Ç’do ndodhë me ata që fjetën mbi dafina?

Sep 30, 2014 | 12:06
SHPËRNDAJE

AGIM BAÇI

  Pranimi publik i gabimeve gjatë qeverisjes dhe  kërkimi ndjesë ndaj qytetarëve është një hap që e vendos Bashën tashmë përballë disa detyrimeve të rëndësishme. Së pari, meqenëse “ata që kishin fjetur mbi dafina” ishin në atë sallë ku u kërkua kjo ndjesë, Basha duhet të qartësojë qëndrimin ndaj tyre, sidomos lidhur me të ardhmen e tyre politike. Më e rëndësishmja, pa dyshim, do të jetë qartësimi publik ndaj së ardhmes së atyre që mund të akuzohen ligjërisht e të shpallen fajtorë për shkelje apo korrupsion.
Zgjedhjet e mjaft njerëzve në rrethe gjatë turit të parë të Bashës rezultojnë përgjithësisht të kenë ardhur nga poste, kryesisht ish-drejtorë në kohën e qeverisjes së PD-së. Afërmendsh që nuk kanë pse të gjithë, si ish-drejtues, të mendohet se janë pjesë e gabimit. Por a do të mundet Basha që të zbatojë këtë standard që përmendi në fjalën e tij, duke larguar këdo që do të rezultojë se ka qenë shkak i largimit të PD-së nga qytetarët? Dhe këtë nuk do ta ketë shumë të vështirë nëse vendos ta bëjë pasi në bazën e PD-së shumëkush i njeh ata që “fjetën mbi dafina”.
Nga ana tjetër, Basha duhet medoemos të vendosë për një projekt të ri të opozitës, që më parë se sa fitorja e zgjedhjeve, do të jetë fitorja e besimit se strukturat e PD-së do të jenë të hapura për mendimin ndryshe, për debatin, e sidomos në dhënien e besimit se do t’u ofrohen njerëzve me ide dhe me integritet për ta kthyer PD-në më së pari në një forcë të parë morale. Në këtë proces Bashës mund t’i duhet të kërkojë rivotim për një pjesë të të sapozgjedhurve. Kjo do të jetë pa dyshim një sfidë e vështirë, duke pasur parasysh se shumë prej ish-drejtuesve të PD-së e shikojnë angazhimin politik duke shpresuar të rikthehen në vendet e mëparshme. Por tërheqja nga fjala e mbajtur në Kuvendin e fundjavës do të ishte një autogol që do ta dëmtonte më shumë se çdo vendim tjetër.
Ndërkaq, pas sfidës së brendshme, Basha duhet medoemos të gjejë një zgjidhje për të rikthyer PD-në në Kuvend dhe në debatin publik. Dhe në këtë proces nuk mund të jetë në pritje të përhershme të maxhorancës e as të ndërhyrjeve të ndërkombëtarëve. Nisja e hetimeve nga prokuroria mund të ishte shfrytëzuar në rikthimin në Kuvend, natyrisht duke vendosur kushte që kanë të bëjnë pikërisht me respektimin e së drejtës dhe sidomos respektimit të të gjitha hapësirave që ua jep Kushtetuta dhe jo marrëveshjet. Përndryshe, Basha do të prodhojë një ngërç që do të përkthehet me idenë se ai e mban PD-në larg Kuvendit prej faktit të të mosqenit vetë në atë sallë.
Në këtë proces Bashës i duhet të tregojë se kërkimi i ndjesës vjen si pasojë e vendosjes së një projekti afatgjatë me demokratët. Për këtë ai duhet t’i kërkojë çdo ish-zyrtari që të marrë përgjegjësinë për të mbrojtur figurën e tij në publik, duke ua bërë të qartë se vota e demokratëve nuk do të vijojë të mbrojë shkelësit e ligjit kurdo që të ketë ndodhur shkelja. Gjithashtu, Basha duhet t’i qartësojë demokratët se Shqipëria nuk është as e vitit 1991 e as vitit 1997, ku disa gjëra duhet të zgjidheshin vetëm me protesta. Jo se protestës i ka ikur koha. Por shqiptarët kanë nevojë të dëgjojnë me argumente bindëse kritikën ndaj qeverisë, e për më tepër ta dëgjojnë nga njerëz që kanë moral për t’ua thënë hapat e gabuar. Për këtë i mbetet atij të ndërmarrë hapin për t’i thënë kujtdo atë që i takon, duke përfshirë edhe paraardhësin e tij. A do të ndodhë kjo, apo do të vijojnë të vegjetojnë ata që ndëshkuan PD-në, tashmë i mbetet në dorë Bashës ta tregojë me fakte, atë që tha me fjalë. Në rast të kundërt, kërkesa e ndjesës do të kthehet në një lajm të keq e jo të mirë, siç ndodhi në fundjavë…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura