Daja i Erzen Breçanit lirohet nga detyra: Pa motivacion

Oct 31, 2013 | 14:00
SHPËRNDAJE

ELBASAN – Lirohet nga detyra me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, shefi i krimeve të Elbasanit, Shemsi Abazi. Oficeri i Policisë është daja i ish-zv.drejtorit të Policisë së Tiranës Erzen Breçani, i pari u transferua nga detyra sapo Saimir Tahiri mori dety-rën si ministër i Brendshëm. Urdhri për shkarkimin e Abazit nga detyra nuk ka të shënuar asnjë motivacion apo transferim në detyrë tjetër, që automatikisht e nxjerr në lirim komisarin e Elbasanit. Menjëherë sapo është njohur me urdhrin, Abazi ka nisur procedurat për të ankimuar vendimin, pasi sipas tij, është i pamotivuar dhe është me tepër sulm personal dhe politik ndaj tij. Së pari, që lidhet me një përplasje të para 13 viteve me drejtorin aktual të Policisë së Shtetit, Artan Didi, dhe së dyti, për faktin se Shemsi Abazi ka lidhje familjare me Erzen Breçanin. Përplasja me drejtorin e Përgjithshëm Artan Didi ka ndodhur në vitin 2000, kur Abazi ka marrë urdhër për arrestimin e Sali Berishës dhe nuk e ka ekzekutuar, pasi urdhri ishte verbal dhe jo i shkruar dhe i shoqëruar me mandat. Ndërsa “mëkati” tjetër i shefit të krimeve të Elbasanit është lidhja familjare me Breçanin, i cili vazhdon të jetë në dispozicion që pas suprimimit të pozicionit të zv.drejtorit të Rendit. Më 17 shtator, ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, firmosi transferimin e parë në radhët e Policisë, që ashtu siç pritej, i korrespondonte numrit 2 të Policisë së Tiranës, Erzen Breçanit. Burgaj kreu transferimin e Breçanit duke e emëruar në një pozicion paralel, si zv.drejtor për Rendin dhe Sigurinë Publike në Policinë e Dibrës. Transferimi u krye menjëherë pas marrjes së detyrës nga ana e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili duket se i ka kërkuar Burgajt largimin e Erzen Breçanit nga Policia e Tiranë, me të cilin ka pasur edhe disa debate e përplasje gjatë kohës që ishte në opozitë. Ndërsa një muaj pasi ishte kryer transferimi, Breçani u largua edhe nga detyra si zv.drejtor Rendi, pasi struktura e re e Policisë nuk e parashikonte më këtë pozicion pune.                    e.d

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura