Catherine Deneuve: Brigite Bardot duhej “konfiskuar”, u përkiste njerëzve

Sep 30, 2013 | 15:10
SHPËRNDAJE

Aktorja franceze flet për veten dhe koleget e saj në vitet ‘60. Veçon Bardot me “një bukuri djalli”. Ndërsa ndër të sotmet, Cate Blanchett

Catherine Deneuve vazhdon të jetë një ikonë e kinemasë franceze. Gjithnjë e lirë, gjithnjë kundër rrymës, ajo ka qenë e kujdesshme ta mbështjellë veten me një tis misteri. Ndërsa vazhdon të jetë ende aktive në karrierën e saj, Deneuve tregon për “Le Figaro” 2-3 sekrete…
A keni ndier ndonjëherë dëshirën për të lënë gjithçka pas?
Rreth të 40-ave, në kohën e “Choix des armes”, film i Alain Corneau, 1981, pa dyshim, sepse po më ofroheshin skenarë jo shumë interesante. Dhe pastaj u rikthye. Kështu pra, gjatë një rrugëtimi ka momente kyçe, kur nuk mund të jesh më e dashura e re apo dashnorja dhe duhet të bësh një kthesë. Unë qëllova me fat që Truffaut më propozoi në “Le Dernier metro” personazhin e një gruaje të fortë.
Është arratia një tundim? Të zbresësh për të blerë një paketë cigare dhe të zhdukesh…
E kam menduar disa herë. Të shkosh në një hotel, pa i thënë kurrkujt, të lexosh dhe të mos kthehesh. Por nuk e kam bërë kurrë. Kam një familje, një nënë, fëmijë… Nuk mund të braktisësh njerëzit që duam apo t’i vëmë në merak.
Ashtu si në filmin “Les Beaux Jours” me Fanny Ardant, ajo planifikon një jetë të tretë pas të 60-ave…
Të rifillosh jetën, pavarësisht nga momenti se kur, sot është e mundshme dhe normale njëkohësisht. Por kjo nuk ka qenë deri para pak vitesh, e njëjtë edhe për divorcin. Unë nuk di të heq dorë. Nuk jam martuar kurrë për konvencion. Konvencionet shoqërore janë të padurueshme. Presionin social e kam ndier në fillimet e mia, por kurrë nuk ka ndikuar tek unë…
Në këtë epokë, në mes të viteve 1960, kohën e ngjitjes suaj, Bardot filloi të largohej…
Bardot kishte një bukuri djalli, trupi i saj duhej të konfiskohej: ajo u përkiste njerëzve. Ajo kishte admirues ekstremë. Unë nuk e kam njohur kurrë një gjë të tillë. Pastaj unë isha shumë diskrete. Shumë pak dihet nga jeta ime personale. Më shijon sekreti, është ankoruar thellë në natyrën time. Nuk kam lejuar kurrë ndërhyrjet, dhe kur ato paraqiteshin, i kam shmangur kategorikisht.
Kush ju impresionon sot?
Amerikanët. Është Bradley Cooper, Cate Blanchett. Ata shkojnë shumë larg…
Aktorët inteligjentë kanë karriera inteligjente…
Nuk është kurrë aq inteligjente. Jo domosdoshmërisht është ajo çka shohim së jashtmi, por kjo ndihmon në zgjedhje. Është e sigurt, nuk ka kurrë mjaftueshëm inteligjencë dhe fantazi…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura