Çfarë ndodhi në Veri të Kosovës

Jul 31, 2012 | 13:00
SHPËRNDAJE

BLERIM SHALA

Po na pret, pra, një vjeshtë politike në Veri të Kosovës dhe në raportet e Prishtinës dhe Beogradit, ndërsa nuk po shihet që ne jemi të gatshëm për një përballje të tillë. Presidentja dhe Kryeministri i Kosovës, më 25 korrik 2012, në shënim të përvjetorit të ngjarjeve të njohura të një viti më parë, qëndruan në portat kufitare 1 dhe 31, ku u takuan me doganierët dhe policët e Kosovës. Gjatë ditës, Kryeministri Thaçi pati takim me qytetarët e Mitrovicës së veriut, ku u trajtuan temat e përmirësimit të sigurisë në këtë komunë, të funksionimit të qytetit të Mitrovicës në tërësinë e tij, dhe po ashtu u shqyrtuan mundësitë e përmirësimit të gjendjes sociale dhe ekonomike. Në këtë takim u rikonfirmua që zgjedhjet e para lokale në këtë komunë do të mbahen më 28 tetor të këtij viti.
Thaçi dhe Jahjaga po ashtu morën pjesë në përurimin e një fabrike të re në Mitrovicën e veriut, e cila do të punësojë 100 veta.
E dini tashmë që asgjë prej këtyre fjalëve të shkruara nuk ka të bëjë me të vërtetën. Por, me gjasë, ky do të duhej të ishte lajmi i synuar a i dëshiruar në politikën kosovare, ashtu që të gjithë ne do të mund të bashkoheshim rreth vlerësimit që gjendja në Veriun e Kosovës tani ka ndryshuar shumë dhe që çfarë nisi tash e një vit më parë, ka qenë ai topthi i vogël që lëvizi një ortek të madh politik, ekonomik dhe social, që solli integrimin e plotë të Veriut në Republikën e Kosovës.
Mungesa e këtij lajmi nuk i ka shkurajuar autoritetet e vendit që me ngulm të insistojnë në vlerësimet fitimtare në shënim të këtij përvjetori. Fjalët e përdorura në të gjitha ceremonitë e bëra prej qeveritarëve të Kosovës përplasen keqas me realitetin në Veri, i cili, thënë troç, është ende larg atij që do të duhej të ishte. Tej fjalëve të mëdha, edhe në këto ditë dëgjuam dhe pamë shumë patetikë dhe fare pak gatishmëri për të kuptuar se çfarë duhet bërë në Veri të vendit. Për më shumë, u bënë kolona të tëra zyrtarësh që i shkuan për vizitë familjes së pjesëtarit të Njësisë Speciale Enver Zymberi, u përurua nisja e ngrirjes së lapidarit të tij në Prishtinë, ndërsa ta zëmë, nuk u shfrytëzua ky vit i kaluar që familjes Zymberi t’i ndërtohet një shtëpi e re dhe që të zihen ata që e vranë atë në pritë para një viti. Ministria e Punëve të Brendshme doli me një raport se si është vrarë heroi i Kosovës, gjë të cilën, realisht, është dashur ta bëjë një javë a dhjetë ditë pas 26 korrikut të vitit 2011.
Dhe kështu me radhë.
Po çfarë ka ndërruar në Veri dhe rreth Veriut në dymbëdhjetë muajt e kaluar?  Është e vërtetë që jemi dëshmitarë të kthimit të policëve dhe doganierëve në portat 1 dhe 31 apo, thënë më saktë, të kthimit të gjendjes që ka qenë në fuqi deri më 19 shkurt 2008.
Kemi Zyrën e Qeverisë së Kosovës në Veri të Mitrovicës, e cila po ashtu mund të klasifikohet si një hap para në drejtimin e duhur.  Është e saktë që kemi zhvillime pozitive edhe në luftimin e krimit të organizuar, edhe pse andejpari, krimi është organizimi i vetëm i mirëfilltë që funksionon, tok me shtetin e Serbisë. Po ashtu, qëndrojnë vlerësimet që idetë apo opsionet për ndarjen territoriale të Kosovës janë dobësuar ndjeshëm prej korrikut të vitit të shkuar, por ato, megjithatë, janë ende gjallë. Kjo nuk duhet harruar. Gjithsesi, dhe kjo mbase është arritja më e madhe e këtyre ngjarjeve, nuk ka më dilemë se kush, në fakt, u prin strukturave në Veri të Kosovës: Kemi të bëjmë me shtetin e Serbisë, dhe prania e tij është në kundërshti me të gjitha dokumentet ndërkombëtare rreth Kosovës dhe natyrisht, me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Një tjetër rezultat i 25 korrikut (2011) është zgjimi nga gjumi i kryeqendrave perëndimore, që tema e Veriut duhet të adresohet sa më parë, apo që status quo-ja nuk mund të qëndrojë më.
Ky pikëshikim pastaj solli dy konkludime rreth KFOR-it, njëri pozitiv e tjetri doli si problematik për Prishtinën zyrtare.
I pari thotë qartë që KFOR-i nuk mund dot ta përmbyllë detyrën e tij në Kosovë dhe të largohet para se Veriu i Kosovës të integrohet mirëfilli në rendin kushtetues të Kosovës.
Po i dyti konkludim, që na përsëritet goxha shpesh prej zyrtarëve më të lartë politikë dhe ushtarakë të paktit NATO dhe të KFOR-it, është që Veriu është temë politike, jo ushtarake, dhe që ai duhet të trajtohet në bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit.
Ju duhet t’i bindni serbët e Veriut që perspektiva e tyre është në Kosovë dhe në zbatimin e Pakos së presidentit Ahtisari, bisedimet që do të vijnë mes jush dhe Beogradit duhet të krijojnë rrethana të reja në marrëdhëniet tutje problematike midis Kosovës dhe Serbisë, e ne do t‘ju ndihmojmë politikisht dhe ekonomikisht, pos tjerash, edhe duke bërë vazhdueshëm presion mbi Beogradin për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arrira në Bruksel (në “dialogun teknik”) dhe për shpërbërjen e strukturave të Serbisë në Veri të Kosovës.
Kështu disi mendojnë diplomatët kryesorë perëndimorë që merren me çështjen e Veriut të Kosovës dhe me të ardhmen e afërt të raporteve mes  Kosovës dhe Serbisë.
Po na pret një vjeshtë politike në Veri të Kosovës dhe në raportet e Prishtinës dhe Beogradit, ndërsa nuk po shihet që ne jemi të gatshëm për një përballje të tillë apo, thuajse e gjithë skena politike e vendit më shumë preferon të përdorë një mburojë të rrejshme propagandistike dhe kinse patriotike, që kinse andejpari gjithçka do të ecë sipas dëshirave tona.
Si po duket, pra, për atë lajmin e dëshiruar, i cili zuri vend në krye të këtij shkrimi, do të presim tutje. Kush e di se çka do të ndodhë ndërkohë. Por, nëse në fund të këtyre zhvillimeve nuk do ta lexojmë atë lajm, kjo do të ishte një shenjë shumë e keqe për Kosovën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura