Çmimi i energjisë nuk do të rritet… do të lartësohet!

Oct 31, 2014 | 12:15
SHPËRNDAJE

LUTFI DERVISHI

  Për herë të fundit çmimi energjisë u rrit më 2010-n. Në fund të vitit kompania “CEZ” mblodhi më pak lekë se me çmimin e ulur. Ky është një nga mësimet që na jep politika e rritjes së çmimeve për të mbushur me shpejtësi arkën. (Në retrospektivë është e qartë se CEZ nuk erdhi në Shqipëri për të investuar dhe për të përmirësuar gjendjen. Edhe CEZ erdhi për të mbushur arkën sa më shpejt). Në politikën e çmimeve, qeveritë kanë pasur një adresë ku të drejtonin gishtin: FMN! Por në këtë rast, edhe ish-përfaqësues të FMN-së në Tiranë e kanë bërë të qartë se nuk vendosin parësore rritjen e çmimit, por përmirësimin e gjendjes financiare të kompanisë. Dhe kjo mund të arrihet duke ulur humbjet dhe ndëshkuar abuzuesit. Për fat të keq qeveria duket se kërkon zgjidhjen më të lehtë në letër. Rrisim çmimin. Arkëtojmë më shumë. Për ta bërë situatën më interesante, vijnë edhe deklarime të tipit: “Do të heqim fashën 300 kilovatë, por nuk do të rrisim çmimin!”. Nuk është lapsus, se është thënë në mënyrë të përsëritur! Kësaj i thonë: shqip flasim, por nuk merremi vesh. Nëse kjo deklaratë nuk është gënjeshtër, me siguri është rrenë! Çmimi po rritet për të gjithë! Ata që kanë paguar do të vijojnë të paguajnë më shumë! Ata që nuk kanë paguar për momentin janë nën kërcënimin e kontrolleve, tolerancës zero, arrestimeve, ndëshkimeve shembullore etj. Aksioni i ditëve të fundit ndaj bizneseve nuk është i pari që ndërmerr qeveria. Edhe vjet, nëse kujtohemi pak, nisi një aksion me bujë në aksin Tiranë – Durrës. Po të gjykosh kronikat televizive dhe postimet në Facebook, u duk se abuzuesit do të viheshin në shinat e ligjit. Vjet aksioni blic nuk dha rezultat. Po të mbushej arka e kompanisë me fjalë, foto dhe kronika televizive – sot do të ishim superfuqi energjetike. Por kur mbjell para kamerës në mëngjes dhe pret të korrësh në edicionin e darkës, e vetmja mënyrë për të dalë nga situata mbetet shpallja e një aksioni tjetër! Pati edhe nisma që punonjësit buxhetorë duhet të paraqisnin faturat e paguara të energjisë. Pa rezultat! Çfarë ka ndryshuar pas skadimit të afatit pesëditor për abuzuesit?
Kryeministri foli për situatën e rëndë ku ndodhet kompania, për abuzimet në shifra të frikshme – 150 milionë euro në vit! Por nëse diagnoza është e saktë, receta që propozohet (rritje e çmimit) është provuar dhe ka pak shanse të japë rezultat.
Nëse do të ulen humbjet dhe abuzimet që janë në shifra të frikshme, pse duhet rritur çmimi i energjisë?! Cilat janë garancitë se nuk përsëritet situata e 2010-s, ku rritja e çmimit solli uljen e të ardhurave?!
Shembull duhet të japin institucionet buxhetore. Ata duhet të jenë të parët në shlyerjen e detyrimeve. (Në kushtet kur kompania është shtetërore, pak shpresa ka për të ditur se institucionet kanë paguar të gjitha detyrimet te kompania shtetërore). Së dyti, detyrimet e “biznesit”.
Të mos paguajnë bizneset është një gjë e paimagjinueshme! Në fakt, nuk meritojnë të quhen biznesmenë, – arrestimi nuk është gjëja më e rëndë për ta. Ata meritojnë vende nderi në listën e turpit, që duhet bërë publike. Pjesa më e madhe e biznesit debitor është përqendruar në trekëndëshin Tiranë – Durrës – Krujë, një territor lehtësisht i kontrollueshëm.
Së treti vijnë konsumatorët familjarë. Të mos paguajë (pothuaj) një qytet i tërë apo lagje të tëra, është situatë absurde! Situata nuk është përkeqësuar brenda një viti. Madje ky ka qenë një nga vitet më të mira për energjinë. Viti 2014 ka qenë moti më i mirë i 10 viteve të fundit sa u takon reshjeve. Në kushtet kur 99% e prodhimit është bazuar mbi hidrocentralet, moti i lagësht ka qenë një bekim për vendin. Vetëm mund të fantazohet se sa e thellë dhe e gjerë do të ishte gropa në buxhet nëse do të kishim pasur mot të thatë.
Rrënjët e situatës shtrihen që në vitet ‘90, çimentohen me një privatizim të dështuar, me keqmenaxhim, me abuzime e grabitje dhe kthimin e energjisë në një kartë elektorale. Një vend që mund të eksportojë energji, ndodhet në krizë për shkak të keqmenaxhimit dhe shpërdorimit. Dhe rrugëdalja kërkohet duke ndëshkuar konsumatorët e rregullt, duke rritur çmimin! (Pavarësisht thirrjeve: nuk do të ketë rritje çmimi).
Energjia duhet paguar nga të gjithë! Dhe kur paguhet nga të gjithë, të gjithë mund të kapërdijnë apo mirëkuptojnë rritjen e çmimit!
Dhe së fundmi, por jo nga rëndësia: A nuk është ERE një institucion i pavarur që duhet të marrë vendimin për rritjen apo jo të çmimit të energjisë?

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura