të vrarë gjatë operacionit për arrestimin e tij në gusht 2009 në Durrës.  Sipas të pandehurit, oficeri Feskaj është varrosur me një predhë në trup, ndërsa është qëlluar nga pas shpine gjatë aksionit në Durrës. Dajti pretendoi se kishte parë personin që kishte qëlluar pas shpine Feskajn në kokë dhe në shpatull, por nuk e tregoi emrin e tij. “Unë e di mirë se kush e ka qëlluar. Do ta tregoj në seancën e ardhshme”, tha Dajti. Kërkesa e të pandehurit u kundërshtua me forcë nga prokurori Ardian Nezha. “I pandehuri po përpiqet të ngatërrojë radhën e marrjes së provave. Kërkoj rrëzimin e kërkesës si të pabazuar në provë dhe ligj. Zhvarrimi nuk është në nderim të viktimës. Është një vrasje e dytë që i bëhet Kastriot Feskajt”, tha prokurori. Duke replikuar me prokurorin, Dajti tha se “do të ishte në nderin e policisë dhe prokurorisë që të gjenin vrasësit e vërtetë të Feskajt”. Trupi gjykues nuk u shpreh për kërkesën, duke rezervuar të drejtën për t’u shprehur në një moment të mëvonshëm. Kjo solli acarimin e të pandehurit, i cili kërkoi përjashtimin e trupit gjykues. Më pas, ai u largua me vullnetin e tij nga salla, duke ia bërë gjykatës të pamundur vijimin e seancës. Seanca e djeshme ishte e 243-ta në radhën e seancave të dështuara të procesit.
ZHVARRIMI
Pa e shqiptuar fjalën “zhvarrim”, i akuzuari për vrasjen e katër policëve i kërkoi gjykatës të marrë si provë predhën që ndodhet në trupin e Feskajt. Duke iu referuar akt-ekspertimit mjekoligjor të viktimës, Dajti tha se në trupin e Kastriot Feskajt janë vënë re gjashtë plaga, katër nga të cilat janë tejshpuese. “Dy plagë të tjera janë depërtuese, ose, siç quhet ndryshe, qorre. Ato kanë vetëm vrimë hyrjeje dhe predhat janë në trupin e viktimës, një në parakrah dhe një në shpatull”, tha Dajti. Në referim të akt-ekspertimeve që ndodhen në dosje, i pandehuri tha se prokuroria ka marrë si provë vetëm predhën që i është gjetur viktimës në parakrah. Kësaj predhe i është bërë edhe akt-ekspertimi balistik. “Ndërsa predha që ka hyrë në shpatullën e majtë dhe që ka mbetur në trup, jo vetëm që nuk është marrë si provë, por nuk është hequr nga trupi. Ky fakt thuhet në akt-ekspertimin mjekoligjor”, tha Dajti. Në vijim, ai kërkoi që të merrej kjo predhë nga trupi i viktimës në cilësinë e provës materiale, me qëllim ekspertimin e mëpasshëm për të identifikuar se nga cila armë është qitur. “Unë jam dëshmitar dhe kam parë ç’ka ndodhur atë ditë. Unë e di mirë se kush e ka qëlluar Feskajn nga afër, në shpatull dhe në kokë”, tha Dajti.

Dajti: Di shumë
Deklarata e Dajtit për një person që ka qëlluar Kastriot Feskajn, u ndërpre nga gjykata, me pretendimin se për fakte të tilla i pandehuri duhet t’i kallëzonte në organet kompetente. “Ç’kallëzim kam për të bërë unë, kur po flas para gjykatës e prokurorit? Unë kam treguar vetëm 5 për qind nga ato që di. Më të hidhurat janë më pas. Unë nuk kam mendje të fus njëri në burg, por prokurori ka marrë vetëm një predhë, kur e di që janë dy”, tha Dajti. Prej disa seancash, i pandehuri ka lajmëruar se do të rrëfejë fakte përmes të cilave do të provojë pretendimet e tij se policia dhe prokuroria kanë manipuluar provat kundër tij.

ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura